Analiza

Thjeshtë Jeb!

Pesë gjëra që logoja që ka përzgjedhur na tregon për Jeb Bushin

Screen Shot 2015-06-16 at 19.14.45

Anthony Zurcher

Duke qenë se aspirantët për politikanë “paketohen” dhe paraqiten gjithnjë e më shumë si në ato fushatat publicitare të kompanive të mëdha, me buxhete marketingu miliona dollarësh, ikonografia e kandidatëve i nënshtrohet gjithnjë e më shumë këqyrjeje të vëmendshme, dhe shpesh herë, talljesh.

Në fund të fundit, vetëm pak muaj më parë, logoja e H-së në formë shigjete e Hillary Clintonit shkaktoi një furtunë analizash të çastit, si dhe jo pak habi. Tani Jeb Bushi ka zbuluar logon e tij të fushatës, me gjithë lavdinë e saj të thjeshtë, prej kohërash të dikurshme, dhe i gjithë procesi ripërsëritet. Po a hedh dritë logoja mbi kandidatin? Ja pesë gjëra që ndoshta mund të zbulojë logoja presidenciale e Bushit.

1. Ai është i shqetësuar se konservatorët nuk e duan

Asgjë nuk ta thotë më shumë se je shumë i ngazëllyer prej faktit që mund të bëhesh president, se sa fakti që e mbyll logon tënde me pikëçuditëse. Eshtë një ngazëllim që mund të përbëjë një sfidë për Bushin, i cili shpesh herë ka një sjellje më të qetë e të përmbajtur  gjatë shfaqjeve në publik, dhe ka pranuar se është një njeri i mbyllur në vetvete. Fatkeqësisht për Bushin, nëse ka ngazëllim nga ana e tij, ky nuk ka gjetur gjithmonë përgjigjen prej masave. Ndërkohë që kandidati vazhdon të qëndrojë në majë të sondazheve, entuziasmi për kandidaturën e tij në rangjet e lartë të partisë është, në rastin më të mirë, i heshtur. Shumë republikanë tradicionalë e shohin se nuk është mjaftueshëm i dhënë pas konservatorizmit konfliktual. Milton Glaser, një graphic designer veteran, i famshëm për logon ikonë “I Love NY” në fundin e viteve 1970, thotë se pikëçuditësja “supozoohet që të gjenerojë një ndjesi entuziasmi dhe ngazëllimi. Jeb nuk duket të jetë një personalitet që e arrin atë objektiv, kështu që duhet ta krijosh për të, dhe të tregosh se je entuziast”. Nga këndvështrimi i dizajnit, thotë ai, “nuk është absolutisht e shëmtuar”. Pikëçuditësja ekuilibron “J”-në e rëndë në fjalën Jeb, shton ai, “duke i dhënë një dallim pamor modest”. Bushi nuk është kandidati i vetëm që ka provuar shenjën pozitive të pikësimit në materialet e fushatës. Mitt Romney, Lamar Alexander dhe Michael Dukakis e kanë përdorur një version të saj. Sigurisht, asnjëri nuk u bë president.

2. Ai u përmbahet parimeve të tij

Bushi, gjatë periudhës së parafushatës, ka vënë theksin në qëndrueshmërinë e tij në vite. Ai nuk ndryshon pozicione – për imigrimin, arsimin – bazuar në humorin e elektoratit republikan. “Unë nuk do të ndryshoj atë që jam”, tha ai javën që kaloi. “Unë i respektoj njerëzit që mund të mos bien dakord me mua, por nuk do të ndryshoj pikëpamjet e mia, sepse sot, dikush ka një pikëpamje që është e ndryshme”. Ai gjithashtu nuk i ndryshon logot.

Bushi ka përdorur fillimisht “Jeb!” që në vitin 1994, gjatë një fushate të pasuksesshme për guvernator të FLoridës, dhe i është përmbajtur që atëherë. Mike Murphy, një ekspert fushate që këshillon Bushin, dhe që thuhet se është ideatori i logos, ka thënë kohët e fundit: “Përse logoja Jeb! funksionon: e pastër, e thjeshtë ta shohësh përsëlargu, optimiste, dhe mbi të gjitha, e qëndrueshme”.

3. Mbiemri i tij sjell me vete “bagazhe”

Ai është Jebi. Thjeshtë Jebi. Ndonëse pak njerëz do të harrojnë se ish guvernatori i Floridës ka një baba president, dhe një vëlla president, mbiemri Bush mungon në logon e tij. “Gjëja e rëndësishme për logon e Jebit nuk është pikëçuditësja që ndodhet aty”, thotë David Frum i The Atlantic. “Eshtë mbiemri që nuk është aty”. Ka shumë spekulime se logoja është një përpjekje e mirëmenduar për të distancuar kandidatin nga mbiemri i familjes – një lëvizje që vetë BUshi e ka pranuar në të kaluarën. “Unë i dua shumë babanë dhe vëllanë tim”, tha Bushi në shkurt. “Por unë jam vetvetja”. Mund të argumentohet se logoja e distancon Bushin nga i gjithë emri i tij, pasi “Jeb” nuk shfaqet askund në çertifikatën e lindjes. Eshtë një nofkë që ka dalë prej inicialeve të tij, John Ellis Bush.

4. Ai nuk dëshiron të shfaqet shuuuumë serioz

Nëse Partia Republikane do të kish qenë një font në kompjuter, me siguri do të ishte Times New Roman. Konservativ, tradicional, formal. Logoja, nga ana tjetër, praktikisht sjell një informalitet “casual”. Bushi ka thënë se fushata e tij do të jetë argëtuese – dhe logoja mund të jetë një mënyrë për ta treguar këtë. Font-i, thotë Glaser, “është i vetmi dallim modest. Në vend të përdorimit të një fonti të njohur gotik, për shembull, ai tregon diçka që është pakëz ekscentrike – por jo shumë”. Po cili është emri i fontit që përdor Bushi? Stephen Coles, i faqes së internetit “Fonts in use”, thotë se është një “version shumë i rëndë i fontit Baskerville të shekullit 19” – një font që, sipas një studimi të vitit 2013, ofron shumë besim.

5. Ai nuk është aq bombastik sa rivalët

Cfarë mund të thuhet për ngjyrat, e kuqe me një sfond të bardhë? E kuqja është bërë simboli jozyrtar i Partisë Republikane. Shtetet që fitojnë ngjyrosen pothuajse gjithmonë me të kuqe, në hartat elektorale, nga mediat e mëdha. Ka edhe ngjyrë blu, tek “2016”—a në logo. Por ndërkohë që dizajni ka ngjyrat e flamurit amerikan, ai nuk ka të njëjtët “shpërthime” patriotikë të flakës së flamurit të Ted Cruzit, hartën e Amerikës të Marco Rubios, apo shqiponjën bardhë e kuqe të Rick Santorumit. Ndërkohë që shumë kandidatë të tjerë kanë kërkuar një politikë të jashtme më të fortë, duke përfshirë thirrjet për më shumë përpjekje ushtarake kundër Shtetit Islamik, Bushi është treguar më i përmbajtur në retorikë. Logoja e tij duket se reflekton edhe këtë. “Eshtë një përpjekje modeste, ndoshta e saktë për të marrë pozicionin e kandidatit që nuk është haptaz i përkushtuar ndaj asgjëje”, thotë Glaser. “Eshtë një shenjë pa simbolizëm, përveç fjalës dhe pikëçuditëses, e cila nuk të thotë asgjë”. Por, shton ai, “mund të kish qenë shumë më keq”.

Burimi: BBC online

Në shqip nga: Bota.al

Leave a Reply

Back to top button