Analiza

Tundimi ndaj barazisë

Prania e madhe e ideologjisë në shoqëritë liberale-demokratike dhe komuniste mund të shpjegohet lehtësisht. Shkaku kryesor është barazia, të cilës të dyja regjimet i dhanë statusin e vlerës më të lartë dhe e bënë atë një parim rregullator.

Screen Shot 2016-06-03 at 08.53.26

Nga Juliana Geran Pilon

Librit i profesorit të shquar polak Rizard Legutko “Demoni në Demokraci:Tundimet totalitare në shoqëritë e lira”, është tejet polemizues, duke akuzuar elitat perëndimore dhe të pasurit, se kanë tradhtuar me dashje dhe në mënyrë të turpshme traditën e tyre intelektuale. Teza e tij kryesore, se rritja e ngjashmëritë midis komunizmit dhe demokracisë liberale është sistematike dhe e pashmangshme, pa dyshim që do të shkaktojë kundërshti.

Dhe jo thjesht akademike, pasi Legutko është ndërkohë një anëtar i Parlamentit Evropian, që në mënyrë rutinore dhe me elokuencë sfidon klishetë e mirë-sajuara të kolegëve të tij liberalë, që i shkojnë shumë për shtat këtyre të fundit. Të kuptuarit e tij mbi dy sistemet politike është realisht unik. Si ish-redaktor i revistës filozofiike klandestine “Solidariteti” në periudhën e komunizmit, Legutko kishte dëshiruar për shumë kohë rënien e totalitarizmit, vetëm për t’u zhgënjyer thellë nga pasojat.

Demokracia liberale, sidomos në versionin e saj të Evropës Perëndimore, rezultoi të jetë as veçanërisht demokratike dhe as liberale në kuptimin e saj original dhe ideal. Në retrospektivë, ai pranon se duhet ta kishte kuptuar se për aq sa liberalizmi është një ideal, ai është ndërkaq edhe utopik, pasi askund tregu nuk është plotësisht i lirë dhe në asnjë vend shteti thuajse mungon.

Në të njëjtën mënyrë, asnjë vend nominalisht komunist nuk ka zhdukur asnjëherë të gjithë pronën private. Por utopia nënkupton ideologjinë- emri i mesëm i Demonit. E popullarizuar në mos e shpikur në fakt nga Marksi, ideologjia, shkruan Legutko, supozon se besimet e njerëzve janë të përcaktuara nga rrethanat e tyre socio-ekonomike, dhe si e tillë, ajo “është një mjet i përshtatshëm në konfliktet politike:të  lejon të diskreditosh kundërshtarin pa hyrë në argumente thelbësore.

“Për marksistët, është e mjaftueshme të identifikosh përkatësinë klasore të dikujt që çdo lloj bisede të bëhet e tepërt; demokracitë liberale thjesht e zgjeruan bazë për një alieanim po

aq anti-racional, duke përfshirë racën dhe gjininë. Kjo është dëshpëruese, por nuk duhet të na habisë, argumenton Legutko:”Prania e madhe e ideologjisë në shoqëritë liberale-demokratike dhe komuniste mund të shpjegohet lehtësisht. Shkaku kryesor është barazia, të cilës të dyja regjimet i dhanë statusin e vlerës më të lartë dhe e bënë një parim rregullator”.

“Larg nga të përjashtuarit njëra-tjetrën, barazia dhe despotizmi janë në të kundërt të lidhura ngushtë. Në mënyrë që t’i bëjnë të barabartë anëtarët e shoqërisë, “është e nevojshme të pajisen institucionet kontrolluese me fuqi të jashtëzakonshme për të mundur të shtypin çdo kërcënim të mundshëm ndaj barazisë në çdo sektor të shoqërisë dhe çdo aspekt të jetës njerëzore”.

Është e vështirë të mohohet se demokracitë perëndimore janë larguar prej kohësh nga koncepti formal bazik i barazisë para ligjit, i cili qëndron në thelbin e liberalizmit klasik. Duke ndërmarrë hapin tjetër, larg barazisë së mundësive dhe drejt barazisë së rezultatit, duke u ekspozuar ndaj shpateve të rrëshqitshme.

Ngritja pasuese e barazisë si vlera përfundimtare sociale, e shkatërroi lirinë e mendimit, të krijimtarisë artistike, shprehjes fetare, si dhe respektin për traditën dhe kulturën, duke i rrënuar këto shtylla të shenjta të qytetërimit deri në pikën e zhdukjes së afërt të tyre. Legutko është tronditur nga ajo që ai e sheh abdikimin e demokracisë liberale në favor të asaj që e konsideron një “mekanizëm tinzar të fuqishëm unifikues, që sheshon dallimet mes njerëzve dhe imponon uniformitetin e pikëpamjeve, sjelljes dhe gjuhës”.

