Rachel Sylvester
Më 27 gusht, Donald Trump mblodhi këshilltarët më të lartë në Zyrën Ovale për të diskutuar krizën e përshkallëzuar në Gaza. Përkrah Steve Witkoff, të dërguarit të posaçëm amerikan për Lindjen e Mesme, dhe Jared Kushner, dhëndrit të presidentit, ishte ish-kryeministri britanik Tony Blair. Të tre i shpjeguan Trumpit se pa një zgjidhje të drejtë për Gazën, paqja në rajon do të mbetej e pamundur. Ata e lavdëruan duke i thënë se marrëdhëniet e tij me izraelitët dhe shtetet arabe e vendosnin në një pozitë unike për të arritur një marrëveshje historike.
Trumpi u tregua i interesuar. Teksa ata i paraqitën “planin gjithëpërfshirës” për rindërtimin pas luftës në Gaza, ai i dëgjoi me vëmendje. Burime të brendshme thonë se ky ishte momenti vendimtar kur presidenti hoqi dorë nga ideja e tij për të zhvendosur palestinezët në vende të tjera dhe për ta shndërruar Gazën në një “Rivierë amerikane të Lindjes së Mesme”. Ai ra dakord që SHBA të angazhohej për rindërtimin e Gazës, si pjesë e një marrëveshjeje më të gjerë rajonale. Vendosmëria e tij u forcua edhe më shumë dy javë më vonë, kur Izraeli bombardoi Katarin, një aleat kyç i SHBA-së.
Si gjithmonë, motivet e Trumpit ishin më shumë personale se idealiste. “Do të bëjë çdo gjë nëse mendon se kjo i sjell Çmimin Nobel për Paqe,” tha një person që e njeh mirë. Një tjetër e përshkroi politikën e jashtme të tij me fjalët: “Pse të mos bëjmë të gjithë paqe, që të bëjmë të gjithë para?”
Tani, gati dy vjet pas sulmeve të 7 tetorit ndaj Izraelit, rrotat diplomatike janë vënë sërish në lëvizje. Katër ditë pas publikimit të planit 20-pikësh të Trumpit për paqen në Gaza, Hamasi njoftoi se do të lironte pengjet izraelite. Edhe pse pranoi vetëm pjesërisht kushtet e planit, Trumpi vendosi ta pranojë dhe kërkoi që Izraeli të ndalonte “menjëherë” bombardimet.
Ende ka shumë gjëra që mund të shkojnë keq, dhe vetë plani ka shumë të meta. Megjithatë, shpresat për fundin e luftës janë rritur. Një figurë e lartë laburiste mendon se Trumpi e ka kthyer papërshkueshmërinë e tij në një “armë diplomatike” të efektshme.
Nëse plani presidencial do të zbatohet, Tony Blair do të luajë një rol qendror si anëtari i parë i emëruar i “Bordit Ndërkombëtar të Paqes”. Ai nuk ka ndërmend të jetë një figurë simbolike – “një emër në derë”, siç thotë vetë – por do të vendoset fizikisht në rajon dhe do të angazhohet drejtpërdrejt për sigurimin dhe menaxhimin e fondeve për rindërtimin e Gazës. Instituti i tij, Tony Blair Institute, ka tashmë gati 100 punonjës në Lindjen e Mesme. Synimi është që administrimi i përditshëm i Gazës të bëhet nga palestinezë, përmes një komiteti teknokratik dhe apolitik.
Sipas deklaratës së Shtëpisë së Bardhë, qëllimi është “rindërtimi dhe gjallërimi i Gazës”, duke shfrytëzuar burimet financiare të rajonit dhe duke përfshirë ekspertë që kanë ndihmuar në krijimin e “qyteteve-mrekulli” të Lindjes së Mesme. Gjuha, siç vihet re, është ajo e një zhvilluesi të pasurive të paluajtshme – dhe Blair ka marrëdhënie të forta me investitorë në botën arabe dhe më gjerë. Financimet do të vijnë nga vendet e BE-së, Norvegjia, SHBA, Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Katari.
Tetëmbëdhjetë vjet pasi la Downing Street, Blair ruan ende lidhje të fuqishme me liderët e rajonit – Mohammed bin Salman të Arabisë Saudite, Mohammed bin Zayed të Emirateve, Mbretin Abdullah të Jordanisë. Ai e njeh Benjamin Netanyahun që nga vitet 1990 dhe është shumë afër me Jared Kushnerin. Të dy u njohën në qarqet shoqërore të Manhatanit afro 20 vjet më parë dhe u rilidhën në 2010, gjatë pagëzimit të vajzave të Rupert Murdoch dhe Wendi Deng. Marrëdhënia u forcua më tej me ardhjen e Trumpit në pushtet në vitin 2016, kur Kushner u bë këshilltar i lartë i presidentit me përgjegjësi për Lindjen e Mesme.
