Analiza

Tmerri i Balltikut

Sigmund Frojdi, babai i psikoanalizës, besonte se, duke përmirësuar botën e brendshme të njerëzve, ne mund të përmirësojmë botën e jashtme, që të gjithë e ndajmë. Ai argumentonte se kultura – të gjitha llojet e dijes, që kultivojnë një ndërgjegje shoqërore – mund të jetë shpëtimi ynë. Para revolucionit të vitit 1917, vetë Rusia kishte shpresa të mëdha në këtë drejtim. Të gjitha veprat e Frojdit janë përkthyer në rusisht. Shumë nga artistët, studiuesit, dhe mjekët kryesorë të vendit, që kanë studiuar në kryeqytetet e Evropës, kanë vepruar si ndërmjetës kulturorë. Mikhail Bulgakov, Marina Tsvetaeva, Aleksandër Blok, Nikolai Berdajev dhe Vassily Kandinsky ishin nën ndikimin e magjisë korrigjuese të Frojdit

Nga Imbi Paju *

Gazetar, shkrimtar, regjisor estonez, me banim në Finlandë

Sovjetiket duke djegur libra

Talin – Mediat janë mbushur me spekulime këto kohë, nëse Presidenti amerikan, Donald Trump dhe presidenti rus, Vladimir Putin do të ndajnë botën mes tyre. Ne në Estoni dhe në shtetet e tjera baltike, tani frikësohemi se mos përfundojmë edhe një herë, në sferën e influencës të Rusisë. Në të vërtetë, për shumë qytetarë balltikë, përfytyrimet e tmerrshme të torturës, dëbimeve, dhe arrative – të gjitha këto, përvoja nga historia jonë – janë duke “shpërthyer” edhe një herë në ndërgjegjen tonë.

Në vendet balltike, ne e dimë mirë se, vendi ynë është pjesë e një loje të madhe globale, parash dhe manipulimesh. Ne nuk e kemi harruar Paktin Molotov-Ribentrop dhe protokollet e tjera sekrete me të cilat Joseph Stalini dhe Adolf Hitleri, në vitin 1939, ndryshuan fatin e vendeve tona pothuajse brenda natës. Si mund të harrojmë? Vetëm një vit më vonë, policia sekrete e Bashkimit Sovjetik filloi arrestimet dhe vrasjet e prindërvedhe gjyshërve tanë.

Ne kemi gjithashtu një tjetër kujtim të zi të asaj kohe: bashkëpunimin dhe zbutjen. Ashtu si të gjithë ata që kanë përjetuar pushtime, regjime të dhunshme, dhe luftëra brutale, ne e dimë se besimi, që do aq shumë kohë për t’u zhvilluar, mund të hidhet shembet në një çast. Eshtë shumë e kollajtë për individët imoralë, që të korruptohen për të tradhëtuar.

Kjo është më e vërtetë sot, se kurrë më parë. Në Finlandë, Estoni, dhe në të gjithë Evropën, ne po shohim një prirje thellësisht shqetësuese, ku vlerat dhe parimet tradicionale po kompromentohen prej manovrave politike dhe parave. Zbutja ndaj regjimit autoritar në Rusi, me sa duket mund të blihet.

Si mund t’u kundërvihemi këtyre forcave? Sigmund Frojdi, babai i psikoanalizës, besonte se, duke përmirësuar botën e brendshme të njerëzve, ne mund të përmirësojmë botën e jashtme, që të gjithë e ndajmë. Ai argumentonte se kultura – të gjitha llojet e dijes, që kultivojnë një ndërgjegje shoqërore – mund të jetë shpëtimi ynë.

Para revolucionit të vitit 1917, vetë Rusia kishte shpresa të mëdha në këtë drejtim. Të gjitha veprat e Frojdit janë përkthyer në rusisht. Shumë nga artistët, studiuesit, dhe mjekët kryesorë të vendit, që kanë studiuar në kryeqytetet e Evropës, kanë vepruar si ndërmjetës kulturorë. Mikhail Bulgakov, Marina Tsvetaeva, Aleksandër Blok, Nikolai Berdajev dhe Vassily Kandinsky ishin nën ndikimin e magjisë korrigjuese të Frojdit.

