Analiza

Turqi, politika e lodhjes

Elif Sharak*

Pas vrasjeve të tmerrshme në Paris në revistën Charlie Hebdo, dhe në mesin e një rritjeje si të Islamofobisë, ashtu edhe numrit të antiperëndimorëve, Turqia mund të kishte qenë një zë bashkues, një vend modern, pluralist mysliman me një traditë të fortë laike. Por nuk është kjo fryma mbizotëruese

stamboll

Përpara një interviste të kohëve të fundit në Stamboll, po flisja me gazetaren në lidhje me politikën turke. Pas 15 minutash, ajo largoi vështrimin dhe më tha duke ulur zërin, sikur të donte të më besonte një sekret: “Ndonjëherë është shumë e lodhshme që të jesh turk/e”.
Kjo lodhje mendore shkaktohet në pjesën më të madhe prej politikës. Presidenti Erdogan dhe kuadrot e tij kryesorë kanë zgjedhur një strategji përçarëse, duke zgjedhur armiqësinë në vend të kompromisit, si dhe një politikë dualiteti në vend të kulturës së kompromisit. “Një e qeshur në publik, a do ta dëmtonte modestinë e një gruaje?”. “A duhet të mbajnë buzëkuq stjuardesat turke të Turkish Airlines dhe nëse jo, cila ngjyrë do të ishte e lejueshme?” “A duhet të konsumojnë ayran (pije me kost) qytetarët patriotë, në vend të rakisë?” “A mos gratë shofere që ngasin makina të kuqe, janë votuese të partisë opozitare?”
Lodhja e padurueshme është veçanërisht e madhe mes intelektualëve liberalë dhe grave. Liberalët nuk përbëjnë një numër të madh të turqve, por ata janë një matës i rëndësishëm, përkundrejt të cilit mund të gjurmohet trajektorja e Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim. Kur partia erdhi fillimisht në pushtet në vitin 2002, liberalët e mbështetën. AKP (inicialet e partisë në turqisht), ishte pro reformave dhe pro Bashkimit Europian. Pritej që të promovonte të drejtat dhe liritë qytetare, një ide kjo shumë inkurajuese, pas tre grushteve ushtarakë që nga viti 1960, njëri më i keq se tjetri. Por, ndërkohë që partia rrëshkiste drejt autoritarizmit, liberalët u lanë mënjanë.
Gjatë një darke për Vitin e Ri në Stamboll, dëgjova miqtë e mi liberalë të më thoshin: “Ka dy rrugë për këdo që nuk mbështet AKP-në: Ose do të bëhemi budallenj apolitikë, ose politikanë të hidhur. Dhe nëse nuk do të bëhesh as budalla e as i hidhur, atëherë paç fat!”
Disa liberalë kanë heshtur, por të tjerë qëndrojnë në opozitë të fortë, ndërkohë që ka nga ata që merren me vetëkritika. “Nuk ishte mbështetja për më shumë zhvillime demokratikë dhe pluralistë…  ajo ku ne gabuam. Ishte dështimi për të parashikuar se kufijtë e AKP-së do të bëheshin kaq të ngushtë”, shkruante shkrimtarja dhe sociologia turke, Oya Baydar. “Ata që thoshin dikur se AKP vetëm po bënte gjoja sikur ishte demokratike dhe se me kalimin e kohës do të zëvendësonte despotizmin ushtarake me një despotizëm civil… kanë patur të drejtë”.
Sot, liberalët shihien me përçmim nga kampi anti AKP, për shkak se kanë qenë shumë të butë dhe naivë. “Në fund të fundit, a nuk ishin ata, ashtu sikurse dhe intelektualët e majtë në Bashkimin Sovjetik në vitet 1950 dhe 1960, “idiotët e dobishëm” të AKP-së dhe Erdoganit?” shkruante Ariane Bonzon, një gazetare francezeë që mbulon Turqinë dhe Lindjen e Mesme.
