Analiza

T’i kundërvihesh joliberalizmit

Chris Patten

patten

E vërteta është se Orbani thjeshtë po i bënte jehonë një argumenti gjithnjë e më të përhapur (ndonëse zakonisht ai shprehet në mënyrë më delikate). Gjashtë vjet pas fillimit të krizës financiare globale, shumëkush ka nisur të bëjë pyetje të sikletshme. Si mund të qëndrojnë konkuruese në nivel global demokracitë liberale? A e kanë humbur demokracitë perëndimore vetëbesimin dhe aftësinë për të ofruar një jetë më të mirë për qytetarët e tyre? A janë në rënie Amerika dhe Europa? A po jetojnë me lavditë e të kaluarës?

Rrallëherë më ndodh që një fjalim politik të më bëjë të ndalem. Por pikërisht kjo ndodhi këtë verë, kur dëgjova një fjalim të spikatur të Viktor Orbanit, kryeministri gjithnjë e më autoritar i Hungarisë.
Orbani rrallëherë tërheq vëmendje jashtë vendit të tij. Herën e fundit që ai ka mbajtur një fjalim po kaq të rëndësishëm sa këtë verë ka qenë 25 vjet më parë, kur, në rininë e tij dha një ndihmë për thyerjen e “shpinës” së komunizmit në Europë. Duke folur në vitin 1989 në ceremoninë e rivarrimit të Imre Nagyt – i cili udhëhoqi Hungarinë gjatë kryengritjes antisovjetike të vitit 1956 – Orbani kërkoi pa e fshehur zemërimin, tërheqjen e trupave ruse nga territori i Hungarisë.
Megjithatë, këtë verë Orbani i ra një melodie krejt tjetër. Ai mbajti një fjalim në favor të atij që e quajti “shteti joliberal”, duke ofruar pesë shembuj të “sistemeve të suksesshëm që nuk janë perëndimorë, nuk janë liberalë, nuk janë demokraci liberale dhe ndoshta nuk janë as demokraci”. Rusia dhe Kina ishin mes tyre. Dukej sikur Perdja e Hekurt dhe tanket që shtypën qeverinë e Nagyt – le rë më pastaj Orbani në versionin rinor – nuk kishin ekzistuar asnjëherë.
Rusia dhe Kina mund të mos jenë më vende komunistë, por ato janë joliberale dhe e sigurtë që nuk janë demokratike. Rusia është diku mes autoritarizmit dhe totalitarizmit; dhe pavarësisht progresit ekonomik të kohëve të fundit në Kinë, fuqia në rritje e Azisë mbetet pak a shumë në të njëjtin kamp.
Fjalimi i Orbanit, si edhe deklaratat e mëvonshme të tij, ku shpalli planet për të implementuar “vizionin e tij të një shteti joliberal” shkaktuan tronditje. Si mund të parashtrojë ai pikëpamje të tilla si udhëheqës i një shteti anëtar të Bashkimit Europian, madje edhe në një kohë kur arkat e qeverisë i ka të mbushura me subvencionet e BE-së?
E vërteta është se Orbani thjeshtë po i bënte jehonë një argumenti gjithnjë e më të përhapur (ndonëse zakonisht ai shprehet në mënyrë më delikate). Gjashtë vjet pas fillimit të krizës financiare globale, shumëkush ka nisur të bëjë pyetje të sikletshme. Si mund të qëndrojnë konkuruese në nivel global demokracitë liberale? A e kanë humbur demokracitë perëndimore vetëbesimin dhe aftësinë për të ofruar një jetë më të mirë për qytetarët e tyre? A janë në rënie Amerika dhe Europa? A po jetojnë me lavditë e të kaluarës?
