Tim Stanley
Një reagim i zakonshëm ndaj asaj konference famëkeqe të shtypit Trump/Zelensky është: “Nuk kemi parë kurrë diçka të tillë më parë.” Fjala kyçe është “parë”.
Përplasjet dhe largimet demonstrative ndodhin në diplomaci, por ndryshimi është se Donald Trumpi e bën në publik atë që zakonisht ndodh prapa dyerve të mbyllura. Një shembull: në vitin 2022, NBC raportoi se Joe Biden kishte folur me Zelensky-n në telefon për një paketë ndihme prej 1 miliard dollarësh, dhe kur Zelensky filloi të kërkonte më shumë, presidenti amerikan “humbi durimin” dhe i tha atij të tregonte më shumë mirënjohje”.
Pra, po, Amerika grindet me aleatët e saj. Dhe më keq se kaq: ka një histori të braktisjes së tyre. Më vjen në mendje ngjashmëria mes Ukrainës dhe Vietnamit të Jugut, dy regjime të inkurajuara nga SHBA për të luftuar një pushtues – me një kosto të jashtëzakonshme në para dhe jetë njerëzore – dy e që më pas i la në baltë.
Angazhimi i Amerikës në Vietnam ishte shumë më i madh (humbi rreth 58,000 ushtarë në përpjekjen për të larguar Vietkongët), dhe Richard Nixoni, ndryshe nga Trumpi, u përpoq të forconte aleatin e tij përmes bombardimeve shkatërrimtare. Por Nixoni u kishte premtuar votuesve të tij paqe dhe, në dhjetor 1972, administrata e tij i propozoi kushte Presidentit Thieu të Vietnamit të Jugut.
Nëse doni të kuptoni si funksionon vërtet diplomacia, lexoni transkriptet e bisedave të Nixon-it me këshilltarin e tij të sigurisë kombëtare, Henry Kissinger. Thieu, me sa duket, refuzoi një marrëveshje paqeje që ishte tepër e favorshme për Viet Kongët; Kissingeri e quajti atë “një bastard që i pëlqen vetja”, “kriminel” dhe “të çmendur.” Ai sugjeroi ndërprerjen e ndihmës ekonomike dhe ushtarake ndaj Thieu dhe t’i bënin një “Diem” – një referencë për grushtin e shtetit të vitit 1963 që përfundoi me vrasjen e një prej paraardhësve të Thieu-së, Ngo Dinh Diem.
Henry dhe Dick Nixoni po diskutonin për vrasjen e një aleati, por kjo ishte pjesë e punës. Për të ruajtur fasadën e mbështetjes, ata vendosën të bombardonin edhe pak Viet Kongët – pastaj ofruan kushte armëpushimi qartësisht të pafavorshme për aleatin e tyre. “I bombarduam derisa pranuan lëshimet tona,” shpjegonte Kissinger. Thieu mbeti vetëm me një premtim për financim të vazhdueshëm nga SHBA – një lloj garancie rezervë – por Kongresi amerikan, përfshirë një Joe Biden në moshë të re, votoi shpejt për t’ia mbyllur rubinetin.
Vietnami i Jugut ra në vitin 1975. Disa politikanë amerikanë kundërshtuan pranimin e refugjatëve vietnamezë pothuajse me të njëjtën ashpërsi siç e bën sot Trumpi. Dekada më vonë, Bideni aplikoi të njëjtën metodë të tërheqjes në Afganistan, duke besuar se votuesit ishin lodhur nga ndërtimi i demokracisë në vende të largëta.
E gjithë politika e jashtme është, në thelb, politikë e brendshme. Dhe me të drejtë. Presidentët zgjidhen për të përfaqësuar Ohion dhe Alabamën, jo Kabulin apo Kievin, dhe ndërsa rrethanat ndryshojnë, do të ishte marrëzi të mbahej në këmbë një politikë e dështuar. Ajo që i huton të huajt në lidhje me Amerikën është se idealet e saj janë universale – “të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë”, etj. Kështu që shpesh tingëllon sikur SHBA vepron prej zemërmirësisë.
