
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë ka deklaruar se Donald Trump është “jashtëzakonisht i frustruar” si me Rusinë ashtu edhe me Ukrainën: “Nuk dëshiron më bisedime të pafundme, por veprime reale drejt paqes”. Tensionet rriten për shkak të mungesës së një armëpushimi mes Moskës dhe Kievit, pas një tjetër dite përplasjesh dhe propozimesh të refuzuara.
Volodymyr Zelensky, duke folur me gazetarët në Kiev, konfirmoi se negociatat e paqes janë bllokuar kryesisht për shkak të fatit të Donbasit, në veçanti të rajonit të Donetsk-ut. Shtetet e Bashkuara do të dëshironin që forcat ukrainase të tërhiqeshin dhe që ky territor i shkatërruar të shndërrohej në një “zonë të lirë ekonomike”. Por Moskës nuk i kërkohet e njëjta gjë në pjesën që ajo kontrollon aktualisht. Një pabarazi potencialisht fatale.
Zelensky ndodhet nën presion të jashtëzakonshëm nga SHBA-të dhe, për çështjen territoriale, i referohet kutive të votimit: “Do të jetë populli ai që do të vendosë, përmes zgjedhjeve ose një referendumi”. Propozimi i konsultimit popullor është cilësuar nga Moska si “një gisht i mesit drejtuar Shtëpisë së Bardhë”, përmes zëvendëskryetarit të Këshillit të Sigurimit rus, Dmitri Medvedev, duke ndezur edhe më tej zemërimin e presidentit Trump.
Përshpejtimi i zhvillimeve është gjithnjë e më i dukshëm dhe në 24 orët e fundit kanë dalë në dritë shumë detaje. Kancelari gjerman Friedrich Merz, në një konferencë për shtyp në Berlin me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, sqaroi se kur kishte folur në telefon me presidentin amerikan, së bashku me homologët e tij nga Parisi dhe Londra, Shtëpia e Bardhë nuk e kishte ende versionin e fundit të planit, i cili pasqyron qëndrimin euro-ukrainas. Në të përfshihet një hipotezë për “lëshime territoriale” që Ukraina “mund t’i pranojë”.
Tani, tha Merz, negociatat sipas vizionit europian, do të vazhdojnë në ditët në vijim dhe gjatë fundjavës, dhe më pas mund të ketë “një takim” në fillim të javës së ardhshme në Berlin, një ftesë që ishte bërë publike vetë nga Trump. “Pjesëmarrja e administratës amerikane do të varet kryesisht nga dokumentet mbi të cilat do të punojmë gjatë kësaj periudhe”, shtoi Merz.
Megjithatë, Trumpi, sipas Shtëpisë së Bardhë, mbetet i irrituar si me Moskën ashtu edhe me Kievin: “Nuk do më fjalë boshe, por veprime. Është lodhur nga takimet vetëm për hir të takimeve”.
Një tjetër nyje kritike, sipas Zelenskyt, është fati i centralit bërthamor të Zaporizhzhias, më i madhi në Europë dhe vendimtar për zhvillimin ekonomik të Ukrainës. Aspekti ekonomik do të trajtohet në një dokument të veçantë, për të cilin Zelensky ka folur së fundmi me sekretarin amerikan të Thesarit, Scott Bessent, ashtu si edhe garancitë e sigurisë.
Në këtë kuadër, Zelensky u lidh mbrëmjen e djeshme me një delegacion të gjerë që përfshinte Marco Rubio-n, Pete Hegseth-in, Steve Witkoff-in, Jared Kushner-in, komandantin suprem të NATO-s dhe forcave amerikane në Europë, gjeneralin Grynkewich, si dhe vetë Mark Rutte-n. Palët ranë dakord që ekipet të punojnë në mënyrë aktive për të siguruar që në një të ardhme të afërt të ketë “një kuptim të qartë” mbi këto garanci.
Ish-kryeministri holandez theksoi sërish se “siguria e Ukrainës është siguria jonë” dhe se “ne jemi objektivi i radhës i Rusisë; nuk mund të lejojmë të përçahemi”. Ndërkohë, hipoteza se ekziston një version i rezervuar i strategjisë së sigurisë kombëtare amerikane, që parashikon një format të ri jashtë-europian, C5 (SHBA, Rusi, Kinë, Indi dhe Japoni), si dhe ideja për të “shkëputur” Italinë, Austrinë, Poloninë dhe Hungarinë nga BE-ja, ka mbërritur në Bruksel si një tjetër dush i ftohtë. / bota.al





