Analiza

Turbullira në rrugën e Ballkanit drejt demokracisë

Nga Judy Dempsey

Korrupsioni dhe sulmet ndaj lirisë së shtypit, janë duke u bërë mëse të zakonshme në Ballkanin Perëndimor, por Bashkimi Evropian mbetet tepër pasiv në trajtimin e tyre

Screen Shot 2015-04-23 at 21.34.20

Ballkani Perëndimor nuk është në gjendje të mirë. Dy dekada pas luftës në Bosnje Hercegovinë dhe 16 vjet pas luftës në Kosovë, demokracia, shteti i së drejtës dhe liria e shtypit kanë zënë rrënjë shumë ngadalë. Dhe kjo, pavarësisht ndihmës së madhe financiare që Bashkimi Evropian ka lëvruar në të gjithë rajonin.

Kjo situatë kontraston me premtimin, se një ditë këto vende, Shqipëria, Bosnje Hercegovina, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, dhe Serbia do të bëhen anëtarë të BE-së. Perspektiva e anëtarësimit në union është përdorur shpesh si një nxitje për reformat dhe demokratizimin e shoqërive të këtyre shteteve. Duket se tashmë jo më. Sipas një studimi të ri nga ana e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, liria e shtypit është nën sulm, ndërsa korrupsioni, ekonomia informale dhe paqëndrueshmëria politike po pengojnë investimet.
E kombinuar së bashku, kjo përzierje të çon jo vetëm në rritjen e papunësisë dhe në një brez të rinjsh të pakënaqur. Kjo situatë, minon gjithashtu arritjet e bëra gjatë viteve të shkuara, në përpjekje për të konsoliduar tranzicionin e vështirë drejt demokracisë, në këtë pjesë të Evropës. Sigurisht që BE-ja është në dijeni të këtyre zhvillimeve negative. Dhe nëse është kështu, atëherë çfarë po bën për t’i trajtuar ato? Marrim në shqyrtim erozionin gradual të lirisë së shtypit. Një raport i kohëve të fundit, mbi gjendjen e mediave në Bosnje Hercegovinë, Maqedoni, dhe Serbi tregon shumë qartë sesi gazetarët janë duke u frikësuar dhe ngacmuar, kur shkruajnë për korrupsionin politik dhe ekonomik.

Raporti, i botuar në mars nga Fondi Evropian për Ballkanin, argumenton se autoritetet në shumicën e këtyre vendeve po ndërhyjnë gjithnjë e me tepër në përmbajtjen editoriale.
Fondi Evropian për Ballkanin, është një iniciativë e përbashkët e disa fondacioneve evropiane, të angazhuara në punën me shoqërinë civile dhe promovimin e demokracisë në Ballkan. Ato janë “Robert Bosch Stiftung”, “Fondacioni King Baudouin”, “Compagnia di San Paolo”, dhe “ERSTE Fondation”.

Përderisa sektori shtetëror luan ende një rol thelbësor në ekonomitë ballkanike, ndikimi i saj mbi median është i konsiderueshëm. Ai është shpesh një nga burimet kryesore të

të ardhurave nga reklamat për gazetat. Kjo lidhje midis politikës, ndërmarrjeve shtetërore dhe sektorit publik, inkurajon ndërhyrjen e shtetit në media. Gazetat i janë mirënjohëse shtetit për reklamat. “Në kushtet, kur politika elektorale është shpesh tejet konkurruese, por shteti ligjor nuk është i plotë, tundimi është i madh për ata që janë në pushtet, apo ata që kërkojnë pushtet, për t’i bërë presion medias në ndjekje të axhendave të tyre politike” – thuhet në raportin e fondit.

