Analiza

Turqia, “çelësi” i përhershëm i zgjidhjes së krizës

Nga Didier Billion*

Më tepër se t’i bëjnë moral Ankarasë, fuqitë perëndimore do të ishte mirë që të përpiqeshin të kuptonin vizionin që kanë turqit për mjedisin e tyre gjeopolitik, sepse ata do të vazhdojnë, në këtë zonë gjeopolitike, të ushtrojnë një influencë të fortë pas zgjidhjes së krizës aktuale

Turkey flag

Qysh preh disa javësh, Turqia është kritikuar nga shumë media perëndimore për lojën e saj “të dyfishtë” apo “të trefishtë” kundrejt Organizatës së Shteteve Islamike (OEI) dhe luftimeve që vazhdojnë përreth qytetit të Kobane-s qysh nga mesi i muajit shtator. Turqia ka kërkuar të organizojë një operacion tokësor për të shpëtuar qytetin, ndërkohë që në të njëjtën kohë, asnjë nga anëtarët e koalicionit heteroklit kundra-xhihadiste nuk dëshiron të zbatojë një aksion të tillë. Edhe një herë paaftësia e aktorëve rajonalë dhe ndërkombëtarë që të kenë objektiva afatgjatë i ka mbyllur në kontradiktat e tyre dhe i detyron të reagojnë herë pas here.

Sfida për Turqinë nuk është se ajo po luan një lojë hipotetike të dyfishtë, apo të trefishtë. Ajo është kapur në kurthin e menaxhimit të dosjes siriane, në të cilin ka ngecur qysh prej më tepër se tre vjetësh.

Në fakt qysh në verën e vitit 2011, Ankaraja nuk ka reshtur së vepruari për rënien e regjimit të Bashar Al-Assadit. Për të realizuar këtë, ajo ka zhvilluar një politikë mbështetëse të pakushtëzuar për shumë grupe rebelësh dhe kryengritësish sirianë, dhe të paktën ka dhënë prova të një dashmirësie reale kundrejt grupeve islamiste më radikale – Fronti Al-Nusra dhe sidomos OEI – të cilët janë përfshirë në gjirin e kësaj kryenngritje.

Sa herë kemi dëgjuar drejtuesit e Partisë së Drejtësisë dhe Zhvillimit (AKP) të pohonin që regjimi i Bashar al-Assadit do të rrëzohej brënda një kohe shumë të shkurtër? Krejtësisht gabim i perspektivës, paaftësi për të kuptuar realitetin e shoqërisë siriane dhe për të analizuar raportet e vërteta të forcës në gjirin e saj.

Por këto gabime vlerësimi dhe zgjedhjet politike të gabuara janë saktësisht të njëjtat me ato bëra nga shumica e fuqive perëndimore dhe shumica e shteteve arabe.

Ndryshimi i madh midis Turqisë dhe shteteve të tjera të interesuara është se kurthi i kësaj politike shkatërruese përmbyllet me shumë dhunë, pasi ajo gjendet në vijën e frontit dhe zotëron qindra kilometra kufij të përbashkët me Sirinë.

Por cila është besueshmëria e fuqive të koalicionit që i lejon Ankarasë të bëj moral, ndërkohë që ato vetë kanë kontribuar në vënien në zbatim të një politike e cila çoi në një fatkeqësi?

Edhe në qoftëse duhet t’i rezistojmë arsyetimeve binare dhe “disneyworld”-izimit të botës – ­të mirët nga një anë, të ligjtë nga ana tjetër – politika e zbatuar nga regjimi sirian është sigurisht e dënueshme nga brutaliteti i saj dhe mungesa e një gjykimi të qartë.

Gjithsesi le të kujtojmë marrëdhëniet e shkëlqyera personale dhe politike mes Recep Tayyip Erdoganit dhe Bashar Al-Assadit, apo praninë e këtij të fundit, i ftuar nga Nikolas Sarkozy në tribunën e nderit në Champs-Elysées gjatë parakalimit tradicional ushtarak të festës kombëtare, më 14 korrik 2008.

Madje faktet tregojnë edhe një herë se është e kotë të pretendosh të ndërtosh një politikë duke ceduar në emocionet, aq më tepër që ato në realitet janë shpesh selektive. Politika e një shteti nuk mund të ndërtohet në veprimet mediatike, por duhet një vizion afatgjatë për të promovuar dhe mbrojtur me vendosmëri interesat e tij kombëtare.

Nga kjo pikëpamje, është imperative që e gjithë ndërhyrja ushtarake e organizuar kundra OEI-t të jetë inkuadruar nga një rezolutë e qartë, e votuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB). Pra deklarata e miratuar nga Këshilli i sigurimit më 19 shtator nuk është e tillë.

