Kinema & TV

Tre filma që ndihmojnë për të gjetur vetveten

Kush nuk e kalon një pjesë të kohës duke parë seriale apo filma? Shikimi i historive që tregohen në ekranin e vogël ose të madh është një nga argëtimet e preferuara të ditëve të sotme. Në shumicën e rasteve, ky zakon nuk shkon përtej argëtimit, por me qasjen e duhur mund të jetë një mjet i dobishëm për të gjetur veten.

Në varësi të asaj që shohim ose sa analitikë jemi, do të jetë e mundur të bëjmë reflektime ose ekstrapolim të mësimeve që do të na shërbejnë edhe pasi e kemi parë filmin. Ju ftojmë të bëni pikërisht këtë me filmat që shfaqim në këtë artikull.

Një film i mirë është në gjendje të na motivojë, të na frymëzojë dhe të na shtyjë të ndryshojmë. Për këtë arsye, herën tjetër që do të vendosni të keni një natë filmi, merrni parasysh këta tituj. Do ju ndihmojnë për të reflektuar dhe gjetur veten.

3 filma për të gjetur veten

1- Yes Man

Jim Carrey, një aktor i famshëm për rolet e tij komike, është protagonisti i këtij filmi që frymëzon motivim. Protagonisti, Carl, është në depresion pasi bën një jetë që nuk i pëlqen. Është lodhur nga puna, gruaja e ka lënë për një burrë tjetër dhe mbrëmjet i kalon vetëm në shtëpi duke parë televizor.

Sidoqoftë, gjithçka ndryshon kur ai pothuajse e detyron veten të marrë pjesë në një seminar të rritjes personale. Me këtë rast ai bën një “marrëveshje me Universin” e cila e detyron të thotë po për çdo mundësi që i paraqitet. Që nga ky moment jeta e tij do të bëjë një kthesë 180 gradë.

Yes Man është një film për të gjetur veten, sepse na kujton se sa e rëndësishme është të rrezikosh dhe të veprosh. Është shumë e lehtë të ndjehesh një me protagonistin. Ky pozicion ekstremist do t’i paraqesë atij sfida dhe aventura që përndryshe as që do t’i kishte menduar.

2- Jeta e fshehtë e Walter Mitty-t

Walter është ai tipi klasik të cilit askush nuk do t’ia hidhte sytë dy herë.  Ai bën një jetë të ankoruar në monotoni, me një punë që i pëlqen, por që nuk i ofron shumë stimuj. Për të mos rënë pre e mërzisë, ai shpesh fantazon për situata në të cilat ai është heroi. Por fantazia mbetet në mendjen e tij dhe nuk ia hap kurrë derën realitetit.

Papritur, një problem në punë e shtyn atë të ndërmarrë risqe dhe ai nis një udhëtim të pabesueshëm në cepa të ndryshme të botës për të shpëtuar revistën ku punon. Si një njeri anonim dhe i frustruar, ai kalon gjysmën e planetit dhe përballet me të gjitha llojet e vështirësive. Kjo do t’i japë vetëbesim të madh dhe do të kthehet në shtëpi një person krejtësisht i ndryshuar.

Jeta e fshehtë e Walter Mitty-t është një film që ofron një pikënisje për reflektim personal, duke qenë se ndjesia që na jep protagonisti është e njohur për ne. Kush nuk ëndërron të ketë aventura dhe të çlirohet nga rutina? Falë rrugëtimit të tij dhe peizazheve të pabesueshme që shfaqen para syve tuaj, është e pamundur të mos ndjeni shtytjen, shkëndijën që do t’ju bëjë të gjeni veten dhe që do t’i japë një ndryshim historisë tuaj personale.

3- Into the Wild – Në tokat e egra

E përfundojmë listën tonë të filmave për ta gjetur veten me atë që është ndoshta një nga titujt më frymëzues. Tek Into the Wild, ne shohim historinë e Christopher McCandless, një të riu që u rrit nën syrin vigjilent të prindërve të tij. Ai mban mbi supe peshën e presioneve sociale, duke përfshirë edhe diplomimin në një universitet prestigjioz, por përfundon duke vendosur se jeta për të cilën është përgatitur gjithmonë nuk është për të.

Me një çantë shpine dhe disa kursime, i riu nis një udhëtim epik që e çon në tokat e pakufishme të Alaskës. Gjatë rrugës, ai do të takojë lloj-lloj njerëzish dhe do të përjetojë situata shumë të ndryshme, të cilat do ta ndihmojnë të rritet si individ dhe të zbulojë se kush është në të vërtetë.

Nuk është rastësi që Into the Wild është kthyer në një film kult për njerëz të të gjitha moshave. Filmi është plot emocione, pozitive dhe negative. Udhëtimi i McCandless shpërfaqet me një mjeshtëri të tillë sa të provokojë një univers të pafund ndjesish mes të cilave sigurisht nuk ka indiferencë. Është një sulm ndaj mediokritetit dhe konformitetit që mund të japë shtytjen që ju nevojitet për të bërë një ndryshim në jetën tuaj. / bota.al

Back to top button