Analiza

Tre ngjarje që i dhanë formën botës sonë

Martin Wolf

martin wolfKëtë vit është 100-vjetori i fillimit të Luftës së Parë Botërore, 70-vjetori i Ditës së zbarkimit të Aleatëve në Normandi dhe 25-vjetori i shembjes së perandorisë sovjetike, si dhe shtypjes së përgjakshme të protestave në Sheshin e Tiananmenit. Njëqind vjet më parë, rendi i brishtë i Europës u shpërbë. Shtatëdhjetë vjet më parë, demokracitë nisën një sulm kundër Europës totalitare. 25 vjet më parë, Europa u bë më në fund një e tërë dhe e lirë, ndërkohë që Kina zgjodhi ekonominë e tregut dhe partinë-shtet. Ka një çerek shekulli që jetojmë në një epokë kapitalizmi global. Por, trysnitë politike dhe ekonomike të një epoke të tillë janë sot më se të dukshme.

Në vitin 1913, Europa Perëndimore ishte qendra ekonomike dhe politike e botës. Ajo gjeneronte një të tretën e prodhimit botëror (qoftë edhe duke e matur me paritetin e fuqisë blerëse, që rrit pjesën e vendeve të varfër mbi ato të normave të këmbimit të tregut). Perandoritë europiane kontrollonin pjesën më të madhe të botës, në mënyrë direkte ose indirekte. Biznesi europian dominonte tregtinë dhe financën botërore. Ndërkohë që SHBA kishte më të madhen ekonomi kombëtare të integruar, ajo mbetej gjithësesi në periferi.

Ky realitet u “hodh në erë” prej rivaliteteve mes fuqive të mëdha. Lufta solli revolucionet komunistë në Rusi (dhe të tjerët). Ajo e zhvendosi ekuilibrin e fuqive përtej Atlantikut. Ajo e la stabilitetin e ekonomisë globale në mëshirë të SHBA, që tashmë ishte kredidhënësi kryesor i botës. Lufta i dobësoi fuqitë e vjetra perandorake. Ajo shkatërroi vetëbesimin e Europës. Më tej, Depresioni i Madh, nazizmi dhe Lufta e Dytë Botërore bënë atë që nuk kishte bërë Lufta e Parë Botërore. Kur erdhi zbarkimi në Normandi, ekonomia e botës ishte shpërbërë tashmë, Europa ishte në gjunjë dhe Holokausti i neveritshëm po vazhdonte. Katastrofa ishte e plotë.

Suksesi i zbarkimit të Aleatëve në plazhet e Normandisë garantoi që fitorja në Europë nuk do i përkiste vetëm një fuqie totalitare. Nën mbrojtjen e SHBA, do të dilte një Europë Perëndimore e lirë dhe demokratike. Ndarja e pasluftës në Europë ishte një tragjedi, ndonëse e pashmangshme: SHBA nuk mund të luftonte Bashkimin Sovjetik, menjëherë pas aleancës që kish patur me të. Por, SHBA tashmë e angazhuar, mbrojti lirinë e Europës perëndimore përmes NATO-s dhe nisi procesin e riintegrimit të ekonomive europiane dhe transatlantike përmes Planit Marshall, Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik në Europë dhe Marrëveshjes së Përgjithshme për Tarifat dhe Tregtinë. Ndërkohë, krijimi i Komunitetit Europian të Çelikut dhe Qymyrit me 6 anëtarë në viti 1951, hapi rrugën për Bashkimin Europian 28-anëtarësh që kemi sot.

Një prej fryteve më të rëndësishëm të ngjitjes së SHBA dhe kolapsit material e moral të Europës ishte fundi i perandorive të mëdha. Pothuajse të gjithë shtetet e rinj e të pavarur – armiqësorë ndaj ish fuqive koloniale, të prekura prej Depresionit të Madh dhe të impresionuara prej suksesit të Bashkimit Sovjetik të Stalinit – zgjodhën të ndjekën një industrializim duke u mbyllur brenda, i shtyrë përpara prej zëvendësimit të importeve. Kina, që ra nën kontrollin komunist në vitin 1949 ishte veçanërisht entuziaste për vetëmjaftueshmërinë. Por India, ndonëse demokratike, zgjodhi gjithashtu planifikimin dhe shtetëzimin e zgjeruar. Të njëjtën gjë bënë edhe shumë shtete në zhvillim të Amerikës Latine.

