Analiza

Tragjedia e vërtetë e presidentit të parë afro-amerikan

Nga Markus Feldenkirchen
Holger Stark

Demonstrator sits in front of a street fire during a demonstration following the grand jury decision in the Ferguson, Missouri shooting of Michael Brown, in Oakland, California

Vrasjet policore të disa të rinjve me ngjyrë në Ferguson dhe Cleveland kanë trazuar jo pak njerëz në SHBA. Ngjarjet tragjike dëshmojnë edhe njëherë sesa të thella mbeten rrënjët e ndarjes sociale mes zezakëve dhe të bardhëve. Shumëkush ushqeu shpresën se presidenti Obama do të mund të ndryshonte diçka. Mbrëmjen që pasoi trazirat e dhunshme në qytet, një burrë me një xhup të zi lëkure dhe veladonin e bardhë të priftit po endej rrugëve të Fergusonit në Missouri. Ai tundte kokën me vehte dhe me mundim shmangte lotët. Sërish burra dhe gra me ngjyrë po qëndronin përballë policëve të bardhë arrogantë tek stacioni i policisë. Ata duken si ushtarë në luftë. “Nuk ka për të marrë fund kurrë” – thotë burri, një pastor me ngjyrë i quajtur Alvin Herring. Ai ka mbështetur protestat që në fillimin e tyre në muajin gusht, madje përpara se oficeri i bardhë i policisë Darren Wilson të qëllonte për vdekje 18-vjeçarin e paarmatosur me ngjyrë, Michael Brown. “Një plagë e thellë gërryese është hapur në zemër të kulturës dhe shoqërisë amerikane” – shton Herring. Racizmi sistematik me të cilin këta të rinj përballen çdo ditë, i ka zemëruar jo pak – vijon Herring. “Është e pamundur për ta që të ndihen të dashur apo të respektuar. Ata nuk besojnë më se janë të nevojshëm, apo se jetët e tyre vlejnë diçka”.
Ekzaktësisht në këtë moment 8 oficerë policie mësyjnë mbi njeriun me ngjyrë dhe e largojnë atë nga grupi i protestuesve, duke e akuzuar për hedhjen e një shisheje plastike në drejtim të forcave të sigurisë. Policët iu hodhën përsipër, i vunë prangat e pasi ia shtypën kokën pas asfaltit, e ngritën dhe më pas e çuan në stacion. Qëkurse protestat kanë filluar disa muaj më parë, pastori Alvin Herring ka shpresuar se Barack Obama, presidenti i parë amrikan me ngjyrë do të vizitonte Fergusonin. Herring thotë se duke kryer këtë udhëtim, Obama do të kishte dërguar një mesazh të fuqishëm se ai e kupton frustrimin e të rinjve me ngjyrë.
Shpresat e venitura
Në këtë mbrëmje, ku çdokush mund të shohë sesi kjo qytezë e veriut të Sant Louisit po fundoset sërish në dhunë, Herring kritikon kujdesin e tepruar të presidentit Obama. “Presidenti është me tepër i kujdesshëm se ç’duhet, është tepër hezitues” – shprehet ai. “Presideti duhet të ishte sonte në Ferguson. Ai duhet të tregonte më shumë mirëkuptim”. Herring vë në dukje se shumë afro-amerikanë mendojnë për presidentin e tyre dhe kjo jo vetëm kur juria e madhe popullore e mbizotëruar nga të bardhët, vendosi të refuzojë ndëshkimin e policit që qëlloi mbi Michael Brownin. As atëherë kur vendimi i kësaj jurie revoltoi dhe nxorri në rrugë dhjetëra-mijëra zezakë në mbi 170 qytete amerikane. Popullsia me ngjyrë e SHBA ka patur prishtmëri të larta për “presidentin e tyre”. Kur votuan në zgjedhjet e 2008-ës dhe 2012-ës, ata patën ndjesinë se në njëfarë mënyre erdhi momenti i tyre. Kurrë më parë njerëzit me ngjyrë nuk u dyndën masivisht drejt kutive të votimit, sesa në dy zgjedhjet e fundit presienciale. Sa më tepër që koha kalon edhe në Shtëpinë e Bardhë ata shpresojnë që gjërat më në fund do të shkojnë në drejtimin e duhur. Në mars të vitit 2008, kur Barack Obama, asokohe një kandidat për president mbante një fjalim mbi racizmin, ai përgjante me dikë që mund të bashkonte vendin. Por në nëntor të këtij viti, Obama në kundërshtim me synimet e tij, është presidenti i një vendi që është edhe më i ndarë se më parë. Për më tepër, një ndër vendet me ndarjen më të thellë mes të bardhëve dhe njerëzve më ngjyrë. Kjo është tragjedia e vërtetë e presidentit të parë afro-amerikan të SHBA-ve. Kur Obama shpërndau një deklaratë për mediat nga Shtëpia e Bardhë mbi vendimin e jurisë së madhe popullore, ai dukej më tepër i pashpresë se kurrë ndohjëherë gjatë presidecës së tij. Ndërsa u bëri thirrje njerëzve me ngjyrë në Ferguson që të qëndronin të qetë, dyqanet e para në qytezë ishin duke u thyer dhe atyre u ishte vënë flaka. Komentet e tij u perceptuan çuditërisht si aspak frymëzuese dhe jo mirëkuptuese, a thua se ai ishte në prag të dorëheqjes nga detyra. Sigurisht që shumë nga pratikat diskriminuse që përjetojnë zezakët në SHBA janë larg kontrollit të Obamës. Sistemi federal në SHBA nënkupton që ai ka pak influencë në sjelljen e policisë lokale, apo mbi gjykatat popullore të shteteve të veçanta. Në raste të tilla Obama mundet vetëm të lëshojë thirrje, një gjest që shumë zezakë besojnë se ai e ka bërë shumë pak herë. Të para nga këndvështrimi i Shtëpisë së Bardhë, megjithatë shpesh janë kundërproduktive.
