Ekonomi

Tre skenarë për ekonominë globale

Nga Nouriel Roubini

NEW YORK – Gjatë viteve të fundit, ekonomia globale është luhatur midis periudhave të përshpejtimit (kur rritja është pozitive dhe në forcim) dhe periudhave të ngadalësimit (kur rritja është pozitive, por në dobësim). Pas më shumë se një viti përshpejtim, a po shkon bota drejt një tjetër ngadalësimi, apo rimëkëmbja do të vazhdojë?

Forcimi i rritjes ekonomike aktuale dhe i tregjeve të kapitalit, ka vazhduar që nga vera e vitit 2016. Pavarësisht një tronditjeje të shkurtër pas votimit pro Brexit, përshpejtimi i qëndroi jo vetëm zgjedhjes së Donald Trump si president i SHBA, por edhe shtimit të pasigurisë në politika dhe kaosit gjeopolitik, që ka prodhuar ajo zgjedhje. Në përgjigje të këtij “shërimi”, Fondi Monetar Ndërkombëtar, i cili në vitet e fundit e kishte karakterizuar rritjen globale si “mediokrja e re”, përditësoi së fundmi Raportin Ekonomik Botëror.

A do të vazhdojë kjo rritje ekonomike gjatë viteve të ardhshme? Apo bota është duke përjetuar një rritje të përkohshme ciklike, që së shpejti do të ndrydhet prej risqeve të reja, si ata që kanë shkaktuar ngadalësime të tjera në vitet e fundit? Mjafton të kujtojmë verën e vitit 2015 dhe fillimin e 2016, kur frikërat e investitorëve nga një shembje e kinezëve, një dalje e beftë nga politika e normave të interesit zero prej Federal Reserve, një ndalim të rritjes së PBB të SHBA, dhe çmimet e ulët të naftës, të gjitha këto pra, u bënë bashkë për të frenuar rritjen ekonomike.

Mund të parashikohen tre skenarë të mundshëm për ekonominë globale në tre vitet e ardhshme, apo më shumë. Në skenarin më të guximshëm, katër ekonomitë më të mëdha botërore, të rëndësishme për sistemin – Kina, Eurozona, Japonia dhe Shtetet e Bashkuara – zbatojnë reforma strukturore që nxisin rritjen potenciale dhe adresojnë dobësitë financiare. Duke siguruar që rritja ciklike është e lidhur me potencialin më të fortë dhe rritjen reale, përpjekje të tilla do të sillnin rritje të fuqishme të PBB-së, inflacion të ulët por me rritje të moderuar dhe stabilitet financiar relativ për shumë vite të tjera. Tregjet amerikane dhe globale të kapitalit do të arrinin lartësi të reja, të justifikuara nga themele më të forta.

Në një tjetër skenar, ndodh e kundërta: ekonomitë më të mëdha në botë dështojnë të zbatojnë reformat strukturore që forcojnë rritjen potenciale. Në vend që të përdorë Kongresin Kombëtar të Partisë Komuniste të këtij muaji si një katalizator për reforma, Kina “i bie me shkelm kanoçes”, duke vazhduar në një rrugë me ndërhyrje me tepri si dhe kapërcim të kapaciteteve. Eurozona dështon të arrijë një integrim më të madh, ndërkohë që kufizimet politike reduktojnë aftësinë e politikëbërësve për të zbatuar reformat strukturore në favor të rritjes. Dhe Japonia mbetet e mbërthyer në trajektoren e saj të rritjes së ulët, pasi reformat nga ana e ofertës dhe liberalizimi i tregtisë – “shigjeta” e tretë e strategjisë ekonomike të Kryeministrit Shinzo Abe – shuhen.

