MagazineMAIN

Tirania e “më të mirës”

Nga Rachel Connolly

Sot do t’ju tregoj disa gjëra mbi mikun tim Dan Symons. Ai është një lloj njeriu që e sheh si shumë joshëse idenë e kërkimit të “më të mirës”, dhe në një nivel thuajse shpirtëror. I  pëlqen të lexojë artikuj të tipit “9 tharëset e flokëve më të mira për vitin 2023”, dhe i frikësohet idesë të shkojë dhe pijë diçka në një bar, i cili në Google vlerësohet me vetëm 4 yje.

Ndërkohë kur planifikon të shkojë diku për fundjavë, parapërgatitet në një mënyrë maniakale duke shënuar çdo gjë në detaje. Edhe ju mund të njihni nga këta njerëz. Ose ndoshta jeni vetë një tip i tillë. Dan është një person i tillë. Ai është nga Kalifornia, punon në sektorin e teknologjisë, dhe ka një vlerësim të madh për gjërat më të bukura në jetë.

Ai është i famshëm në grupin tonë të miqve për listat e tij të kuruara me kujdes të restoranteve, bareve, dhe madje edhe për artikuj të veçantë mbi menytë por edhe për refuzimin e tij për të shkuar në vende që janë më pak se sa të shkëlqyera.

Dhe orët e tij në kohën e lirë i kalon duke kërkuar vlerësime për çdo gjë, nga mini-frigoriferët deri tek këpucët. Kur e pyeta nëse ishte e vërtetë ajo që kisha dëgjuar kohët e fundit, se kishte ngrirë një pako me “gjalpin më të mirë” për ta marrë me vete nga Franca, më konfirmoi se ishte e vërtetë.

Dan mund të jetë një rast ekstrem, por një version më i dobët i instinktit të tij e përshkon sot gjithë kulturën tonë. Mendova se vetë Dan, mund të hidhte pak dritë mbi atë që do të thotë në të vërtetë ndjekja e “më të mirës”’. Por kur e pyeta, mësova se motivimi nuk ishte ai që prisja.

Nuk bëhej fjalë për snobizëm, apo edhe për vetë-optimizim. “Mendoj se gjëja vërtet e rëndësishme për mua – që ndoshta nuk është e shëndetshme – është që dua të sigurohem që njerëzit me të cilët jam të kalojnë kohën më të mirë të mundshme. Dhe kjo varet jo vetëm se në cilin restorant shkon të hash, por edhe ku e porosit ushqimin që ta sjellin në shtëpi”,- më tha ai.

Mua me duket sikur Dan po përpiqet të garantojë për veten diçka që është më afër lumturisë. Por a mund të gjendet vërtet lumturia tek një pako gjalpë? Natyrisht klasifikimet e produkteve më të mira nuk janë ndonjë gjë e re. “Sight and Sound” përpilon një listë të filmave më të mirë çdo 10 vjet që nga viti 1952.

Renditja e universiteteve më të mira në botë nga “US News & World Report” u publikua për herë të parë në vitin 1983. Rolling Stone publikoi që në vitin 2003 listën e tij të parë të “500 albumeve më madhështorë të të gjitha kohërave”. Disa versione të “restoranteve të reja më të modë të vitit”, mund të gjenden prej dekadash në gazetat dhe revistat lokale, për të mos përmendur dentistët, mjekët, shkollat ​​më të mira.

Këto renditje kanë nxitur gjithmonë biseda, reagime, letra drejtuar redaktorit. Por gjatë 20 viteve të fundit, interneti na ka dhënë gjithnjë e më shumë mënyra për të bërë vlerësimet tona, në vend se thjesht të kundërshtojmë ose të pajtohemi me ato që na rekomandojnë redaktorët e rubrikave të ndryshme.

Komentet në internet u shfaqën për herë të parë rreth vitit 1999, në një faqe si eBay. Yelp u krijua në vitin 2004, për t’i ndihmuar njerëzit të gjejnë bizneset më të mira në zonën ku banojnë. Vlerësimet e Google u shfaqën në vitin 2007. Dhe kjo platformë është vendi i parë ku kërkojnë njerëzit kur përpiqen të gjejnë informacione për çdo biznes apo shërbim.

Listat u përhapën si një lloj përmbajtjeje që ishte e lehtë për t’u prodhuar, e lehtë për të tërhequr vëmendjen, dhe e lehtë për të shitur reklama. Pra kemi renditje të çadrave më të mira të montueshme lehtësisht, të këmishave të natës më të buta, të brisqeve më të lëmuar apo çantave të papërshkueshme nga uji.