Më pak para, edukim, influencë …
“Fergusoni shënoi fundin e epokës Obama” – shprehet Cornel West, profesor në universitetin Princeton dhe një lider në lëvizjen intelektuale afro-amerikane. Është një fund i trishtuar – shton më tej West. “E filluam me shpresa të mëdha dhe po e mbyllim me një zhgënjim të thellë”. Obama – thotë ai, nuk bëri asgjë për të vendosur një sisem drejtësie që pengon çdo lloj gjykimi të paanshëm e të ndershëm ndaj të rinjve me ngjyrë. Profesori thekson më tej se presidenti Obama mbart mallkimin e “racës dhe luftës së klasave”, që po kryhet kundër zezakëve. Të shtënat në Ferguson janë shndërruar në një rrezik për paqen sociale në një vend që dikur vetëlavdërohej se ishte një pikëtakim i kulturave të ndryshme që ishin shkrirë me njëra-tjetrën, një përzierje ku të bardhët në SHBA e shihnin se nuk bënin pjesë. Për pasojë SHBA është sot një tokë e ndarë me një elitë udhëheqëse të bardhë dhe një popullatë afro-amerikane që ka tendencë të ketë më pak para, arsim dhe për pasojë, edhe më pak ndikim. Në shumë zona, zezakët po tejklalohen në numër nga popullata gjithnjë në rritje e hispanikëve. Të gjithë e dinë se SHBA ka shumë vip-a zezakë sidomos në fushën e showbiz-it apo sportit dhe që prej 2009 ka madje edhe një president me ngjyrë. Pavarësisht këtij fati, shumë njerëz me lëkurën e errët, janë larg të shijuarit të një barazie të vërtetë. Pesëdhjetë vjet pas refromave të gjithanshme të ndërmarra nga presidenti Lyndon B. Johnson që sanksionoi në ligje barazinë formale për zezakët, hendeku social mbetet sërish mjaft i dukshëm.
Racizmi institucional
Ajo që e përkeqëson më tepër situatën është diskriminimi i praktikuar nga institucionet shtetërore në formën e zbatimit të ligjit. Për shembull, shanset që një i ri me ngjyrë do të qëllohet për vdekje nga policia, janë 21 herë më të mëdha sesa për një të ri të bardhë. Vdekja e 18-vjeçarit Michael Brown është larg të qënit normale. Vetëm 10 ditë më parë një 12-vjeçar u qëllua dhe u vra nga një oficer policie në Cleveland sepse ai ishte duke luajtur në rrugë me nje pistoletë lodër. Protestat e shtrira anekënd vendit nga komuniteti afro-amerikan dëshmojnë se mosbesimi mes zezakëve dhe të bardhëve mbetet po aq i thellë sa dhe para 51 viteve, kur Martin Luther King Jr. mbajti fjalimin e tij të famshëm “Unë kam një ëndërr”. Shumë policë të bardhë i shohin të rinjtë me ngjyrë si një rrezik kryesor për sigurinë publike dhe që për këtë arsye duhet që të ndalen edhe nëse për këtë duhet të qëllohet me armë ndaj tyre. Nga ana tjetër në sytë e shumë njerëzve me ngjyrë, policë të bardhë si Darren Wilson nuk janë asgjë më tepër sesa vrasës racistë. Kur juria e madhe të hënën që shkoi, vendosi që të mos fillojë një hetim ndaj 28-vjecarit Wilson, shumë afro-amerikanë e panë këtë si një provë se ata nuk mund të presin drejtësi nga ky shtet dhe gjykatat e tij. Çështja në fjalë u shqyrtua nga një prokuror i bardhë që ka patur namin e mbrojtjes së policisë me çdo kusht. Në vend të një hetimi profesional, Wilson u lejua të kalojë 4 orë duke treguar variantin e tij të ngjarjes. Nëse qëllimi ishte të shkatërrohej përfundimisht grima e fundit e besimit që zezakët kanë ndaj sistemit të drejtësisë, atëherë juria e madhe në rastin “Brown” ka kryer një punë të shkëlqyer. Kur vendimi i jurisë së madhe u shpall, dhjetëra dyqaneve në Ferguson iu vu flaka ndërsa mbi 1 mijë zezakë u përleshën në rrugë me policinë. Këto skena u përsëritën disa netë me rradhë. Në njërën anë të rrugës, përballlë dhe anash stacionit të policisë është godina e Gardës Kombëtare, ku shumica e efektivit janë njerëz të bardhë. Ata janë të pajisur me mburoja dhe një armatim të tillë që duket se do të mbrojnë Fergusonin nga talebanët. Guvenatori i Missouri-it angazhoi 2.100 trupa të Gardës Kombëtare, vetëm në një mbrëmje përleshjesh. Ndërkohë në anën tjetër të rrugës “South Florrissant” ndodhen të rinjtë me ngjyrë të Fergusonit. Ata mbajnë në duar parrulla si “Jeta e zezakëve ka rëndësi” dhe “Pa drejtësi, nuk ka paqe”. Disa prej tyre janë mbi 30-vjeç. Gjestet e tyre nxjerin në pah urrejte dhe fraza “në djall…” përdoret gjithëkund e kombinuar në fjalë si policia, sistemi gjyqësor, qeveria dhe pushteti. Në gusht fytyra të tilla dukeshin ndryshe: të hutura megjithatë plot me shpresë se diçka e mirë do të vinte pas vdekjes tragjike të Michael Brownit. Kishte shpresë së ndryshimi ishte rrugës.