Mes grave neokonservatore të Turqisë – të paktën gjysma e 48%-shit që nuk votoi Erdoganin në zgjedhjet e fundit – ka një shqetësim në rritje për faktin që AKP ka prirje të fusë hundët në jetët e tyre private. Në të kaluarën, deklaratat seksiste të politikanëve meshkuj janë parë si shpërthime spontanë.
Sot, ato shihen si pjesë e një fushate sistematike ideologjike ogurzezë, për të kufizuar gratë në rolet tradicionalë të gjinive. Pasi ministri i Shëndetësisë, Mehmet Muezzinoglu vizitoi beben e parë të lindur në vitin 2015, ai deklaroi: “Nënat nuk duhet të vendosin asnjë karrierë tjetër përveç mëmësisë në qendër të karrierës së tyre”.
Reagimi ishte i menjëhershëm. Gratë turke kanë dëgjuar zyrtarë të lartë të flasin për tema si aborti, lindjet me operacion, kontraceptivët dhe stilin e veshjes. “Më ka ardhur në majë të hundës me gjithë këta komente seksistë, që na thonë vazhdimisht ne grave se si të jetojmë jetët tona”, shkruante Ayse Arman në gazetën Hurryet. U organizuan protesta në të gjithë vendin. Kur unë fola në lidhje me nevojën për një lëvizje të pavarur të grave si dhe një narrativë të re për të lënë pas ndarjet, disa gra me shami në kookë thanë se do të ishte e vështirë të punonin me feministet, sepse interesat e tyre ishin injoruar në të kaluarën.
Ky reagim flet shumë për një prej pengesave më të mëdha të Turqisë: mënyrën se si e kaluara i jep formë të ardhmes. Një ndjesi viktimizimi e ka mbërthyer shoqërinë, dhe ka një cikël konstant ndëshkimi që krijon viktima të reja.
Pas vrasjeve të tmerrshme në Paris në revistën Charlie Hebdo, dhe në mesin e një rritjeje si të Islamofobisë, ashtu edhe numrit të antiperëndimorëve, Turqia mund të kishte qenë një zë bashkues, një vend modern, pluralist mysliman me një traditë të fortë laike. Por nuk është kjo fryma mbizotëruese.
Erdogani fajësoi Perëndimin për vrasjet. “Si myslimanë, ne nuk kemi marrë pjesë asnjëherë në masakra terroriste”, tha ai. “Prapa këtyre qëndron racizmi, gjuha e urrejtjes dhe Islamofobia. Po luhen lojëra me botën Islamike – duhet të bëjmë kujdes”.
Ata që kritikojnë qeverinë akuzohen se nuk janë patriotë, apo më keq, se janë gurë shahu të fuqive perëndimore që përpiqen të shkatërrojnë Turqinë. Viktimat më të fundit përfshijnë Miss Turqinë e 2006-ës, Merve Buyuksarac, e cila u mor në pyetje sepse kishte fyer Erdoganin në llogarinë e saj në Instagram; dhe Sedef Kabas, një gazetare dhe spikere televizive, e cila u ndalua nga policia sepse kishte shkruajtur në internet për mbulimin e një skandali qeveritar korrupsioni. Një prej aktorëve më të famshëm në vend, Tamer Karadagli tha: “Artistë, biznesmenë… të gjithë jemi të trembur”.
Lodhja vazhdon. Hendeku mes Turqisë dhe Perëndimit zgjerohet. Nëse ne si turq nuk gjejmë një rrugë për të rrokur idealet e shoqërisë së lirë, debatit të hapur, kulturës pluraliste dhe barazisë gjinore, nuk do të jetë thjeshtë një dështim i demokracisë, por do të jetë dhe një dështim i imagjinatës dhe vullnetit./NYT/
Elif Sharak është shkrimtare turke, autore e “Bastardja e Stambollit” dhe “40 rregullat e dashurisë”
e.gj./www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button