Analiza

Trumpi përqafon botën post-amerikane

Nga Fareed Zakaria

Ai i Donald Trumpit në Kombet e Bashkuara, ishte një fjalim i mbajtur mirë. Por ai ishte një mishmash i çuditshëm temash dhe tonesh, që pjesërisht lartësonte realpolitikën, por pastaj gjithashtu theksonte rëndësinë e lirisë dhe demokracisë. Megjithatë, ekzistonte një temë kryesore – përqafimi i nacionalizmit. Dhe duke i rënë asaj korde, Trumpi bëri diçka të pazakontë, ndoshta unike për një president të SHBA: Ai inkurajoi, madje përqafoi edhe ngritjen e një bote post-amerikane.

Në fillim, mishmashi. Në fillim të fjalës së tij, Trump pohoi se “në Amerikë, ne nuk kërkojmë të imponojmë mënyrën tonë të jetesës ndaj askujt”. Por pastaj, pak minuta më vonë, Trumpi vazhdoi të dënonte Korenë e Veriut, Iranin, Venezuelën dhe Kubën për sistemet e tyre politike jodemokratike, praktikisht duke kërkuar që të gjithë të bëhen demokraci liberale të stilit perëndimor.

Rreziku i kësaj lloj retorike të fortë, është se ajo është zbatuar në mënyrë selektive, e prandaj shihet me cinizëm nga pjesa tjetër e botës, si një mënyrë për të maskuar interesin amerikan. Trumpi e ngriti këtë hipokrizi në një tjetër nivel. Ai e denoncoi Iranin për mungesën e lirive dhe, pothuajse në të njëjtën frymë, përmendi me të drejtë Arabinë Saudite. Në çdo drejtim – të drejtat politike, tolerancën fetare, fjalën e lirë – Irani është një shoqëri shumë më e hapur sesa Arabia Saudite, e cila është një monarki absolute, e lidhur me establishmentin më fetar në botë, ku kishat dhe sinagogat janë të ndaluara.

Fokusi kryesor i fjalimit të Trump ishte mbi nacionalizmin. Ai lartësoi sovranitetin dhe nacionalizmin, duke zgjedhur një shembull të çuditshëm. Duke u ndalur tek disa fjalë të Presidentit Harry S. Truman në mbështetje të Planit Marshall, Trumpi e përshkroi atë qasje ndaj marrëdhënieve ndërkombëtare, si “të bukur” dhe “fisnike”. Por a mund ta imagjinoni Trumpin duke e mbështetur me të vërtetë Planin Marshall? Ai ishte një program masiv i ndihmës së huaj, i administruar nga burokratët e qeverisë, për të ndihmuar të huajt që të ringjallnin industritë e tyre – të cilat u bënë më pas, konkurrente ndaj kompanive amerikane. Uashingtoni shpenzoi, e shprehur në përqindje të prodhimit të brendshëm bruto, afërsisht pesë herë më shumë se sa shpenzoi gjatë fazës ushtarake të luftës në Afganistan, sipas një vlerësimi të kohëve të fundit. Për ta bërë të funksiononte Planin Marshall, Uashingtoni inkurajoi vendet evropiane që të hiqnin dorë nga sovraniteti ekonomik dhe të krijonin Komunitetin Europian të Qymyrit dhe Çelikut, që ishte zanafilla e Bashkimit Europian.

Linja më e rëndësishme në fjalimin e Trumpit, e shprehur plot dramaticitet, ishte kjo: “Si president i Shteteve të Bashkuara, unë gjithmonë do ta vendos Amerikën të parën, ashtu si ju, si udhëheqës të vendeve tuaja, gjithmonë do të duhet të vini vendet tuaj të parët”.

Por, pikërisht këtë kanë bërë në dekadat e fundit, vende si Rusia dhe Kina. Gjatë 70 viteve të fundit, debati i madh midis kombeve ka qenë, mes atyre që argumentonin për interesa të ngushta kombëtare, dhe atyre që besonin se paqja dhe prosperiteti i qëndrueshëm varej nga promovimi i interesave më të gjera, të përbashkëta. Ky qëndrim i fundit, i konceptuar nga FDR dhe i mbështetur nga çdo president i SHBA që nga ajo kohë, është ai që prodhoi Kombet e Bashkuara dhe të gjitha organizatat që monitorojnë dhe ndihmojnë me tregtinë, udhëtimet, sëmundjet, krimet dhe çështjet e motit, midis një morie temash të tjera që shkojnë përtej kufijve, dhe mund të trajtohen vetëm në nivel rajonal ose global.

Por Trumpi është lodhur nga të qenit udhëheqësi i botës. Ai u ankua në fjalimin e tij, se vendet e tjera tregohen të padrejta në marrëdhëniet e tyre me Shtetet e Bashkuara dhe se në një farë kuptimi, kombi më i fuqishëm në botë, që dominon pothuajse çdo forum ndërkombëtar, po zotërohet prej të tjerëve. Zgjidhja e tij, një kthim në nacionalizëm, do të mirëpritej nga shumica e lojtarëve më të mëdhenj të botës – Rusia dhe Kina, por edhe vende të tilla si India dhe Turqia – të cilat tentojnë të veprojnë në bazë të interesit të tyre të ngushtë. Natyrisht, kjo do të nënkuptojë një përshpejtim dramatik të botës post-amerikane, në të cilën këto vende do të formësojnë politikat dhe institucionet, në mënyrë të pashpirt, në dobi të tyre, dhe jo në funksion të interesit të përbashkët.

Trumpi murmuriti për faktin se Shtetet e Bashkuara paguajnë 22 për qind të buxhetit të OKB, i cili është në të vërtetë i duhuri, për shkak se është përafërsisht e barabartë me pjesën amerikane të PBB-së globale. Nëse ai do të shkurtonte mbështetjen e U.S., do të habitej se sa shpejt një vend si Kina do të nxitonte të mbushte hendekun. Dhe kur të ndodhë, Kina do të dominojë dhe formësojë Kombet e Bashkuara – dhe axhendën globale – ashtu siç bënë Shtetet e Bashkuara për shtatë dekada. Ndoshta kinezët do të sugjerojnë që selia e organizatës të zhvendoset në Pekin. Kur e mendon, me siguri që do të çliroheshin disa hektarë tokë në East River, ku Trumpi mund të ndërtojë disa vendbanime më shumë. / The Washington Post – Bota.al

Leave a Reply

Back to top button