Kulture

Tre skulpturat që mishërojnë epokën klasike, epokën e mesjetës dhe epokën moderne

Tre skulptura mund të ilustrojnë lëvizjen e trefishtë nga klasikja, tek mesjetarja, tek modernia. E para është një skulpturë greke e lashtë, dhe prandaj një prej krahëve të saj nuk ka mbijetuar. Jo shumë prej skulpturave të lashta greke kanë mbijetuar; ato që kanë mbetur deri më sot, janë zakonisht kopje romake, të cilat nuk janë aq të mira sa origjinalet. Ky është Perëndia grek Hermesi, me vogëlushin Dionis, realizuar nga Praksiteli. Trupi i njeriut, si një shfaqje bukurie dhe përsosmërie është një shpikje e grekëve. Siç thotë historiani i artit, Kenneth Clark, nudoja duhet dallohet prej trupit lakuriq. Nudoja është e mjaftueshme në vetvete; trupi lakuriq është pa rroba dhe është i zvogëluar, në mungesë të tyre. Sigurisht, shumica e trupave mashkullorë nuk ngjajnë të tillë: qëllimi i grekëve nuk ishte të paraqisnin një trup të veçantë. Ata punonin për të gjetur përsosmërinë në trup, dhe ata përdornin matematikën e tyre për të përcaktuar përmasat që janë më të kënaqshme dhe të bukura.

Skulptura e dytë është një pamje mesjetare e formave njerëzore; këto figura ndodhen në dyert e katedrales së Hildesheimit, në Gjermani. Janë Adami dhe Eva, pasi kanë ngrënë frutin që Zoti kish thënë se nuk duhej ta hanin. Adami është duke fajësuar Evën; Eva është duke fajësuar gjarpërin; të dy janë të turpëruar prej lakuriqësisë së tyre, të cilën e fshehin pjesërisht. Këto janë pa asnjë dyshim jo nudo; ato mishërojnë mësimet e krishtera se trupi është i keq, një burim i mëkatit.

I treti është Mikelanxhelo në periudhën e Rilindjes, që ka si model grekët dhe që i rikthehet idesë së tyre të nudos. Ai e skalit Davidin e tij, si një formë njerëzore të përsosmërisë: njeriu si mishërim i diçkaje të lartë, fisnike dhe të bukur – siç thotë Hamleti, “në veprim njeriu është si një ëngjëll; në të kuptuarit, është si një Perëndi”.

Nga nudoja, tek lakuriqësia, tek nudoja mund të jetë përshkrimi më i mirë i lëvizjes nga klasikja, tek mesjetarja, tek modernia. Pikërisht kështu e kuptonte RIlindja vetveten.

Nga “Historia më e shkurtër e Europës” – Në shqip nga www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button