Ai vlerëson si Aleksis dë Tokëvil dhe Ortega y Gasset në  njohjen e faktit se demokracia, pavarësisht nga përfitimet e saj të shumta, ka një aftësi për të ”ndryshuar të gjithë mendësinë e shoqërisë duke e privuar atë nga të gjitha impulset intelektuale dhe psikologjike, zakonet shoqërore dhe aspiratat, që sado krijuese dhe të vlefshme, nuk përputhen me praktikat demokratike”.

Diktatura e proletariatit mund të përmbysë klasat, por diktatura e demokracisë u heq atyre. shpirtin. Ky denoncim i sinqertë dhe me forcë i korrektësisë politike, dhe refuzimi i ndryshime të liberalizmit perëndimor, është i rekomandueshëm. Megjithatë, në këtë rast nuk mund të na ndihmojë pyetja nëse zhgënjimi ndaj tradhtisë së demokracisë liberale, një ndjesi që ndahet gjerësisht në mesin e ish-disidentëve antikomuniste në Evropën Qëndrore, nuk është si dëshpërimi i një dashnori, që zbulon se objekti thuajse hyjnor i pasionit të tij ka mëkatuar, dhe është i destinuar të ndëshkohet përjetësisht.

Por a ka demokraci liberale përtej shpengimit? Sigurisht, marksizmi qe i dënuar gjithmonë nga logjika e tij, duke pasur parasysh ekuacionin i tij të thjeshtë që barazonte pronën me lakminë; koncepti se pushteti shtetëror do të zhdukej sapo askush të mos zotërojë asgjë, ishte tejet absurd. Tërheqja e madhe ndaj tij, shpjegohet me barazimtarinë e pakompromistë të mesazhit të tij, i maskuar lehtësisht nën një ambalazh humanitar, që efektivisht fsheh zilinë dhe pakënaqësitë që e motivojnë, edhe pse në mënyrë të pavetedijshme janë pjesa më e madhe e mbrojtësve të saj.

Liberalizmi, që fokusohet kryesisht tek liria, e ka ende një shans. Pasi po të mbrohej nga dispozitat kushtetuese në fuqi, sistemi liberal demokratik nuk duhet të dorëzohej ndaj Demonit të barazisë, dhe ende mund t’i shpëtojë tundimit totalitar.

Legutko ka në mendje jo Demonin e zakonshëm, por atë Faustian, oferta e të cilit për lumturi në këtë botë erdhi në kurriz të përjetësisë. Ashtu si Fausti, njeriu modern, sikurse e sheh Legutko, iu dha joshjes ndaj teknologjisë, duke hedhur poshtë historinë dhe traditën, që është shpirti i tij i vërtetë. “Krijuesit e modernitetit-Makiaveli, Hobsi dhe Bejkëni- e panë veten si pionierë të së resë që me guxim i ktheu shpinën së kaluarës”, dhe bashkë me të gjithçkaje që është e çmuar dhe e vërtetë, shkruan Legutko. Kështu ai beson se edhe komunizmi dhe demokracia liberale kanë përqafuar në mënyrë fatale idenë e progresit” me të gjitha pasojat e saj, duke qenë një degë e natyrshme e fuqisë së teknologjisë”

Për këtë Legutko fajëson Prometeun, të cilin modernizmi e bëri një hero për dhuratën e tij teknologjike, për të cilin të lashtët thanë se “kishte një potencial të fuqishëm për t’i bërë njerëzit të barabartë me perënditë”. Pra, kështu vepron edhe Prometeu/Gjarpri Biblik që tundoi njerëzimin drejt modernitetit, barazisë dhe progresit. Pra një eskatologji e plotë, dëshpërohet Legutko. Por ky vizioni determinist është i pajustifikuar.

Në asnjë mënyrë përparimi në rrafshin e dijeve, nuk nënkupton zhvendosjen e kulturës nga teknologjia. Modernizmi nuk nënkupton në mënyrë të pashmangshme praktimin e “një kulti të teknologjisë, (e cila) vetëpërkthehet në pranimin e inxhinierisë sociale si qasja e duhur për reformimin e shoqërisë, duke ndryshuar sjelljen e njeriut dhe zgjidhur problemet sociale ekzistuese”.

Legutko është pa diskutim i saktë në paralajmërimin e tij se mohimi i karremit të rrezikshëm të përparimit shkencor, shkakton tundimin e trajtimit të qenieve njerëzore si automatë në mënyrë që t’i “reformojnë” ata, duke shpërfillur spiritualitetin e tyre themelor, dhe arratinë e vetevetes drejt hiçit. Libri i tij na kujton me elokuencë se sa pranë humnerës ndodhemi. Ai meriton një audiencë më të gjerë.

Shënim: Juliana Geran Pilon është bashkëpunëtore në Institutin e Aleksandër Hamilton për Studimin e Qytetërimit perëndimor. Pas mbrojtjes së doktoratës në filozofi në Universitetin e Çikagos, ajo ka dhënë mësim në disa universitete, duke përfshirë atë të Mbrojtjes Kombëtare, dhe është autor e shtatë librave, më i fundit “Takim i shpirtrave:Ringjallja e Evës.

“Washington Free Beacon” – Në shqip nga www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button