Analiza

TWITTER-i KUBAN / Si u gjendën frimasonët dhe USAID-i në mesin e komplotit për rrëzimin e regjimit

Jeff Stein

Eshtë një rrëfim i pazakontë për tre qytete, që nis bay of pigletsnë Damask, vazhdon në Uashington dhe përfundon tragjikisht në një burg të Havanës. Personazhet kryesorë duken si të nxjerrë nga një triller spiunazhi i Luftës së Ftohtë, spiunë amatorë të gjendur në mesin e një tjetër komploti të dështuar për të rrëzuar regjimin kuban.

Në nëntor të vitit 2010, një biznesmen nga Uashingtoni me emrin Akram Elias udhëtoi për në Damask, me një propozim të fshehtë për të lustruar imazhin e regjimit sirian në Uashington. “U gëzova që të takova sot në mëngjes”, i shkruajti Eliasi, një amerikan me origjinë nga Libani, Bouthiana Shabaanit, zëdhënëses së kahershme të presidentit Bashar al-Assad, në një email që është bërë publik prej Wikileaks-it. Vetëm gjashtë muaj më vonë, administrata Obama kishte vendosur sanksione ndaj Sirisë, për mbështetjen e saj për grupet terroristë si dhe për faktin që po përpiqej të siguronte armë të shkatërrimit në masë.

Eliasi u dha sirianëve një “strategji komunikimi” me një faqe, të nxjerrë nga “librat” standartë të lobistëve, strategji qe kishte probleme të rëndë imazhi në Uashingtonin zyrtar. Sigurisht, ideja ishte që të zbutej imazhi i regjimit në Uashington, ndoshta edhe të bindeshin zyrtarët që të hiqnin sanksionet. Cmimi: 22 mijë dollarë në muaj, plus shpenzimet – gjithçka standarte, për një fushatë marrëdhëniesh publike për një regjim bandit.

Ajo që të çudit në këtë rast, është se ndërkohë që Eliasi përpiqej të joshte Damaskun, sipas faqes së tij të internetit Capital Communications Group, ai kishte 18 kontrata marrëdhëniesh publike me 18 agjenci të sigurisë në administratën Obama, duke përfshirë Departamentin e Drejtësisë, Departamentin e Shtetit, Administratën e Luftës kundër Drogës, Departamentin e Sigurisë së Brendshme. Por ai ishte një aktor kryesor edhe në një fushatë të USAID-it për të dëmtuar një tjetër regjim totalitar – Kubën.

Përse Eliasi? Përse Kuba? Sepse, në një tjetër kthesë të çuditshme të ngjarjeve, në kohën kur ideologët e djathtë të USAID-it vendosën ta provojnë edhe një herë për të përmbysur regjimin komunist, Eliasi ishte një zyrtar i lartë i Frimasonëve, organizata e fshehtë disashekullore protestante, me një histori të gjatë në Kubë. Masonët e kanë prejardhjen nga esnafët mesjetarë që ndërtuan katedralet e Europës, dhe prania e tyre në Kubë daton që nga viti 1763, me mbërritjen e anglezëve dhe irlandezëve. Në kapërcyell të shekullit, numri i tyre u rrit prej ardhjes së francezëve, që ishin larguar prej revolucionit Haitian. Një shekull më vonë, ata mund të numëronin mes sivëllezërve të tyre revolucionarë kubanë si Jose Marti. Dhe në vitet 1950, një tjetër revolucionar, Fidel Kastro zhvilloi një simpati për Masonët, kur ata e strehuan në Lozhën Masonike.

Frimasonët i mbijetuan revolucionit të Kastros, por ai i mbajti nën kontroll të rreptë. Megjithatë, anëtarësia ishte e qëndrueshme, dhe me tërheqjen graduale të Kastros nga pushteti pas vitit 2001, Masonët nisën të lulëzojnë. Sot, ata pretendojnë se kanë afro 30 mijë anëtarë në Kubë.