Ato që Orbani i përshkruajti si “demokracitë liberale” në SHBA dhe në Europë janë vërtetë të rënduara prej peshës së problemeve të brendshëm. Në SHBA, politika e polarizuar, zgjedhjet e manipuluara në nivel lagjesh për kandidatët e Kongresit si dhe një kushtetutë që duket se më shumë kontrollon se sa ekuilibron, kanë penguar reformat dhe e kanë lënë vendin në ujëra të trazuar. Klasa e mesme po gërryhet dhe aventurat e dështuara jashtë vendit e kanë shkurajuar “kombin dikur të domosdoshëm”, nga marrja e barrës së lidershipit global. Amerika mbetet e domosdoshme; mjerisht, ajo ka lejuar që të hedhë rrënjë ideja se është e padisponueshme.
Në të njëjtën kohë, Europa duket e paaftë për t’iu përmbajtur kontratës sociale që qëndronte në themel të bumit të saj ekonomik të pasluftës. Ekonomia më e suksesshme e kontinentit, Gjermania, këmbëngul që partnerët e saj të ndjekin konservatorizmin fiskal që mban shenjën e saj, duke mbytur kështu rritjen ekonomike, e cila do i bënte reformat e dhimbshme më të të lehta për t’u zbatuar.
Ndërkohë që demokracitë më të suksesshme të botës janë të fiksuara pas dështimeve të kohëve të fundit, politika ndërkombëtare është zhvendosur drejt rezultateve potencialisht më të rrezikshëm. Vetëpërmbajtja, përpjekjet e guximshme për reformimin e institucioneve ndërkombëtarë si dhe një gatishmëri për të përmbushur përgjegjësitë kanë rënë të gjitha viktima të sensit të ekzagjeruar të dështimit që ka sot Perëndimi.
Megjithatë, edhe pse demokracitë perëndimore duken më pak të prirura për të vepruar, më shumë do të kërkohet prej tyre. Asnjë prej vendeve që Orbani përmendi në fjalimin e tij nuk ka ofruar një vizion alternativ për rendin botëror. Përkundrazi, problemet e tyre të brendshëm rrezikojnë ta shndërrojnë pasigurinë në rrezik. Rusia do të duhet të përballet me impaktin e rënies së çmimeve të naftës në petro-ekonominë e saj. Kompanitë e mëdha po luten për mbështetje prej qeverisë. Rubla po bie si gur i rëndë. Do të jetë një dimër shumë i vështirë në Moskë dhe në Shën Petërsburg.
Edhe rritja ekonomike supersonike e Kinës po fillon të ngadalësohet; disa ekonomistë, duke përfshirë edhe Larry Summersin, po parashikojnë që ajo krejt papritur mund të ndalet. Sido që të shkojë, rruga pritet të jetë me gropa, me një fërkim në rritje mes politikës dhe ekonomive. Brenda vendit (sidomos në Hong Kong) por edhe jashtë tij, Kina të krijon përshtypjen sikur fjala “kompromis” nuk ekziston në gjuhën mandarine.
Modelet e hamendësuar politikë të Orbanit ka gjasa të bëhen edhe më të egër dhe nacionalistë në politikën e jashtme, teksa përpiqen të rifitojnë mbështetjen brenda vendit. Me qëllim që të sigurojnë paqen brenda vendit, udhëheqësit do të tregojnë gishtin nga armiqtë tek porta, realë apo imagjinarë qofshin këta.
Demokracitë liberale të botës duhet të fillojnë të besojnë sërish tek vetja. Ato duhet të provojnë se deklaratat e Orbanit nuk ishin asgjë më shumë se sa marrëzi bombastike. Nëse duam “paqen mbi botë dhe zemërbutësinë” e premtuar në këngët tona të Krishtlindjeve, do të na duhet të punojnë shumë më fort dhe me shumë më tepër vetëbesim për t’i siguruar ato.
*Chris Patten është ish Guvernator i Hong Kongut dhe ish komisioner i BE-së për punët e jashtme
Copyright Project Syndicate (www.project-syndicate.org)
Pershtatur ne shqip nga www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button