Dokumenti është shumë kritik mbi faktin sesi Serbia, një vend kandidat i BE-së, po godet mediat e pavarura, veçanërisht “Balkan Insight”, një botim i Rrjetit Hulumtues i Rrjetit Ballkanik (BIRN). Një organizatë e pavarur, BIRN ka monitoruar qeverisjen, gjyqësorin dhe trajnimin e gazetarëve në rajon. Së fundmi, BIRN hetoi sesi kompania serbe e energjisë “Elektroprivreda Srbije” i kishte dhënë një kontratë për rehabilitimin e minierës shtetërore Tamnava, një konsorciumi të dy kompanive, me asnjë përvojë të rëndësishme në këtë fushë.

Një prej drejtorëve është aktualisht në gjyq për evazion fiskal. Kryeministri serb, Aleksandar Vuçiç, i quajti autorët e investigimit të BIRN “gënjeshtarë”, duke thënë se ata “janë paguar nga zoti Majkëll Davenport”, kreu i delegacionit të BE- së në Beograd, “për të folur kundër qeverisë serbe”.

Sipas raportit të Fondit Evropian për Ballkanin, “ekzistojnë tendenca të qarta autoritarizmi në qeverinë aktuale, që gjejnë shprehjen e tyre më të prekshme në instrumentalizimin e mediave dhe në sulmet e pamëshirshme, mbi ata që vazhdojnë të raportojnë të vërtetën”.
Situata në Bosnjen fqinje, që nuk ka qenë ndonjëherë rozë për median, është përkeqësuar edhe më shumë kohët e fundit. Zyrat e “InterSoft”, një kompani interneti që zotëron “Klix.ba”, një portal popullor lajmesh, u kontrolluan kohët e fundit nga autoritetet në Republikën Srpska, një nga dy entitetet që përbëjnë Bosnje Hercegovinën. Agjensia e lajmeve akuzohej se kishte zbuluar një skandal ryshfeti në nivelin më të lartë politik. Përveç kësaj, Bosnja tashmë ka një ligj të ri mbi rendin dhe qetësinë publike. Legjislacioni penalizon njoftimet e mediave sociale, që gjoja shqetësojnë rendin publik ose kanë përmbajtje të pahijshme apo fyese. Ligji ka “rritur frikën se autoritetet mundet në të ardhmen të kërkojnë të marrin masa të ashpra, ndaj shprehjeve në internet në rrjete të tilla si Twitter apo Facebook” – shton raporti.

Në Maqedoninë aty pranë, liria e shtypit dhe qeverisja përkeqësohet nga java në javë. Që nga viti 2006, partia nacionaliste VMRO-DPMNE po qeveris Maqedoninë, me Nikola Gruevskin si kryeministër. Gjatë kësaj kohe, ky i fundit e ka kthyer republikën nga një demokraci të premtuar dikur, në një bazë të populizmit dhe korrupsionit, sipas organizatave të shoqërisë civile.

Në shkurt, opozita maqedonase me në krye socialdemokratët, akuzuan Gruevskin dhe Sasho Mijalkovin, shefin e shërbimeve

sekrete, për organizimin e përgjimit të paligjshëm të më shumë se 20 mijë njerëzve, gjatë të paktën 4 viteve.
“PEN International”, shoqatë botërore e shkrimtarëve, ka dënuar ndërkaq edhe raportet e vëzhgimit të paautorizuar dhe presionin mbi mediat. Vetë BE-ja është larg të qënit i paqortueshëm në raport me këtë gjendje. BIRN, Fondi Evropian për Ballkanin, dhe fondacione të tjera kërkojnë që komisioneri evropian i zgjerimit, Johanes Hahn, dhe Shërbimi i Veprimit të Jashtëm Europian, të jetë shumë më kritikë dhe të hapur për atë që po ndodh me mediat në rajon.

Hezitimi i tyre për ta bërë këtë, po zhgënjen një brez të ri gazetarësh, të cilët kanë nevojë për BE-në për të mbrojtur atë parim, që tek e fundit BE e ka bërë një nga vlerat e saj thelbësore. Nëse kjo nuk arrihet, as demokratizimi dhe as stabiliteti në oborrin e Evropës s’mund të merret si i mirëqenë. /“Carnegie Europe”/ Bota.al

Leave a Reply

Back to top button