Analiza

TURQI / “E morën një shuplakë otomane. Tani do ta paguajnë grushtin e shtetit”

Erdogan pas fitoresKutitë e këpucëve të mbushura me para, përgjimet kompromentues, ligjet kundër lirisë dhe mbyllja e Twitter dhe YouTube nuk e kanë sprapsur as me një milimetër popullaritetin e kryeministrit turk, Rexhep Taip Erdogan, i cili drejton qeverinë e vendit që nga viti 2003. Nëse zgjedhjet administrative ishin konsideruar një referendum për qëndrimin e tij në pushtet, ndeshja është fituar. “Kush merr Stambollin, fiton Turqinë”, kishte deklaruar ditët e fundit Kryeministri. E pra, AKP, partia filoislamike në qeverisje, është konfirmuar e para në megalopolin mbi Bosfor me shifra që rrotullohen tek 49 përqindëshi, dhe ka arritur të marrë edhe Ankaranë, kryeqytetin që shumëkush mendonte se do ta fitonte opozita. Partia për drejtësi dhe zhvillim duket se ka kaluar edhe rezultatin e zgjedhjeve të kaluara administrative (2009), kur kishte ngelur tek 39%. Këtë herë ka kaluar 45%.

Në mbrëmje vonë, Kryeministri është shfaqur në ballkonin e selisë qendrore të AKP në Ankara. Pranë tij, bashkëshortja Emine, bijtë Bilal dhe Symeye dhe njerëzit më besnikë të tij. “Turqia është krenare për ty”, thërriste turma në festë. “Falënderoj Zotin dhe popullin turk, ka thënë Kryeministri me zërin si gjithmonë ushtues. Jua kisha thënë që do të fitonim ne. Tani, ata që kanë bërë këtë grusht shteti do ta paguajnë. Politikës së përgjimeve populli iu përgjigj me një shuplakë otomane”.

Dita elektorale kishte nisur me një mosmarrëveshje mbi orën legale: duhej të hynte në fuqi që në mesnatën e të shtunës por në momentin e fundit u vendos që gjithcka të shtyhej me 24 orë. Rezultati ishte që disa zgjedhës, të gënjyer prej celularëvë që e ndërrojnë orën automatikisht, ishin paraqitur para kutive të votimit 1 orë më herët.

Që era frynte në favor të AKP dhe udhëheqësit të saj karizmatik ishte kuptuar që në fillim, po të flisje me ata që prisnin në radhë. “Po cfarë skandali korrupsioni, gjithcka është një sajesë e Gylenit!” thoshte, duke parë me mosbesim gazetarin, një zotëri 50-vjecar, i ndjekur nga disa gra të mbuluara në Cihangir, një lagje kozmopolite e Stambollit. Pas tij, një grua bjonde me syze dielli: “Vë bast që Erdogani do të marrë më shumë vota se sa zgjedhjet e kaluara administrative”.

Ka hidhërim të madh mes të rinjve të shoqërisë civile që janë ofruar të bëheshin vëzhgues për mbrojtjen e votave. Shumë prej tyre kanë qenë në Gezi Park dhe kanë votuar për Mustafa Sarigylin, kandidati i CHP në Stamboll. “Nëse i fitojnë këto zgjedhje, kemi marrë fund – thoshte Turkan, një prej protestueseve më pasionante – mendoj që do të largohem, edhe pse e dua shumë këtë vend. Baza e AKP nuk di cfarë të bëjë me lirinë, ata u besojnë teorive të komplotit sepse janë si ato bashkëshortet e tradhëtuara që nuk duan të shohin”. Nuk bie dakord ambientalisti Mustafa Nogay: “E dinim që Erdogani nuk do të dorëzohej, është një proces i gjatë. Nuk mund të fitohet në një vend ku hajdutët mbrohen”.

Heshtje nga selia e CHP. Partia Socialdemokrate e Kemal Kiliçdaroglu ka mbetur në 28%, një rezultat shumë më i ulët se sa pritshmëritë. Sot, harta e Turqisë ka një njollë të madhe të verdhë. Ngjyra e AKP.

Leave a Reply

Back to top button