“Ne do të paguajmë çdo çmim,” tha John F. Kennedy, “do të përballemi me çdo armik për të siguruar mbijetesën dhe suksesin e lirisë.” (Për ironi, grushti i shtetit ndaj Diem-it ndodhi nën udhëheqjen e tij.)
Historiani Mark White, në librin e tij më të fundit “Icon, Libertine, Leader”, sugjeron se Kennedy e besonte vërtet atë frazë, se ai hyri në detyrë i frymëzuar nga gjeneralët e tij dhe romanet e Ian Fleming-ut. Ai miratoi një pushtim katastrofik të Kubës dhe, me shumë gjasë, disa plane për të vrarë Fidel Castron.
Strategjia e tij ndoshta alarmoi sovjetikët dhe u dha pretekst për të dërguar raketa bërthamore në Kubë në vitin 1962, duke na sjellë më afër Luftës së Tretë Botërore, sesa kurrë më parë. Disa argumentojnë se diplomacia e Kennedy-t gjatë Krizës së Raketave Kubane, sado brilante, zbuti një krizë që ai vetë e kishte ndihmuar të krijohej.
Trumpi do të ketë qenë 16 vjeç gjatë kësaj periudhe. A e kujton ai atë?
Shumica e njerëzve të brezit tim nuk kanë kujtime për të jetuar nën frikën e një shkëmbimi bërthamor, por kjo ka ndikuar mbi një brez të tërë në qëndrimin e tyre ndaj Rusisë – dhe Trumpi i përmend shpesh këto rreziqe.
Kjo është arsyeja pse ai është i lëkundur për të dhënë garanci sigurie për një vend jashtë NATO-s, gjë që e vendos atë në linjën e mos-ndërhyrjes gjatë pushtimit sovjetik të Hungarisë në vitin 1956.
Sot, merret si e mirëqenë se Ukraina duhet të lejohet të bashkohet me NATO-n, nëse dëshiron, por edhe në vitin 1998, kur senatorët diskutonin zgjerimin e NATO-s, politikanët e një epoke më pak utopike paralajmëronin kundër “ngacmimit të arushës ruse”.
Sa për pëlqimin e dukshëm të Trumpit për Putinin, edhe Harry Trumani, presidenti më i mençur amerikan, shkruante në ditarin e tij: “Mund të merrem me Stalinin. Është i ndershëm – por i zgjuar si djalli.”
Kjo nuk e ndaloi atë të mbronte Evropën apo Korenë kur komunistët u hodhën në sulm, por thelbi është se politikanët mund të ndikohen, të impresionohen, të mashtrohen apo të irritohen edhe nga zgjedhje aq të vogla sa mosveshja e një kravate.
Ndërsa shumë historianë bien dakord se Trumpi është diçka e paprecedentë, disa mund të arrijnë në përfundimin se ai është presidenti më amerikan që kemi pasur ndonjëherë – veçoria e tij kryesore është transparenca.
Spektatorët e konferencës për shtyp u tronditën nga luhatshmëria i tij, por kur ai tha “ju nuk keni asnjë kartë në dorë”, ai shprehu mënyrën se si administratat e panumërta amerikane kanë trajtuar vendet më të vogla.
Arsyeja pse politika britanike bazohet vetëm në përpjekjen për të bindur SHBA-në që të mbështesë objektivat tona, është sepse amerikanët dikur e minuan aftësinë e Britanisë për të vepruar si një fuqi e pavarur. Ata e bënë shkatërrimin e Perandorisë Britanike një kusht të nënkuptuar për mbështetjen e tyre gjatë Luftës së Dytë Botërore.
SHBA-ja insistoi në krijimin e një bote unipolare – dhe tani ankohet se duhet ta mbikëqyrë pothuajse e vetme. Ironike. / The Telegraph – Bota.al