Pastaj erdhi revolucioni. Psikoanalistja ruse, Tatiana Rosenthal besonte se ajo mund të pajtonte marksizmin me psikoanalizën. Por sovjetikët u bënë shumë shpejt terrorizues, persekutues dhe vrasës të njerëzve që ajo respektonte. Ata nisën të djegin librat e Frojdit, së bashku me dhjetëra miliona të tjerë. Shumë shpejt, ata e shtrembëruan psikiatrinë për t’u shërbyer interesave të tyre, duke e përdorur atë, për të “kuruar” disidentët politikë. Në vitin 1921, në moshën 36 vjeç, Rosenthal vrau veten.

Një brez më vonë, Estonia përjetoi të njëjtin tmerr. Pasi nisi pushtimi në vitin 1940, forcat sovjetike filluan zhveshjen e estonezëve nga mentaliteti dhe kujtesa e tyre perëndimor, duke shkatërruar rreth 26 milionë libra. Gjatë dëbimeve të mëdha të vitit 1949, mbi 22,000 persona u dërguan në Siberi, ndërsa bibliotekat e fundit personale u dogjën.

Sigurisht, ka pasur gjithmonë bashkëpunëtorë. Në vitin 1941, Max Laosson, një shkrimtar dhe redaktor i një reviste psikoanalitike në Estoni, u bashkua me një batalion sovjetik shkatërrimi. Ndërkohë që jeta dhe karriera e miqve të tij shkatërrohej, ai u ngrit nëpër rangje, duke u bërë një funksionar i lartë komunist. Për Laossonin, konformizmi ishte një strategji mbijetese; kontribuoi për asgjësimin e kulturës dhe besimit, por funksionoi.

Sa për Frojdin, ai u dëbua në mërgim nga regjimi i Hitlerit. Në vitin 1939, ndërkohë që jetonte në Londër, ai vërejti se teoria e tij, që njerëzit kishin një nevojë themelore për të shkatërruar, ishte vërtetuar. megjithatë, ai ruajti shpresën që, ndërkohë që kultura nuk mund t’i kuronte njerëzit nga nevoja e tyre shkatërrimtare, ajo gjithësesi mund të na ndihmonte të kufizonim këto instikte, të paktën në botën e jashtme që të gjithë e ndajmë.

A kishte të drejtë Frojdi – i cili vdiq përpara se nazistët të fillonin të digjnin njerëz në kampet e shfarosjes – kur thoshte se ne jemi në gjendje të shtpim nevojën e njerëzimit për shkatërrim?

Shkrimtari dhe regjisori finlandez, Jörn Donner, ka shkruajtur dikur se librat nuk janë në gjendje që të parandalojnë një luftë. Më kujtohet sa thellë më tronditi kjo fjali, kur e lexova për herë të parë. Estonia kishte rifituar pavarësinë, dhe po kërkoja një lloj zgjidhjeje për mamanë time, e cila ishte dërguar në gulag që në moshë të re. Ajo zgjidhje, të paktën pjesërisht, do të merrte formën e një libri.

Në atë kohë besoja, dhe ende besoj, se kultura, si e përcakton Frojdi, mund të shpëtojë njerëzimin duke garantuar që historia nuk përsëritet. Rrjetet dhe narrativat e epokës sovjetike, për shumëkënd, vazhduan të rezistojnë në hije. Kështu që unë bëra filma dhe libra që do të ekspozonin modelet e mendimit dhe sjelljes, që shërbyen si baza për urdhërat shkatërrimtarë për të vrarë dhe tradhëtuar fqinjin.

Megjithatë, disa thonë sot se ata rrjete dhe narrativa të vjetra sot po rizgjohen. Dhe kur forcat e mëdha – ideologjia, paratë, zilia dhe faji – aktivizohen, dalin gjithmonë nga ata që janë gati të tradhëtojnë apo censurojnë të tjerët. E keqja banale për të cilën shkruajti Hannah Arendt, është ende gjallë.

Sipas filozofes franceze, Julia Kristeva, kulturat vdesin, por ato mund edhe të vrasin. Unë as nuk jam i sigurtë që liria e fjalës mund të merret më e mirëqenë. Por ashtu si Frojdi, kam ende shpresë që – me ndihmën jo thjeshtë të kulturës, por edhe shoqërisë civile që është e gatshme ta mbrojë – ne mund të mësojmë të kontrollojmë instiktet otna bazë, dhe shmangim një tjetër ndarje shkatërrimtare të botës.

Botuar ekskluzivisht nga www.bota.al me autorizim nga Project Syndicate, 2017. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate – Baltic Dread

Leave a Reply

Back to top button