Analiza

Totalitarizmi 2.0

Screen Shot 2015-06-17 at 18.43.25

Nga Andrei Kolesnikov

Moskë – Në librin e tij të vitit 1970 “Ikja, Zëri dhe Besnikëria”, Albert Hirshman përmendte 3 opsione, që njerëzit kanë për t’iu përgjigjur pakënaqësisë ndaj organizatave, kompanive dhe shteteve: ata mund të largohen, të kërkojnë ndryshimin, ose t’i dorëzohen realitetit dhe bëhen palë me pushtetin.

Gjatë 45 viteve që pasuan, formula e Hirshman është zbatuar në mënyrë të dobishme në një grup shumë të gjerë kontekstesh. Gjithashtu, nëse e përdor për të kuptuar politikën aktuale ruse, merr njohuri të rëndësishme. Në vitet 2011-2012, shumë prej rusëve të mirë-arsimuar, dhe që jetonin në një mirëqënie relative, dolën në rrugë për të kërkuar një demokraci të vërtetë, duke shpresuar ta përdornin “zërin” e tyre, për të ndryshuar sistemin nga brenda.

Por, Vladimir Putini, i cili kishte marrë një mandat të madh elektoral për t’u rikthyer në presidencë për një mandat të tretë, nuk dëgjoi. Përkundrazi, ai e intensifikoi represionin. Kësisoj, kur Putini pushtoi dhe aneksoi Krimenë vitin e kaluar, kundërshtarët e hapur apo të fshehtë të tij, kishin dy opsione: daljen (emigrimi apo tërheqja në jetën private) ose shprehjen e “besnikërisë” (përmes qëndrimeve përkrahëse aktive, apo pasive e të heshtura).

Me pëlqyeshmërinë ndaj Putinit, që vazhdimisht i tejkalon 80 përqind, duket se shumica e rusëve kanë zgjedhur opsionin e fundit. Por, ashtu si në Bashkimin Sovjetik, kjo shumicë “besnikësh” përfshin një pjesë të madhe cinikësh – për të mos përmendur njerëzit që preferojnë të tërhiqen nga jeta qytetare – të cilët kanë lejuar që politika të debatohen në tryezën e kuzhinës ose në klube.

Ndërkohë, disa ekspertë ekonomikë dhe politikë, kanë krijuar organizma jozyrtarë për të zhvilluar planet për reformat e mundshme, në rast se regjimi aktual shembet.

Ngjashmëri të tjera me epokën  sovjetike, janë gjithashtu në rritje. Gjithnjë e më tepër, përkrahja pasive për Putinin dhe politikat e tij, nuk është më e mjaftueshme; regjimi kërkon shprehjen e miratimit të përzemërt, duke imponuar rregulla për sjelljen ndaj qeverisë.

Kjo të kujton vëzhgimin e politologut amerikan Zbigniev Brzhezhinski në vitet ’50, se regjimet totalitare (në kontrast me ato autoritare), vendosin si ndalime, ashtu edhe detyrime për qytetarët. Ellendea Proffer Teasly i bën jehonë kësaj pikëpamje, në autobiografinë e saj bestseller në gjuhën ruse “Brodski mes nesh”, duke vënë në dukje se sistemet totalitare kërkojnë jo vetëm bindjen, por edhe pjesëmarrjen.

Çfarë do të thotë ky imperativ në Rusinë bashkëkohore? Makina juaj – le të themi një Mercedes, për ata që jetojnë relativisht mirë – duhet të mbajë shiritin e Shën Gjergjit, një simbol i sapo riformuar i fitores së Rusisë në Luftën e Dytë Botërore. Çdokush në ushtri, shërbime të veçanta, apo në gjyqësor nuk duhet të udhëtojë jashtë vendit, ndërsa profesorët në universitetet publike, duhet të kërkojnë leje për të marrë pjesë në seminare dhe konferenca jashtë shtetit. Mësuesit duhet të vëndosin Krimenë në hartën e Rusisë, në një kohë që punonjës të kompanive shtetërore, janë të detyruar të marrin pjesë në mitingjet pro-qeveritare.

Refuzimi i kërkesave të tilla, mund të ketë pasoja serioze, ashtu siç ndodhte në epokën sovjetike. Si vëren Proffer,  Brodski u përpoq të “revoltehej kundër kulturës së ‘ne’, duke besuar se “një njeri i cili nuk mendon për veten e tij, një njeri që shkon me grupin, është pjesë e strukturës së keqe të totalitarizmit – ndaj dhe ai u dëbua nga Bashkimi Sovjetik në vitin 1972.

Putini nuk ka të ngjarë të jetë më shumë tolerant, ndaj mendimit ndryshe. Pesëmbëdhjetë vjet më parë, kur unë isha një kolumnist për ‘Izvestia’, gazeta kryesore e Rusisë në atë kohë, kam shkruar një artikull, duke e krahasuar rendin politik që ishte në zhvillim nën Putinin, me regjimin e Musolinit në Itali.

Artikulli nuk u botua – redaktori mendonte se paralelet që unë kisha hequr, ishin shumë të ashpra. Për fat të keq, parashikimi im nuk ishte i gabuar: Putini ka ndërtuar një version modern të shtetit korporatist, duke respektuar thuajse në mënyrë të përkryer formulën e Musolinit: “çdo gjë brenda shtetit; asgjë jashtë shtetit; asgjë kundër shtetit”.

Edhe pse Kushtetuta e Rusisë e ka pajisur sistemin e saj politik, me të gjitha tiparet e demokracisë, regjimi i Putinit i manipulon dhe i deformon ato, pothuajse përtej nevojës për të konsoliduar pushtetin e tij. Ai i përdor mediat si një mjet propagande, ndërsa ajo pak që mbetet e pavarur, shtyhet në kufijtë e zhdukjes. Ai kontrollon shumicën e organizatave të shoqërisë civile, ndërsa i  etiketon si “agjentë të huaj”,  ata që nuk i kontrollon dot.

Ndoshta dukuria më e përhapur, është ajo ku shteti rus nën Putinin, detyron mobilizimin politik të qytetarëve, duke e interpretuar mospjesëmarrjen si rezistencë ndaj regjimit. Në këtë kontekst, opsion i Hirshmanit “dalja” – të paktën në formën e “emigrimit të brendshëm”- s’mund të jetë aq në dispozicion sa mund të duket; pasi tek e fundit do të interpetohet lehtësisht si rezistencë.

Për të qenë të sigurtë, qytetarët rusë kanë lirinë për t’u larguar nga vendi, çka do të thotë se Putin nuk ka ndërtuar plotësisht një shtet totalitar – së paku jo ende. Por ambiciet e regjimit në këtë drejtim, nuk mund të mohohen. Ndoshta qasja e regjimit aktual, mund të përshkruhet më së miri si një “totalitarizëm hibrid”.

Teoricienia politike Hannah Arendt, shkroi se nën regjimet totalitare, shteti është e vetmja forcë që i jep formë gjendjes së shoqërisë. Putin mund të mos ketë mbëritur në atë pikë, por ai me siguri është duke lëvizur në atë drejtim. Dhe historia ofron arsye të mira, për të qenë të kujdesshëm ndaj një vendi, në të cilin besnikëria është i vetmi opsion.

Marrë me autorizim nga Project Syndicate, 2015. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate – Totalitarianism 2.0

Bota.al

Leave a Reply

Back to top button