Është e mira që të gjitha shtetet e rajonit të jenë mobilizuar. Eshtë pra e papërgjegjshme që të shtysh një bashkëpunim aktiv me Republikën islamike të Iranit, i cili është një nga aktorët rajonalë madhorë dhe zotëron pra një pjesë të zgjidhjes.

Gjithashtu kontaktet me regjimin sirian, cilatdo qofshin masat parandaluese që mund të kemi kundrejt tij, janë të nevojshme.

Janë popujt dhe shtetet e rajonit që duhet të përballen me OEI-n, Komuniteti ndërkombëtar duhet të ndërhyjë si mbështetje, mbi bazën e një rezolute të Kombeve të Bashkuara dhe me kërkesën e qeverisë të bashkimit kombëtar iraken. Për të luftuar në mënyrë efikase OEI-n matrica e së cilës gjindet në Irak, është gjithashtu urgjente që të afirmohet autoriteti i qeverisë së bashkimit të Bagdadit, në respektimin e të drejtave dhe detyrave të gjithë forcave të shoqërisë irakene. Me këto kushte, Turqia mund të luajë të gjithë rolin e saj dhe të dalë nga rrjeta në të cilën ajo është futur.

Detyra është shumë e vështirë, pasi ajo përcaktohet nga një parametër i dytë: çështja kurde. Mbi këtë dosje, informacionet e dhëna në media janë të ngatërruara. Turqia shpesh është paraqitur se organizon një politikë antikurde. Ky vlerësim nuk korrespondon megjithatë me kompleksitetin e realitetit.

Nuk ka një pozicion turk antropologjikisht kundër-kurd. Në këtë kontekst mund të konstatojmë, qysh prej shumë vitesh bashkëpunime të ngushta ekonomike, politike, kulturore midis Ankaras dhe Rajonit autonom të Kurdistanit të Irakut.

Në fillimet e tij, procesi i autonomisë progresive i kurdëve të Irakut qe perceptuar sigurisht shumë keq, por qysh prej viteve 2005-2006, Ankaraja u bë një nga partnerët kryesorë tregtarë të këtij entiteti kurd. 70% e importeve irakene të produkteve turke janë pikërisht me provincën kurde­, ku gjithnjë e më tepër po investojnë ndërmarrje turke.

Autoritetet turke shohin me një sy të shqetësuar rritjen e fuqisë të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) dhe projektimin e saj sirian, Partia e bashkimit demokratik (PYD). Kujtojmë se PKK është në luftë kundra shtetit turk qysh prej vitit 1984 dhe ky konflikt ka shkaktuar më tepër se 45.000 të vdekur. Kërkesat e fuqive perëndimore pranë Ankarasë që ajo t’i japë një mbështetje luftëtarëve të PKK,­ organizatë gjithmonë e klasifikuar në listën e organizatave terroriste nga vetë fuqitë perëndimore, nuk janë mirëpritur nga Turqia.

Prandaj nuk bëhet fjalë as për lojë dyfishe dhe as për trefishe, por nga frika që shohin një entitet kurd të kristalizohet në veri të Sirisë i drejtuar nga udhëheqësit e PKK. Edhe për këtë dosje duhet që me inisiativë politike, kjo situatë delikate të zhbllokohet. Një proces negociatash me PKK ka filluar nga autoritetet turke qysh prej dy vitesh. Për shumë arsye, ende sot ky proces nuk ka përfunduar.

Nuk ka asgjë më urgjente se sa të riaktivizohet ky proces, me qëllim që të arrihet një kompromis politik midis autoriteteve politike të Ankarasë dhe të PKK-së. Me këtë kusht, çështja kurde e cila është sfida më e rëndësishme e politikës aktuale të Turqisë, mundet më në fund të marrë rrugën e një rregullimi të pranueshëm nga palët e ndryshme. Kritikat e bërë Turqisë shpesh janë të pjesshme dhe të pajustifikuara dhe pengojnë që të vihet gishti në shkaqet e vërteta të vështirësive aktuale që po kalon vendi.

Më tepër se t’i bëjnë moral Ankarasë, fuqitë perëndimore do të ishte mirë që të përpiqeshin të kuptonin vizionin që kanë turqit për mjedisin e tyre gjeopolitik, sepse ata do të vazhdojnë, në këtë zonë gjeopolitike, të ushtrojnë një influencë të fortë pas zgjidhjes së krizës aktuale.

  • Zëvendës drejtor i Institutit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare Strategjike
  • PERGATITI: S. Metani – www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button