Histori

Tomas Edisoni: “Nuk jam aspak shkencëtar! Jam shpikës!”

534986_10151281252568404_566635016_n

DESHMITARE TE HISTORISE / Portret i Tomas Edisonit, sipas ndihmësit të tij

Shpikjet e Tomas Edisonit ndryshuan botën. Shumë pak njerëz kanë patur një ndikim kaq të madh mbi brezat e ardhshëm, sa ai. Ai ishte një shkencëtar dhe shpikës me prodhimtari shumë të lartë, frymëzimet e të cilit, përfshirë llampën elektrike, fonografin dhe filmimin vazhdojnë të prekin jetët e miliona njerëzve në të gjithë globin. Edisonit i janë dhënë një total prej 1093 patentash – numri më i madh që i është dhënë ndonjëherë ndonjë individi.

Sidoqoftë, Edisoni ka qenë disi i pafat në fillimet e tij. Si student i ri në moshë, nuk ishte shumë i mirë në shkollë – duke i bërë mësuesit të dyshojnë se ishte “i vonuar”. Humbi pjesën më të madhe të dëgjimit në moshën 12-vjeçare – një gjendje që e izoloi nga të tjerët përreth tij, por që nga ana tjetër i mundësoi të fokusohet në atë që bënte. Në vitin 1862, në moshën 15 vjeç, Edison u bë një operator telegrafi. Deri në 1868, kish “çarë rrugën” drejt Bostonit, ku i kish dhënë fund punës së tij për t’iu përkushtuar shpikjeve. Shumë shpejt u zhvendos në Nju Xhersi dhe në vitin 1876 hapi laboratorin e tij kërkimor në Menlo Park, vendi ku erdhën në jetë disa prej shpikjeve të tij më të mëdha.

“NUK JAM SHKENCËTAR. JAM SHPIKËS”

Alfred O. Tate ishte ndihmësi i Edisonit dhe sekretari privat i tij. Ai ofron të dhëna interesante mbi personalitetin e shkencëtarit më të madh amerikan:

“Sigurisht, shpesh herë Edisoni përdorte metoda që nuk ishin aspak ortodokse, por do të ishte e gabuar të thonim se ai nuk ishte në një hap me shkencën. Ai jo vetëm abonohej, por edhe lexonte të gjithë revistat shkencore. Kishte një librari moderne shkencore shumë të plotë, e cila rritej vazhdimisht dhe që nuk mbetej e palexuar. Askush përveç tij nuk mund të dinte se deri në çfarë mase merrte prej shkencës dhe teorisë. Duhet të ketë shfrytëzuar patjetër teorinë, pasi asnjë hap përpara nuk mund të hidhet në eksperimentime, pa e projektuar paraprakisht mendjen. Shkenca mund të përshkruhet si “dije e sistemizuar”. Ka shumë degë, por në ato drejtime që ndoqi Edisoni nuk ka asnjë dysihm se kishte dituri mbi “dijen e sistemizuar”, që lidhej me to, si dhe në të gjithë rastet demonstroi aftësinë për të projektuar.

Në vitin 1875 ai zbuloi valët që sot hyjnë përmes ajrit në çdo familje për të ofruar zbavitje. Ato u quajtën “Efekti Edison”, ose “Forca e eterit”, dhe atij iu dhanë një numër patentash që mbulonin pajisje të projektuara për t’i shfrytëzuar këto valë. Edison nuk ishte matematicien. Ai kishte një metodë të tijën të zgjidhjes së problemeve matematikorë. Mungesa e dijes për këtë shkencë nuk dukej të ishte kurrë një handikap. Mendja e tij shkonte vetë drejt përgjigjes me një shpejtësi marramendëse, dhe as ai vetë nuk ishte në gjendje ta shpjegonte këtë. Eshtë thënë se Njutoni nuk mund të demonstronte asnjëherë një problem, sipas Euklidit. Përgjigjet ishin për të aq të qarta, saqë nuk mund të pengonte aq gjatë, proceset e tij mendorë për të ndjekur hapat e demonstrimit. Kështu dukej se funksiononte mendja e Edisonit. Vlerësimi i tij për matematicienët nuk mund të përshkruhej si ekstravagant. Ai ishte vënë në lojë prej këtyre shkencëtarëve kur kish qenë më i ri në moshë, atëherë kur kryente eksperimentet e tij “empirikë” me llampën inkandeshente. Me siguri që ata janë penduar…”

“E GJETA”

“… Më kujtohet një prej eksperimenteve empirikë të Edisonit. Donte të gjente një solvent për kauçukun e fortë. Shkenca nuk e kishte zbuluar. Teoria ishte e pashpresë. Kështu që, ai gjeti prehje tek empirizmi.

Kishte një depo me kemikate shkencorë që ishte e plotë. Zhyti në shishka që përmbanin nga një prej secilit prej këtyre kemikateve një copë të vogël kauçuku. Nuk më kujtohet sa shumë ishin, por ishte një koleksion vërtetë mbresëlënës. Më vonë e pyeta se si kishte shkuar eksperimenti. ‘E gjeta!’, mu përgjigj…

Në një prej këtyre rasteve kur isha ulur pranë tij, më dha një copë gazete ku e përmendnin si shkencëtar. Më tha: “Eshtë e gabuar! Unë nuk jam shkencëtar. Jam shpikës. Faradej ishte shkencëtar. Ai nuk punonte për para. Thoshte se nuk kish kohë. Por unë e bëj. E mas çdo gjë që bëj me dollarë argjendi (monedha e atëhershme). Nëse nuk arrij atë standart, atëherë e di që nuk është gjë e mirë”.

Ishte më se i qartë. Nëse puna e tij shitej, nëse publiku do të blente dhe paguante dollarët e argjendtë për të, e kështu ai do të dinte se kish qenë e dobishme. Dhe ky ishte zanati i tij. Ai ishte një shpikës utilitarian dhe paraja ishte barometri i vetëm që përdorte për të matur suksesin”.

EDISONI DHE PARATË

“Një mbrëmje ne po darkonim së bashku në restorant Delmonico në Nju Jork… Pas darke, kur na sollën faturën, Edison nxorri një tufë kartëmonedhash nga xhepi, i shtriu mbi tryezë dhe filloi të marrë disa prej tyre. I bëri lëmsh. Më pas i mori nga cepat, i shtriu sërish dhe filloi t’i marrë sërish një nga një. Në fund, i irrituar i shtyu drejt meje dhe më tha: “Merri Tate! Merri këto dreq. Futi në xhep dhe paguaje ti faturën sonte”. Arsyeja për këtë ishte se ai kurrë nuk merrte para dhe ndërkohë që fitonte shuma të mëdha, pak prej tyre i kalonin në duar si kartëmonedha. Në laboratorin e tij në Orange, kur nisej për Nju Jork më duhej të kujdesesha që të merrte para, përndryshe nisej pa një dyshkë në xhep. Nuk kish fare kënaqësi në prishjen e parave për qëllime personale. Por sa i përket shpenzimit të parave për eksperimentime, nuk e shihte asnjëherë koston. Për të nuk bënte dallim kostoja, kur kish një qëllim në mendje.

Ky faktor nuk hynte asnjëherë në mendjen e tij. E shihte paranë jo si diçka që të konsiderohej apo grumbullohej, por si një mjet esencial për progresin e punës së tij”

Perkthimi: Bota.al

Leave a Reply

Back to top button