Analiza

Tre fytyrat e Presidentit Obama

Thomas L. Friedman

Barack ObamaBarak Obama është i pari president që akuzohet se brenda të njëjtit muaj, ka vepruar si Poliana, Xhon Uejni dhe Henri Kisingeri.

Që kur Vladimir Putini hodhi kanxhat e tij në Krime, konservatorët kanë denoncuar presidentin Obama si një politikan që nuk e vlerëson se cfarë është në të vërtetë një botë e pamëshirshme Hobeziane. Ai është një Polianë – gjithmonë kërkon anën e mirë të njerëzve. Ndërkohë, liberalët e kanë sulmuar Obamën, për faktin që e bën me kënaqësi të madhe “shkrepjen” e armëve të avionëve pa pilot, pasi ka urdhëruar vrasjen e shënjestruar nga ajri të qindra individëve. Ai është Xhon Ueini, në kërkim të vënë drejtësi kundër atyre që kanë dëmtuar, ose po planifikojnë të dëmtojnë, SHBA. Dhe si për t’i kompletuar gjërat, Obama është kritikuar nga ata në të majtë se është një hiper-realist Kisingerian, i kënaqur të shohë regjimin sirian tek shtyp popullin e tij, për arsye se, sado tragjike që kjo është, interesat e Amerikës atje janë minimalë.

Nuk mund të jetë e lehtë të jesh Poliana, Xhon Uein dhe Henri Kisinger në të njëjtën kohë. Atëherë, me të vërtetë, kush është Obama në politikën e jashtme? Do të thoja më pak Polianë nga sa pretendojnë kritikët e tij, më shumë Xhon Uein dhe Henri Kisinger nga sa ai është gati ta pranojë, por sërish i papërcaktuar, kur vjen fjala tek sfidat më të mëdha të lidershipit në politikën e jashtme – që shkojnë përtej Krimesë, por që rrijnë fshehur mu prapa horizontit.

Nëse Obama ka qenë një luftëtar hezitues në Krime, kjo ndodh sepse ajo ka qenë për një kohë të gjatë pjesë e Rusisë dhe është vendndodhja e një baze detare ruse, dhe një pjesë e madhe e popullit të saj simpatizon Rusinë. Obama kishte të drejtë që vendosi sanksione të kufizuar në përgjigje të marrjes së Krimesë nga Putini, si dhe që u përpoq të përdorë ftohtësisht diplomacinë për të ndalur një luftë më të gjerë për Ukrainën – sepse mbi Putinin po veprojnë dhe forca të tjera. Mos nënvlerësoni sa budalla e ka nxjerrë veten Putini këtë fundjavë që kaloi në Krime – në sytë e gjithë botës – dhe sa shumë do i kthehet kundër Rusisë, monedha dhe tregjet e aksioneve të të cilës janë duke pësuar goditje si pasojë e aventurës Krimeane të Vladimir Putinit.

Putini ka organizuar brenda natës një referendum për të ardhmen e Krimesë – pa i dhënë aspak kohë kundërshtarëve të bëjnë fushatë. U mbajt nën një pushtim ushtarak rus, në shkelje të Kushtetutës së Ukrainës, praktikisht me dy zgjedhje në fletëvotim: “Votoni 1 nëse doni të bëheni pjesë e Rusisë. Votoni 2 nëse VERTETE doni të bëheni pjesë e Rusisë”.

Dhe nëse Obama ka qenë një realist Kisingerian në hezitimin e tij për t’u futur në luftën civile të Sirisë, apo Ukrainën, kjo ndodh sepse ka mësuar nga Iraku dhe Afganistani, që ekzistenca e të këqinjve në këta vende nuk do të thotë domosdoshmërisht që kundërshtarët e tyre janë të gjithë të mirë. Shumë udhëheqës në gjithë këta vende rezultuan më të interesuar të përdorin lirinë e tyre për të zhvatur, se sa për të cliruar. Nëse në Siri dhe Ukrainë do të shfaqeshin reformatorë të vërtetë, ne do të duhej t’i ndihmonim, ndryshe nga Senatori John McCain, shumica e amerikanëve nuk janë më të gatshëm që t’ua hedhë cdokush që thjeshtë këndon këngën tonë (shihni fjalorin për Hamid karzain), dhe tani ata nuk duan që të paguajnë faturat e gazit dhe paketat e shpëtimit për shtete që as nuk i kuptojmë.

