Magazine

Traditat e martesave në disa vende të njohura. Vërtet të veçanta…

Itali

Dita

Në Itali, dasmat organizohen zakonisht të dielave. Sipas besimtarëve italianë, çiftet asnjëherë nuk duhet të martohen të martave, ose të premteve sepse fati i keq ka për t’i ndjekur përgjatë gjithë jetës së tyre. Është hedhur si ide edhe dita e shtunë për të zhvilluar dasma, por është thënë se dasmat e ditëve të shtuna rrisin mundësitë për tradhëti në çift.

Veshja

Në Itali, nuset mbajnë një brez të gjelbër rreth fustanit të tyre një ditë përpara dasmës që t’i sjellë fat, ndërsa ditën e dasmës duhet me patjetër ta mbajnë përpara fytyrës vellon e fustanit si shenjë të dëlirësisë, si dhe për ta mbrojtur veten nga shpirtrat djallëzorë. Dhëndri duhet të mbajë një metal në xhepin e pantallonave të tij gjatë ditës së dasmës për të tërhequr gjithë të këqijat me atë metal.

Aktivitetet

Nusja dhe dhëndri duhet ta bëjnë rrugën drejt kishës në këmbë, ndërkohë që patjetër dhëndri duhet të shoqërohet nga disa miq të tij, pasi ekziston si traditë që kur dhëndri del nga shtëpia ditën e dasmës, nuk duhet të kthehet më mbrapsht. Janë miqtë ata që mund të kthehen e të marrin gjërat që ai mund të ketë harruar në shtëpi, pasi kthimi pas në shtëpi konsiderohet si një fat i keq për çiftin. Pas ceremonisë, dhëndri dhe nusja duhet të thyejnë një vazo dhe duhet të bëjnë më të mirën e tyre, pasi numri i copave të vazos së thyer simbolizon vitet që ata do të jetojnë së bashku.

Ushqimi

Në vite ushqimi Italian është mbajtur si ndër më të pasurit dhe nuk ka sesi të mungojë një menu e pasur me antipasta, peshk, makarona, verë, ëmbëlsira në dasmat e tyre. Ata kujdesen që çdo gjë të jetë e shoqëruar me pak sheqer, sepse kjo simbolizon për ta një jetë të bukur dhe të ëmbël, ndaj të gjithë përpiqen të konsumojnë sa më shumë sheqer ditën e dasmës për ta “ndihmuar” çiftin në këtë drejtim.

Muzika

Dhëndri dhe nusja duhet të kërcejnë me të ftuarit një kërcim në rreth, i quajtur tarantella. Legjendat thonë se ky lloj kërcimi i ka mbrojtur njerëzit më parë nga helmimet prej merimangave, gjë që do të thotë se çifti kështu siguron mbrojtjen nga “helmet” e atyre që duan t’i bëjnë keq.

Shtesa

Nusja mban gjatë kërcimit një çantë të mëndafshtë, në të cilën njerëzit hedhin zarfat me lekë brenda. Në disa zona të Italisë, nuset e mbajnë këtë çantë rreth qafës së tyre në mënyrë që të ftuarit meshkuj të hedhin lekë në të, sa herë do të duan një kërcim me nusen.

 

 

Kinë

Dita

Në Kinë nuk ka një ditë fikse për martesat. Çiftet konsultohen me një astrolog që ai t’u caktojë një ditë “të mirë” duke u bazuar në shenjën e horoskopit kinez të tyre.

Veshja

Në shekuj, nuset kineze kanë veshur një fustan të kuq, të shndritshëm, të pasur me qëndrisje të ndërlikuara. Qipao quhet fustani i tyre i lirshëm në trup, me mëngë të gjata dhe qafë të lartë që u tregon nuseve vetëm fytyrën, këmbët dhe duart. Gjatë dasmës nusja ndërron disa fustane për të treguar pasurinë e familjes së saj.

Aktivitetet

Ditën e dasmës, dhëndri dhe shoqëruesi i dhëndrit duhet të shkojnë në shtëpinë e nuses. Jashtë shtëpisë së saj, i pret vetë nusja dhe shoqëruesja e saj. Aty bëhet një marrëveshje me lekë, ku dhëndri duhet të ofrojë sa më shumë lekë për të bindur nusen dhe shoqëruesen e saj që ta lënë brenda në shtëpi. Pasi bëhet marrëveshja, ata hyjnë dhe pihet çaj me prindërit e nuses.

Ushqimi

Dasmat kineze janë ngjarje ku familjet tregojnë se sa lekë kanë. Shërbehen mbi 10-12 pjata, vlera e të cilave mund të arrijë deri në 100 euro. Më parë konsumohej mishi i peshkaqenit, por pasi u vu re ndotja e mjedisit për të siguruar mish peshkaqeni, ky lloj ushqimi po zëvendësohet me mishin e dërrit.

