
Dy mijë e gjysmë vjet më vonë, gjenerali dhe historiani i lashtë grek Thukididi mbetet po aq i rëndësishëm sa edhe një buletin i fundit lajmesh në televizion. Vepra e tij Historia e Luftës së Peloponezit është një rrëfim themelor i konflikteve të lashta, që është shndërruar në një manual për të ecur nëpër mjegullën e dendur të gjeopolitikës moderne.
Pushteti, frika, llogaritjet e gabuara – gjithçka që ai përmend ndërlidhet në mënyrë brilante, dhe ka një qartësi që të lë pa fjalë. Kudo ku liderët përpiqen të krijojnë “rend të ri” për botën, shpirti i Thukididit endet i heshtur në sfond.
Pushteti, frika dhe ata që i përdorin të dyja
Lëvizja karakteristike e Thukididit është e thjeshtë por shkatërruese: nis nga natyra njerëzore dhe shih përtej mirësjelljes diplomatike dhe veçorive personale, drejt impulseve që shtyjnë shtetet kur në lojë është vetë ekzistenca e tyre. Rreshti i tij i famshëm mbi arsyen e “vërtetë” të luftës – ngritja e Athinës dhe frika që ajo i shkaktoi Spartës – është themelor. Hiqi pretekstet me të cilat shtetet justifikohen vazhdimisht, dhe do të shohësh çfarë bën frika, kur një fuqi ngrihet e tjetra tërhiqet.
Realistët modernë në Marrëdhëniet Ndërkombëtare ngritën një shkollë të tërë mendimi mbi këtë të vërtetë. Quaje “dilema e sigurisë” nëse do: një shtet rrit mbrojtjen për t’u ndier më i sigurt, fqinjët ndihen të kërcënuar, të gjithë shtojnë armatimet, dhe gara bëhet realitet. Kjo duhet të tingëllojë e njohur për shumicën prej nesh. Lufta e Ftohtë shpesh ishte si një akt ekuilibri mbi tel, mes dy gjigantëve nervozë që interpretonin kujdesin e tjetrit si kërcënim, dhe përmbajtjen si mashtrim.
Tukididi e kuptoi këtë frikë dy mijë e gjysmë vjet më parë – sidomos frikën ndaj një rivali që ngrihet. Fokusi i tij tek rrahjet e daulleve të frikës dhe pushtetit, dhe jo tek personalitetet “ngjyrues” apo tek momentet hipotetike të diplomacisë, është ai që e bën veprën e tij themel të gjeopolitikës moderne, jo thjesht një kronikë e pluhurosur e së kaluarës.
Dialogu Melian: Realpolitikë pa sheqerosje
Për të parë versionin më të zhveshur të realizmit brutal që kap Tukididi, mjafton të shohësh Dialogun Melian. Athina, superfuqia detare e kohës, i jep Melosit të vogël një zgjedhje: nënshtrohuni ose zhdukuni. Mesazhi është i thjeshtë e i drejtpërdrejtë: “të fortët bëjnë ç’të munden, të dobëtit vuajnë ç’duhet” – pa dekor moral apo ligjor, vetëm llogari të ftohta.
Është e vështirë të mos dëgjosh të njëjtin ton edhe sot në sallat ku merren vendime, kur “interesi kombëtar” bëhet çelësi për veprime që shkelin norma ndërkombëtare. Detajet ndryshojnë, por logjika shpesh jo. Interesat përplasen; pushteti flet; të dobëtit marrin mësime që nuk i kanë kërkuar kurrë. Po, ne kemi të drejtën ndërkombëtare dhe institucionet, dhe ato kanë rëndësi, por Tukididi na detyron të pranojmë të vërtetën e pakëndshme: në momente rreziku, ligji i xhunglës ende ka zë – dhe ndonjëherë, është i vetmi që llogaritet.
Nga Athina dhe Sparta tek “Kurthi i Thukididit”
Kalojmë te ideja që Graham Allison e bëri të famshme si “Kurthi i Tukididit”: kur një fuqi në rritje kërcënon të zëvendësojë një fuqi sunduese, lufta bëhet tepër e mundshme. Në studimin e tij, dymbëdhjetë nga gjashtëmbëdhjetë raste të tilla gjatë pesë shekujve përfunduan në konflikt. Titulli për lajme sot shkruhet vetë.
Në qendër është rivaliteti SHBA–Kinë, me versione më të vogla rajonale, si përballja Izrael–Iran. Kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se lufta është e pashmangshme. Tukididi nuk shpall fat, por paralajmëron për prirje dhe modele. Fuqitë në ngritje shtyjnë përpara, ato të konsoliduara ngurtësohen, frika përhapet. Sa më shumë thellohet ankthi, aq më e pashmangshme duket lufta. Ky mekanizëm shtyn vendimmarrësit drejt supozimeve më të zeza.
Çfarë nevojitet në kohë të tilla është parandalim i besueshëm i kombinuar me komunikim të qartë: kanale të hapura për të shmangur aksidentet, linja krize që funksionojnë, lidhje ekonomike që rrisin koston e konfliktit. Po aq i domosdoshëm është edhe një sistem politik i brendshëm i qëndrueshëm, që përballon tronditjet pa u futur në panik. Asgjë nga këto nuk është e lavdishme – por as katastrofa nuk është.
Pse Tukididi mbetet i rëndësishëm sot
Tukididi nuk ofron ngushëllim, por një lloj skaneri mbi realitetin. Ai na kujton se nën sloganet dhe fjalimet fshihen pasionet njerëzore: ambicia, pasiguria, krenaria. Këto forca mund të përmbysin qëllimet e mira dhe të tërheqin kombet drejt shkatërrimit. Nëse do të kuptosh pse shtetet kapin shpatën edhe kur betohen se nuk do ta bëjnë, përgjigjja gjendet tek ai. / në shqip nga bota.al