“Nëse ne nuk shkatërrojmë … ata nuk do të na kushtojnë vëmendje “
Një nga protestuesit kishte mbulluar fytyrën me një shall dhe kapelen e kishte ulur nën sy për të mos u identifikuar. Ai qëndron i ulur mbi asfalt dhe ankohet: “Ata na komandojnë ne kudo dhe na vrasin si të ishim qen!”. 25-vjeçari do të etiketohet si “Majk Monstra” duke theksuar se dëshiron që të mbetet anonim për shkak se kishte vendosur atë mbrëmje që t’i kundërvihej sistemit të rregullave dhe ligjeve, me të cilat ai nuk identifikohet më. Në gusht – thotë ai – kam protestuar paqësisht. Por tani ai është gati për dhunë. “Nëse ne nuk e kthejmë gjithcka përmbys, nëse ne nuk i vëmë zjarrin gjithçkaje, ata nuk do të na përfillin” – thotë duke shtuar: “Na nevojitet një revolucion”.”Nuk mund të ndalni revolucionin” – përsërit turma e njerëzve pranë tij. Një thënie e Thomas Jeffersonit është shkruar në asfalt para stacionit të policisë: “Kur padrejtësia shndërrohet në ligj, rezistenca kthehet në një detyrë”. Është një parrullë që shumë vetë në Ferguson e kanë mjaft për zemër. ”Marley’s Bar & Grill”, restoranti i vetëm që mbeti i hapur pavarësisht revoltës, ndodhet vetëm 500 metra larg nga stacioni i policisë, por atje është një botë tërësisht e ndryshme. Të 15 personat që gjetëm ulur ishin të bardhë. Tre prej ekraneve televizivë po transmetonin një ndeshje të hockey-it në akull, ndërsa vetëm njëri ishte sintonuar tek CNN. Papritur një lajm i orës së fundit u shfaq në ekran: “Ferguson, sulmohet makina e policisë”. Zërat në bar filluan që të ngrihen. “Ata janë të çmendur. Më në fund duhet të mësojnë sesi të sillen” – shprehet me mllef një grua. “Tamam kafshë” – shton partneri i saj në tavolinë. Në historinë e SHBA, dhuna rallë ka shtruar rrugën drejt fitimit të të drejtave politike nga ana e njerëzve me ngjyrë . Kur një skllave e arratisur Shadrach Minkins u kap në Boston në vitin 1851 dhe po gjykohej sipas ligjit të kohës, kundërshtarët e skllavërisë hynë me forcë në sallën e gjyqit, duke sulmuar policët dhe liruar Minkins. Ky incident shënoi fillimin e ndryshimit të qëndrimit ndaj skllavërisë. Por edhe lëvizjet pacifiste si dhe gjykatat kanë luajtur njën rol në këtë drejtim. Refuzimi i Rosa Parks për t’i liruar vendin një të bardhi në autobus në 1 dhjetorin e vitit 1955 dhe qe çoi më pas në vendimin historik te Gjykatës së Lartë se diskriminimi në transportin publim ishte antikushtetues, është një shembull. Por ishte lëvizja për të drejtat e njeriut e drejtuar nga Martin Luther King Jr. që arriti mbase fitoren më të madhe përsa i përket barazisë racore në formën e një ligji të vitit 1964, duke përdorur protestat paqësore dhe mosbindjen civile. Por edhe në ato kohë, brenda lëvizjes kishte një rrymë që predikonte dhunën e përfaqësuar nga Malcolm X dhe ndjekësit e tij. /DER SPIEGEL/
FUNDI I PJESES SE PARE (vijon)
PERGATITI: A.GOCE/www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button