Eliasi emigroi nga Libani në SHBA kur ishte ende adoleshent, në vitet 1970. Në vitin 1996, sipas botimeve të Frimasonëve, ai përqafoi vëllazërinë dhe u ngjit me shpejtësi në lidershipin e Lozhës së Distriktit të Kolumbias. Në vitin 2002, ai bëri një udhëtim të gjatë në Kubë, i pari ndër shumë të tjere, pasi regjimi liroi disi kontrollin ekonomik dhe politik.

Këtu USAID-i mund të ketë parë një mundësi. Që kur u krijua nga administrata Kennedy si një agjenci ndihme humanitare në vitin 1961, logoja e famshme e duarshtrëngimit që ka USAID, ka patur gjithmonë një komponent “grushti”, me një mandat për të ndihmuar njerëzit “që duan të jetojnë në një vend të lirë dhe demokratik”.  Gjatë Luftës së Vietnamit, projektet e tij ishin kaq shumë të ndërthurur me ata të CIA-s, saqë u bënë sinonimë.

Dhe kështu ndodh tani me Kubën. Gjatë administratës së presidentit George W. Bush, programet e “demokracisë” në Kubë të mbështetur nga USAID-i u rritën nga 3.5 milionë dollarë, në 45 milionë dollarë. Edhe pse Kongresi e reduktoi buxhetin e tyre me ardhjen e administratës Obama, dhe i shpërndau në agjenci të tjera duke përmendur mes të tjerash edhe “keqmenaxhimin”, sërish 60-70 milionë dollarë mbetën në dispozicion, sipas The Miami Herald.

Në dhjetor të vitit 2009, Akram Eliasi ndodhej në Havanë për një takim me Alan Gross, një nënkontraktor 63-vjeçar i USAID-it nga Marylandi. Grossi ishte arrestuar natën e 3 dhjetorit 2009, pasi kishte furnizuar me pajisje të përparuara të lundrimit në internet komunitetin e vogël hebraik në Kubë. Aktualisht ai po kryen një dënim me 15 vite burg për tentativë përmbysjeje pushteti në Kubë.

Sipas një dokumenti të paraqitur nga autoritetet kubanë gjatë dhënies së dënimit kundër tij në vitin 2011, Grossi mori një telefonatë në Uashington në nëntor 2009 nga Eliasi, “një ish-Oficer i Madh i Lozhës Masonike të Uashingtonit, që është i njohur për opozicionin e tij ndaj sistemit politik kuban”. Eliasi shprehu interes në “programin e demokracisë në Kubë”, që Grossi po zbatonte për DAI Inc., një kontraktor i USAID-it me qendër në Chevy Chase, Maryland. Ata ranë dakord të takohen për një kafe ditën tjetër.

“Në takim”, sipas dokumentit të dhënies së dënimit nga gjykata kubane, “Eliasi tha se kishte menduar të instalonte sisteme mbrojtës në lozhat masonike kubane dhe ata vendosën të takohen në Havanë, në dhjetor për të folur për më shumë detaje”. Dhe kështu bënë, në Hotel “Nacional de Cuba”, në 2 dhjetor. “Vazhduan aty ku e kishin lënë bisedën në Uashington, me qëllim që të shtrinin projektin e të parit në lozhat masonike në Kubë”. Gjërat shkuan kaq mirë, saqë ranë dakord të takohen sërish ditën tjetër “por takimi i tyre nuk ndodhi asnjëherë”, sipas kubanëve, “sepse mbrëmjen e 3 dhjetorit, i akuzuari Alan Phillip Gross u arrestua”. Atij iu gjetën “dy hard disqe – njëri “Micro Center” dhe tjetri “Kingston” – ku ndodhej pjesa më e madhe e dokumentave që lidhen me projektet e të akuzuarit kundër shtetit kuban”.