Ndërkohë, ekzistojnë edhe lista të ngjashme mbi gjëra më pak konkrete:100 romancierët më të mirë të 100 viteve të fundit; lista e më të pasurve etj. Të frymëzuar nga kjo praktikë, disa prej nesh kanë filluar të listojnë veten.

Kohët e fundit bisedova me këshilltarin tim të besuar për të gjitha gjërat që i përkasin Brezit Z, vëllai im Ryan, për të krijuar një ide se si kultura e vlerësimeve ka ndikuar tek ata që janë rritur plotësisht të zhytur në këtë epokë. Situata është më keq nga sa dyshoja.

Ryan më tregoi për një bisedë të fundit në vendin e tij të punës. Gjatë drekës, ai dhe kolegët e tij po ndanin histori rreth përhapjes së tabelave dhe sistemeve të vlerësimit. Njëra nga koleget u foli për një mikeshë të sajën që mbante një bllok me vlerësimet e saj të personalizuara për gjithçka, nga shfaqjet televizive deri te recetat.

“Por ndoshta më e çuditshme, ishte lista me vlerësime mbi partnerët e saj seksualë. Shumica e njerëzve rreth tryezës ishin disi të shokuar. Por më pas një grua tjetër tha se ajo bën të njëjtën gjë”- tha Ryan. Edhe për ata nga ne që nuk kanë lidhje me manitë e Dan Symons, renditjet dhe listat shërbejnë ende për diçka:na ndihmojnë të kuptojmë peizazhin tonë jashtëzakonisht të gjerë të konsumatorit.

Sepse në këtë tepricë informacioni të prodhuar nga interneti, duhet njëfarë orientimi. Ndoshta por për mua përvoja e blerjes së një tharëse flokësh në internet, më ngjan më pak si të qenit peng në një operacion të kontrollit të mendjes në formën e Matrix, dhe më shumë si të jesh e bllokuar brenda një kutie lodrash plastike, ku ato bisedojnë dhe përplasen me njëra-tjetrën.

Realiteti është se unë thjesht dua të kaloj sa më pak kohë të jetë e mundur në atë kuti, ndërsa shpresoj të blej diçka që nuk do të prishet që herën e dytë që e përdor. Listat dhe renditjet më të mira, mund të duken si një zgjidhje e thjeshtë për këtë problem. “Ka shumë fusha ku njerëzit nuk ndihen sikur kanë ekspertizë dhe vlerësimin e duhur, dhe këto lloj listash e zhdukin ndjenjën e të qenit i paaftë”- më tha Rick Larrick, profesor i menaxhimit dhe organizimit në Universitetin Duke.

Dr.Larrick ka studiuar për një kohë të gjatë e tendencën e konsumatorëve për të gjurmuar gjërat “më të mira. Ai ka zbuluar se njerëzit kanë një besim të çuditshëm tek kjo mënyrë sjellje. “Sapo kryen një renditje për gjërat, madje edhe për një objekt siç është pastruesi i tualetit, preferenca e njerëzve për atë që renditet në krye rritet ndjeshëm, me rreth 20 për qind”- thotë ai.

Unë them se shumë njerëz nuk janë në gjendje të bëjnë dallimin midis një pastruesi shumë cilësor dhe më pak cilësor të tualetit. Kjo sugjeron se tërheqja ndaj më të mirës nuk ka të bëjë me një ndryshim të thjeshtë në cilësinë e produktit, por më shumë me një ndjenjë sigurie, se ndoshta ke fituar duke blerë gjënë e duhur.

Sa herë që përpiqemi të ushtrojmë kontroll mbi këto gjëra relativisht të vogla, po synojmë të ushtrojmë njëfarë zgjedhjeje mbi diçka që ndihet e rëndësishme për ne. Sepse ideja se sa pak kontroll kemi mbi botën, perceptohet si stresuese. Por asnjë universitet nuk do të garantojë 4 vitet më të mira të jetës suaj apo një karrierë të shkëlqyer më pas.

Lumturia nuk është një gjë që do të na garantojë ndonjë sasi kërkimi apo zgjuarsie. Ky është një mendim i frikshëm. Por kjo është gjithashtu diçka pozitive: Zgjedhja e gjësë së gabuar, nuk duhet të nënkuptojë fundin e botës. Në fakt, nuk ka pse të thotë asgjë. Përveç çdo gjëje që duam të bëjmë prej saj.

Shënim: Rachel Connolly është një shkrimtare dhe kritike me banim në Londër, dhe autore e romanit të ardhshëm “Qyteti dembel”. / Marrë me shkurtime nga “New York Times” – Bota.al

Back to top button