Muzika

Të ftuarit, së bashku me çiftin, kërcejnë “kërcimin e luanit” ku vishen dhe maskohen si leopardë dhe përpiqen të bërtasin për të trembur shpirtrat e ligë.

Shtesa

Të ftuarit e shoqërojnë çiftin deri në dhomën e tyre të gjumit duke bërë sa më shumë zhurmë dhe duke i goditur ata (gjithmonë në kuadër të humorit). Më pas, disa edhe rrinë në dhomën e gjumit me çiftin, derisa arrin momenti kur duhet të dalin për të mos shkelur privatësinë e tyre.

 

Meksikë

Dita

Në Meksikë dasmat mund të zhvillohet në çdo ditë, por vetëm përgjatë verës.

Veshja

Nuset meksikane nuk kanë një veshje standarde. Veshja e tyre varet nga besimi, që nga një fustan i thjeshtë, i bardhë, e deri tek një fustan në ndonjë ngjyrë tjetër i pasur me qëndisje të shumta. Gjithmonë nuset duhet të qepin në ndërresat e shtratit martesor tre shirita, të parin në ngjyrë të verdhë, të dytin blu dhe të tretin të kuq. Këto ngjyra simbolizojnë ushqimin, paratë dhe pasionin në Meksikë. Dhëndri vishet thjeshtë, me kostum dhe me këmishë ose bluzë të hollë të bardhë, të përshtatshme edhe për temperaturat e larta në verë në Meksikë.

Aktivitetet

Gjatë ceremonisë, dhëndri i jep nuses 13 monedha të quajtura “arras” që simbolizojnë Krishtin dhe 12 dishepujt e tij. Gjatë ceremonisë, prifti urdhëron shoqëruesit e dhëndrit dhe nuses të formojnë numrin 8 me një rrip përreth qafës së dhëndrit dhe nuses. Numri 8 horizontalisht nënkupton shenjën e infinitit (pafundësisë) që simbolizon edhe jetën e gjatë së bashku të çiftit.

Ushqimi

Oriz me erëza, bathë dhe tortillas janë ushqimet që shoqërojnë dasmat meksikane. Keku tradicional meksikan i dasmave përgatitet me fruta të thata dhe me shumë arra.

Muzika

Muzika në dasmat meksikane sigurohet nga grupet e muzikës tradicionale dhe të serenatave meksikane të quajtura “Mariachi”, kurse kërcimi quhet “la Marcha” dhe të ftuarit duhet të ndjekin ritmin sado të çuditshëm të dhëndrit dhe nuses.

Shtesa

Shoqërueset e dhëndrit dhe nuses të quajtura edhe “madrinas” (kumbara), duhet të organizojnë gjithçka në lidhje me dasmën. Ato duhet edhe të përgjigjen në çdo moment për kërkesat e çiftit, si dhe të zgjidhin mosmarrëveshjet që mund të ketë çifti pas marteses.

 

Suedi

Dita

Me rreth 20 orë diell në ditë, çdo ditë e verës konsiderohet e bukur për të realizuar një dasmë në Suedi.

Veshja

Një kurorë me lule në kokën e nuses simbolizon virgjërinë e saj. Ajo kurrsesi nuk duhet të dalë nga shtëpia pa një monedhë ari nga i ati në këmbën e saj të djathtë, dhe nga një tjetër prej bronzi nga e ëma në këmbën e saj të majtë.

Aktivitetet

Në disa zona të Suedisë, nusja dhe shoqërueset e saj duhet të veshin edhe rroba zije dhe të mbajnë në duar buqeta me lule për të trembur shpirtrat e ligë. Ndërkohë, nusja dhe dhëndri duhet të hyjnë bashkë në kishë dhe personi që e hedh i pari këmbën në pragun e kishës, thuhet se do të jetë lideri i çiftit.

Ushqimi

Ushqimet e dasmave suedeze shtrohen për tri ditë rresht dhe përfshijnë padyshim produktet e peshkut, reçelin e qershisë dhe qoftet suedeze të servirura me makarona, ose oriz.

Muzika

Gjatë darkës, të ftuarit duhet të këndojnë ndonjë këngë për çiftin, mundësisht duke e shoqëruar edhe me violinë. Nga ana tjetër, çdo i ftuar duhet të mbajë një fjalim me urimin e vetë për çiftin.

Shtesa

Një nuse suedeze nuk merr dy unaza nga dhëndri, siç ndodh edhe në vendin tonë, pra një në fejesë dhe një në martesë. Ajo merr tre unaza nga bashkëshorti, një gjatë fejesës dhe dy gjatë dasmës. Njëra prej tyre do të jetë për martesën dhe tjetra mendohet se sjell fat që nusja të mbetet sa më shpejt shtatzënë.

Leave a Reply

Back to top button