Kundërspiunët kubanë nuk ishin thjeshtë me fat në këtë rast, sipas dokumentave të gjyqit. Ata kishin vite që ndiqnin Grossin dhe Masonët. Grossi kishte furnizuar me “një sërë mjetesh, përfshirë një kamera”, Jose Manuel Collera Venton, kryemasonin e ishullit, që në vitin 2004. Kubanët thanë se kamera vinte nga Marc Wachtenheim, i cili punonte për një tjetër kontraktor të USAID-it, Pan American Development Foundation, me zyra shumë pranë Shtëpisë së Bardhë. Në fakt, kundërspiunët kubanë dukej se dinin gjithçka që po bënin amerikanët.

Të paktën një prej arsyeve u mor vesh në prill 2011, kur u zbulua që Jose Manuel Collera Vento, mjeshtër i madh i Lozhës së Madhe të Frimasonëve të Kubës, ishte një agjent i dyfishtë. “Për veprimet e tij, në 1 prill 2011, Collera mori dekoratën më të lartë të Ansamblesë Popullore të Kubës: Escudo Pinareño”, deklaronte me trishtim Masonic Times një ditë më vonë, duke shtuar se “tashmë ai është thjeshtë një kukull e regjimit totalitar”.

Një vit para arrestimit të Grossit, sipas ekspertëve të regjimit, kubanët kishin tashmë akses në internet dhe emaile me botën e jashtme, ndonëse lidhjet ishin të ngadalta. Dhe një vit pas arrestimit të tij, USAID-i i rrezikoi edhe ato liri të brishta duke lançuar në mënyrë klandestine një rrjet kuban të ngjashëm me Twitterin, i quajtur ZunZuneo, përmes një rrjeti kompanish fasadë dhe serverash të huaj – një program i fshehtë veprimi në gjithçka, përvecse në emër.

Po me kë talleshin? Jo me kundërspiunët kubanë, të cilët kanë dekada që zbërthejnë dhe sprapsin komplotet e CIA-s. Dhe as Senatorin Patrick Leahy, kryetar i panelit që mbikëqyr USAID-in, i cili e quajti ZunZuneon “budallallëk, budallallëk, budallallëk”, kur The Associated Press e nxori lajmin dy javë më parë.

Dhe ndoshta “budallallëk” nuk ishte dhe aq keq, duke patur parasysh axhendën e atyre që kishin planifikuar një skemë kaq qesharake. “Nuk bëhet fjalë për të qënurit efektivë”, shpjegon Fulton Armstrong, një ish ekspert për Amerikën Latine në CIA dhe Këshillin e Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë. “Ata e dinë që nuk do ta përmbysin regjimin. Ata e dinë që asetet e tyre në ishull janë kryesisht oportunistë… dhe që regjimi kuban ka demonstruar se, shumë prej marrësve të ndihmës sonë në ishull janë në fakt agjentë kubanë”.

Misioni diplomatik i SHBA në Kubë e dinte që Collera ishte agjent i dyfishtë shumë kohë përpara se Eliasi të takohej me të, sipas kabllogrameve të bëra publikë nga WikiLeaks. Me sa duket, ata nuk i treguan kurrë USAID-it. (Eliasi nuk iu përgjigj emaileve dhe telefonatave për komente, dhe një zëdhënës i USAID-it tha për të: Për momentin nuk kemi të dhëna që ky individ është kontraktor i USAID-it).

“Por sponsorët e programit e dinë”, thotë Armstrong, “se përqëndrimi i politikës tek ndryshimi i regjimit, futja në burg e operatorëve klandestinë, dhe në përgjithësi përpjekjet për të provokuar qeverinë në Kubë mban politikanët e fuqishëm amerikano-kubanë në Uashington në anën e tyre”.

Leahy tha se USAIDI “nuk i kishte thënë absolutisht” atij për aplikacionin klandestin të ngjashëm me Twitterin, ndonëse është kryetar i Panelit të Senatit që harton buxhetin e agjencisë. “Po të më kishin informuar”, i tha ai MSNBC-së, “do të kisha thënë: çfarë dreqin po mendoni kështu?”

NEWSWEEK

Leave a Reply

Back to top button