Sa i përket SHBA, administrata Trump, në këtë skenar, vazhdon të ndjekë një qasje politikash – duke përfshirë një shkurtim taksash që favorizon shumë të pasurit, proteksionizmin tregtar dhe kufizime të migrimit – që mund të zvogëlojnë potencialin e rritjes. Stimulimi i tepërt fiskal çon në defiçite dhe borxhe të fryra, gjë që rezulton me norma më të larta interesi dhe një dollar më të fortë, duke dobësuar rritjen e mëtejshme. Trumpi i ngazëllyer mund të përfundojë edhe në një konflikt ushtarak me Korenë e Veriut – dhe, më vonë, Iranin – duke dobësuar më tej perspektivat ekonomike të Amerikës.

Në këtë skenar, mungesa e reformave në ekonomitë e mëdha do ta lërë ngritjen ciklike të kufizuar nga tendenca e dobët e rritjes ekonomike. Nëse rritja ekonomike potenciale mbetet e ulët, politikat e lehtësuara monetare dhe kredituese mund të çojnë përfundimisht në një inflacion të mallrave dhe / ose aseteve, duke shkaktuar ngadalësim ekonomik – dhe ndoshta një recesion të plotë si dhe krizë financiare – kur fluskat e aseteve shpërthejnë ose inflacioni rritet.

I treti – dhe, sipas mendimit tim, skenari më i mundshëm – qëndron diku midis dy të parëve. Rritja ciklike, si në rritjen ekonomike edhe në tregjet e kapitalit, vazhdon për një kohë, e nxitur nga rrymat e mbetura. Megjithatë, ndërkohë që ekonomitë e mëdha ndjekin disa reforma strukturore për të përmirësuar rritjen potenciale, ritmi i ndryshimit është shumë më i ngadalshëm dhe fushëveprimi i tij është më modest, se sa nevojitet për të maksimizuar potencialin.

Në Kinë, ky skenar do të thotë të bësh aq sa duhet për të shmangur një rënie të fortë, por jo mjaftueshëm për të arritur një ulje të butë; me dobësi financiare të mbetura pa adresuar, ankthi bëhet i pashmangshëm me kalimin e kohës. Në eurozonë, ky skenar do të përfshinte vetëm progresin nominal drejt një integrimi më të madh, me refuzimin e vazhdueshëm të Gjermanisë për ndarjen e vërtetë të riskut ose bashkimin fiskal, që dobëson stimulin e vendeve anëtare në vështirësi, për të ndërmarrë reforma të vështira. Në Japoni, një administratë gjithnjë e më e paefektshme e Abes do të zbatojë reforma minimale, duke e lënë rritjen potenciale të mbërthyer nën 1%.

Në SHBA, presidenca e Trump do të mbetet e paqëndrueshme dhe joefektive, me një numër gjithnjë e më të madh të amerikanëve që e kuptojnë se, pavarësisht pretendimeve të tij populiste, Trump është thjesht një plutokrat që mbron interesat e të pasurve. Pabarazia rritet; klasa e mesme zhytet në stanjacion; pagat mezi rriten; dhe konsumi dhe rritja mbeten anemike, pothuajse 2%.

Por risqet e këtij skenari shkojnë shumë përtej performancës ekonomike mediokre. Ky skenar nuk paraqet një ekuilibër të qëndrueshëm, por një çekuilibër të paqëndrueshëm, shumë i dobët përballë tronditjeve ekonomike, financiare dhe gjeopolitike. Kur tronditje të tilla ndodhin, ekonomia do të shtyhet drejt një ngadalësimi, apo nëse tronditja është e madhe, edhe recesioni dhe krize financiare.

Me fjalë të tjera, nëse bota thjesht zvarritet përpara, siç duken gjasat, brenda tre apo katër vitesh do të kemi një krizë më të fortë. Mësimi është i qartë: ose udhëheqësit politikë dhe politikëbërësit demonstrojnë lidershipin që nevojitet për të siguruar një peiazh më të mirë afatmesëm, ose rreziqet e rënies do të materializohen pa kaluar shumë kohë – duke i bërë një dëm të madh ekonomisë globale.

Shqipëruar dhe botuar ekskluzivisht nga bota.al, me miratimin e Project Syndicate, 2017. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate – Three Scenarios for the Global Economy

Leave a Reply

Back to top button