Sa për Obamën si Xhon Uejni, “avioni më i shpejtë pa pilot në perëndim”, cdo president amerikan ka nevojë për pak nga kjo në botën e sotme, ku tashmë kemi legjione të tërë njerëzish të zemëruar që duan të keqen e Amerikës dhe që kanë në përdorim raketëhedhës dhe jetojnë në vende pa qeveri.

Kështu që unë nuk kam problem me Obamën si Xhon Uejni apo Henri Kisingeri. Nëse do ta kritikosh, apo vlerësosh për politikën e jashtme, testi ka dy kategori: 1. Sa i mirë është ai për të udhëhequr nga pas për Ukrainën? 2. Sa i mirë është ai për të udhëhequr nga përpara për Rusinë, Iranin dhe Kinën?

Ndoshta në terma afatshkurtër, Krimeja nuk mund të shpëtohet prej Putinit, por ne nuk duam që ai të shkojë përtej Krimesë dhe të përthithë pjesët e Ukrainës lindore ku banojnë rusofonë. Duhet të jemi të gatshëm t’i ofrojmë armë qeverisë ukrainase për të mos e lejuar të ndodhë. Por të mos harrojmë asnjëherë faktin se mbajtja e Ukrainës larg nga kthetrat e Rusisë do të varet prej aftësisë së ukrainasve për t’u bashkuar në mënyrë të tillë, që është gjithëpërfshirëse për shumicën, që e sheh të ardhmen në BE, dhe pakicën e rusofonëve që ende ndiejnë simpati për Rusinë.

 

 

 

Nëse drama e Ukrainë vë përballë një Ukrainë të bashkuar, kundër një Putini që pëpriqet me forcë të ri-integrojë Ukrainën në perandorinë ruse, Putini do të humbë. Por nëse ukrainasit janë të ndarë, nëse partitë hiper-nacionaliste dominojnë dhe prorusët armiqësohen, Putini do ta diskreditojë lëvizjen për Ukrainën e lirë dhe do të shfrytëzojë ndarjet për të justifikuar ndërhyrjet e tij. Atëherë ndihma jonë do të ishte e kotë. Nuk i ndihmojmë dot, nëse nuk ndihmojnë vetveten. Ukrainasit kanë humbur tashmë një cerek shekulli duke mos u bashkuar, sic bëri Polonia.

Tre cështjet e mëdha ku Obama duhet të udhëheqë nga përpara janë: ndryshimi i karakterit të qeverisë ruse, parandalimi i Iranit nga sigurimi i një arme bërthamore, dhe parandalimi i një lufte në Detin e Jugut të Kinës, mes Pekinit dhe Tokios. Kinën dhe Iranin do i ruaj për më vonë.

Por në lidhje me Rusinë, unë e kam kundërshtuar me forcë zgjerimin e NATO-s sepse atëherë mendoja, dhe vazhdoj të mendoj, që nuk ka asnjë problem të madh gjeopolitik që ne mund ta zgjidhim pa bashkëpunimin e Rusisë. Kjo kërkon një Rusi e cila nuk e përcakton madhështinë e saj duke na u kundërvënë ne dhe rikrijuar perandorinë sovjetike, por duke cliruar madhështinë e popullit të vet. Eshtë gjithnjë e më e qartë që kjo nuk do jetë asnjëherë Rusia e Putinit, e cila është një mishërim i korrupsionit, represionit, dhe marrëdhënies “me shumë zero” me Perëndimin. Putini po e kërkon tani dinjitetin për Rusinë në të gjithë vendet e gabuar. Por vetëm populli rus mund ta zëvendësojë putinizmin.

Mënyra si SHBA dhe BE mund të ndihmojnë, dhe kjo do kërkojë kohë, është duke hartuar politika të reja energjetike që do të zvogëlojnë varësinë e Europës nga gazi rus – qumështi i nënës i Putinizmit. Por edhe ne amerikanët duhet të punojmë më shumë për ta bërë vendin tonë një shembull imponues të kapitalizmit dhe demokracisë, dhe jo thjeshtë këmishën më të pastër (ndër ato të pista) të botës kur flitet për ekonomi, dhe jo demokracinë më të mirë që mund të blejë paraja, kur vjen fjala për politikën tonë.

International New York Times

Linku i artikullit origjinal:

Leave a Reply

Back to top button