Në një konferencë më 2019, Kushner e quajti Blairin “mik të mirë dhe këshilltar me përvojë”, ndërsa një vit më vonë Blairi ndihmoi në afrimin e Emirateve të Bashkuara me Izraelin për Marrëveshjet e Abrahamit.
Por përfshirja e tij është shumë e debatueshme, veçanërisht mes palestinezëve. Megjithëse ai ndihmoi në arritjen e paqes në Irlandën e Veriut, reputacioni i tij u njollos rëndë nga roli në Luftën e Irakut (2003). Ish-drejtori i Zyrës së Jashtme, Sir Simon Fraser, vëren se “Blairi gëzon besim në Uashington, Izrael dhe Gjirin Persik – por “rruga arabe” nuk e ka harruar Irakun.”
Për të tjerë, ideja e një “Tony of Arabia” që zbret në Lindjen e Mesme për të shpëtuar botën, ka një jehonë koloniale.
Daniel Levy, president i US/Middle East Project, e quan planin e Trumpit “një kartel të stilit Dutch East India Company të shekullit XXI.” Sipas tij, “kur palestinezët nuk menaxhojnë vetë asgjë, në ç’botë mund të funksionojë një model i tillë?”
Salman Shaikh, ish-këshilltar i posaçëm i të dërguarit të OKB-së për Lindjen e Mesme, thotë se Blair është i besuar nga elitat, por “pa përfshirje reale palestineze, nuk ka drejtësi e as ekuilibër”.
Megjithatë, të tjerë janë më optimistë. Sir Peter Ricketts, ish-shef i Zyrës së Jashtme nën Blairin, mendon se ish-kryeministri ka patur “ndikim pozitiv” te Trumpi, duke mbajtur gjallë perspektivën e zgjidhjes me dy shtete. “Iraku është albatrosi rreth qafës së tij,” thotë ai, “por Blair ka mësuar nga gabimet e Irakut dhe tani sjell përvojën e çmuar të tranzicioneve pas konfliktit.”
Në fakt, më 2007, ditën që la Downing Street, Blairi u emërua menjëherë i dërguar i posaçëm për Lindjen e Mesme nga Kuarteti (OKB, SHBA, BE dhe Rusia). Atëherë, Shtëpia e Bardhë paralajmëroi: “Ai nuk është Superman dhe nuk ka mantel.” Ai u vendos në hotelin American Colony në Jerusalem, ku zuri një kat të tërë, por roli i tij u kufizua kryesisht në zhvillimin ekonomik, pasi u pengua nga elementë të administratës amerikane.
Për Blairin, që është një nga të paktët liderë perëndimorë që “beson në Zot”, beteja e vërtetë ka qenë gjithmonë ajo ekzistenciale mes Islamit dhe islamizmit, mes tolerancës fetare dhe ekstremizmit ideologjik.
Tani ai shpreson që lidhja e tij me Kushnerin t’i sigurojë qasje direkte tek Trumpi. Ish-ministri konservator për Lindjen e Mesme, Alistair Burt, thotë se kritikat ndaj Blairit për bashkëpunimin me ta janë të padrejta: “Janë të vetmit që kanë mundësi reale të arrijnë diçka. Duhet të punosh me ata që mund të bëjnë ndryshim.”
Blairi ka pasur gjithmonë dëshirën për të zgjidhur probleme që askush tjetër nuk mund t’i zgjidhë. Sir David Manning, ish-këshilltar i tij për politikën e jashtme, kujton se pas përvojës në Irlandën e Veriut, Blairi besonte se “çdo çështje e pazgjidhshme, mund të zgjidhet.”
Ndërsa pas 11 shtatorit, ai e pa konfliktin izraelito-palestinez si një nga shtysat kryesore të radikalizmit dhe terrorizmit që duhej trajtuar me çdo kusht. Sipas biografit Sir Anthony Seldon, Lindja e Mesme është “një çështje thellësisht personale për Blairin.” “Ajo vjen nga besimi i tij fetar dhe dëshira për t’u parë si një shërues – si dikush që ndërton ura, unifikon dhe ka guximin të hyjë në territore ku të tjerët nuk guxojnë.”
Sir John Jenkins, ish-ambasador në disa vende të Lindjes së Mesme, thotë se për Blairi “ka shumë punë të pambyllura në rajon” – një punë që “nuk mund të përfundojë kurrë.” “S’do ta quaja mesianik, por ka një optimizëm të pashuar tek ai, që në mungesën e çdo shprese tjetër në politikën perëndimore, nuk është domosdoshmërisht gjë e keqe.”
Në moshën 72-vjeçare, Blair nuk ka më asgjë për të humbur. Ai është shumë i pjekur për t’u manipuluar nga Trumpi, por e di se vetëm ai ka fuqinë për ta bërë planin e paqes realitet.
Kur deputetët laburistë e pyesin si mund të punojë me një republikan si Trumpi, ai përgjigjet thjesht: “Nëse arrijmë të ndalim luftën, do të kemi bërë diçka të mirë.” / The Observer – Bota.al