Analiza

Udhërrëfyes për t’i mbijetuar abuzimit me pushtetin

David Ignatius

Të martën në mbrëmje, pak orë pas njoftimit të papritur të Presidentit Trump, se po shkarkonte drejtorin e FBI-së James B. Comey, një politikan i shquar republikan më dha këtë vlerësim të thjeshtë dhe të sinqertë, për Shtëpinë e Bardhë të Trumpit: “Këta njerëz mua më trembin”.

Vendimi impulsiv e hakmarrës i Trumpit për të shkarkuar Comeyn ka frikësuar shumë njerëz. Ai flet për një zemërim të mbartur dhe mungesë gjykimi, që do të ishin shqetësuese për këdo, e jo më për komandantin e përgjithshëm. Më keq, siç është bërë e njohur tashmë me këtë Shtëpi të Bardhë, vendimi për të shkarkuar Comeyn, fillimisht u rrethua nga një tymnajë, që ia atribuonte shkarkimin, Zëvendës Prokurorit të Përgjithshëm, Rod J. Rosenstein, dhe jo vetë Trumpit.

Uashington Post dhe Nju Jork Tajms e kapën zënkën që fshihej prapa vendimit të Trumpit për të larguar shefin e FBI-së, e cila kishte nisur që nga inaugurimi. “Nju Jork Tajms” e përshkroi Trumpin si “të shqetësuar” dhe “të fiksuar pas besnikërisë”. Uashington Post tha se ishte “gjithnjë e më shumë i shqetësuar”, me një “armiqësi personale” ndaj Comeyt dhe i “zemëruar” që FBI vazhdonte të hetonte Rusinë, dhe jo të ndiqte rrjedhjet e informacioneve në media.

Normalisht, është gjë e zgjuar të mos ekzagjerojmë rëndësinë e ngjarjeve të veçanta. Ato rrallë janë aq tronditëse sa duken në fillim. Por ky mund të jetë një nga ato momente, kur situata më e keqe e mundshme është duke ndodhur: Presidenti me të vërtetë sapo shkarkoi personin, i cili po udhëhiqte një hetim, në të cilin ai vetë, është një objektiv i mundshëm. Si duhet t’i përgjigjen qytetarët e ndërgjegjshëm kësaj?

Një mik arab më tha vite më parë, se për çdo pyetje, ekziston një përgjigje e duhur dhe një përgjigje e vërtetë. Përgjigja e duhur këtu është besimi në sundimin e ligjit dhe institucionet që e ruajnë atë. Kushtetuta është projektuar për t’i bërë ballë streseve politike dhe ka funksionuar shumë mirë.

Përgjigja e vërtetë është se ne varemi, përfundimisht, nga udhëheqësit politikë që kanë bërë betimin për ta zbatuar atë Kushtetutë. Përndryshe, institucionet janë vetëm copa letre. A e kanë politikanët tanë dhe zyrtarët e qeverisë, guximin për të marrë vendime të vështira? A do t’i thonë ata jo urdhërave të pahijshëm dhe të japin dorëheqjen, në vend se t’i zbatojnë ato? A mund t’i shpëtojnë xhaketës së ngushtë të besnikërisë ndaj partisë?

Përgjigja e vërtetë, mjerisht, është se nuk e dimë. Presidenca Trump është një provë. Do të zbulojmë sa të forta janë institucionet tona dhe, nëse ky brez udhëheqësish është i denjë për etërit tanë themelues. Deri më tani, provat janë të përziera. Trumpi ende lëshon postime të tilla si “Lajmi i bashkëpunimit Rusia-Trump është një mashtrim total”, dhe shumë zyrtarë të Partisë Republikane e lënë t’ia hedhë.

Testi i parë i madh, është nëse Rosenstein do të kërkojë emërimin e një prokurori të posaçëm për të hetuar çështjen e Rusisë. Duke pasur parasysh mënyrën se si Rosenstein u përdor nga Trumpi dhe Prokurori i Përgjithshëm Jeff Sessions, si mbulesë për shkarkimin e Comeyt, besueshmëria dhe reputacioni i tij janë në rrezik. Pa një prokuror të posaçëm, shumica e publikut do të dyshojë se ky është vërtet një hetim i pavarur.

Shtëpia e Bardhë duhet të qetësojë nervat e veta, duke kujtuar se ky është një hetim i gjerë kundërzbulimi, i përpjekjeve të Rusisë për të ndikuar në zgjedhjet presidenciale të 2016-ës. Çdo shqyrtim i bashkëpunimit të mundshëm me fushatën Trump do të “përfshihej” në atë hetim më të madh, thekson John Carlin, i cili mbikëqyri hetimin si kreu i Divizionit të Sigurisë Kombëtare të Departamentit të Drejtësisë, deri në tetorin e kaluar, kur u largua për t’u bashkuar me “Morrison & Foerster”, një firmë private ligjore.

Testi i dytë i madh është emërimi i një drejtori të ri të FBI-së. Trumpi sigurisht që është i aftë të marrë vendime të mira në interesin publik: Shikoni ekipin e tij të sigurisë kombëtare, të Sekretarit të Mbrojtjes Jim Mattis, Sekretarit të Shtetit Rex Tillerson dhe këshilltarit të sigurisë kombëtare H.R. McMaster. Ai ka nevojë për një zgjedhje të ngjashme me ta, për drejtorin e FBI-së.

“Agjentët e FBI-së do të shikojnë,” më tha Carlin. “Ata duan të dinë që në krye të zinxhirit, po i raportojnë dikujt që godet drejt”.

Shtetet e Bashkuara kanë parë sjellje të parregullta presidenciale më parë. Skema e plotësimit të gjykatës nga Franklin Roosevelt ishte një kapje e pamatur. Harry Truman shkroi letra të errëta për armiqtë e tij, të cilët më së shumti nuk i dërgoi, dhe urdhëroi një konfiskim të paligjshëm të uzinave të çelikut të Amerikës. Lyndon Johnson shqetësohej në mënyrë obsesive ndaj rrjedhjeve të informacionit, dhe nganjëherë i mashtronte dhe manipulonte miqtë dhe armiqtë e tij, pa dallim. Dhe sigurisht, Richard Nixon mundësoi përgjimin e Komitetit Kombëtar Demokratik dhe gënjeu për këtë në skandalin “ëatergate”.

Abuzimi me pushtetin nuk është gjë e re. Por Shtetet e Bashkuara kanë mbijetuar gjithmonë të paprekura, për shkak se institucionet tona frenuan autoritetin presidencial, dhe gra e burra të mirë bënë të pamundurën që sistemi të funksiononte. Kështu do të dalim edhe nga kjo rrëmujë. / The Washington Post – Në shqip nga bota.al

Leave a Reply

Back to top button