Ndërkohë që viti 1989 nuk është i vetmi vit që shënon fundin e botës së ndarë të pas 1945-ës, ai shënoi fundin e ndarjeve të Luftës së Ftohtë në Europë dhe çoi drejt kolapsit të Bashkimit Sovjetik. Ten Hsiaopini kishte futur tashmë Kinën në “rrugën e reformave dhe hapjes”, që në vitin 1978. Por mohimi prej tij i reformave të Mikhail Gorbachevit në vitin e revolucioneve demokratikë, përcaktoi natyrën e zhvillimit të Kinës: një sintezë mes një ekonomie tregu nga poshtë-lart dhe një politike nga lartë-poshtë. Ngjitja e Kinës ka shkaktuar admirim, megjithatë sfidat e ngritjes së një vendi nga mjerimi në një status me të ardhura të mesme ndryshojnë nga sfida e krijimit të një ekonomie me të ardhura të larta.

Karakteristika më e spikatur e çerekshekullit të fundit është globalizimi. I shtyrë prej pranimit mbarëbotëror të ekonomisë së tregut dhe i fuqizuar prej revolucionit digjital, njerëzimi ka krijuar një ekonomi që është shumë më e integruar se sa në vtitin 1913, përveç se për migrimin e njerëzve, që është më i vogël. Për më tepër, kjo ka ndodhur jo në një epokë perandorie, por në një epokë institucionesh globalë, publikë (si Fondi Monetar Ndërkombëtar, Organizata Botërore e Tregtisë dhe Bashkimi Europian) dhe privatë (kompanitë transnacionale). Ka qenë gjithashtu një epokë arritjesh, sidomos një rënie e shpejtë e numrit të njerëzve që jetojnë në varfëri të skajshme, dhe rritja mbresëlënëse e Kinës dhe Indisë, të cilat së bashku kanë pothuajse 40% të popullsisë së botës. Edhe në Europë, shtete që realizuan reforma strukturore, si Polonia, kanë patur një ecuri shumë të mirë.

Atëherë, kjo është një botë që ka kryer një cikël të plotë, ndonëse me ndryshime të mëdhenj përgjatë rrugës. Eshtë një botë ku disa probleme janë të njohur: historia nuk përsëritet, por ajo bën rimë.

Recesioni i Madh, ashtu si Depresioni i Madh, ka dëmtuar globalizimin, siç thuhet në një studim të fundit të McKinsey Global Institute. E ndikuar prej kolapsit të financës ndërkufitare, levizja totale e tregtisë së mallrave e shërbimeve, por edhe financës, pësoi një rënie të madhe krahasuar me prodhimin e përgjithshëm. Tregtia ka rezultuar më e fortë se sa financa, por edhe ajo pushoi së rrituri në krahasim me prodhimin botëror mes viteve 2005 dhe 2012. Ende nuk është e qartë sa të thella i ka rrënjët ky ngadalësim i globalizimit. Por duke parë dëmin e shkaktuar prek krizës financiare globale dhe shqetësimeve se si po operon ekonomia globale e tregut, sidomos sa i përket shpërndarjes së të ardhurave dhe fitimeve, është i mundshëm një kundërveprim edhe më i fortë se sa i derisotmi.

Ndoshta më të rëndësishëm janë problemet politikë, pikërisht si përpara vitit 1914. Tensioni mes integrimit ekonomik dhe ndarjeve politike mbetet thembra e Akilit për çdo ekonomi të integruar globalisht. Sot, Rusia shfaqet si revanshiste dhe Kina si kategorike. Armët bërthamore zvogëlojnë shanset e një konflikti të drejtpërdrejtë ushtarak, por ato nuk e eleminojnë. Dhe ato i bëjnë pasojat të duken shumë më të tmerrshme.

Nëse ka një mësim që mund të nxjerim nga 100 vitet e fundit, ai është se jemi të detyruar të bashkëpunojmë. E megjithatë, ne mbetemi tribalë. Ky tension mes bashkëpunimit dhe konfliktit është i përhershëm. Në shekullin e fundit, njerëzimi ka përjetuar ekstremet e të dyve. Historia e shekullit të ardhshëm do të përcaktohet nga mënyra se si ne do i qasemi dilemave të ngjashme. /FT/

Pershtatur ne shqip nga bota.al

 

Leave a Reply

Back to top button