Nunc est Bibendum

Uiski… Një rrëfim i shkurtër për “Ujin e jetës”

 

Nunc est bibendum shkruajmë kryesisht për verë e distilate (në fakt, për uiski në veçanti disi më tepër), pa lënë mënjanë likerna e përzjerje pijesh me bazë alkoolin. Dita e 19 Majit ishte dita Botërore e Uiskit, apo Ujit të Jetës. Në Shqipëri dita mund të ketë kaluar pa aktivitete të dedikuara, megjithë ç’ndodhi tjetërkund, por një rrëfim i shkurtër mbi këtë “hero”, për shumë kohë të jashtëligjshëm, se si u shndërrua e si arriti të zërë vendin që ka sot mes popullit uiski-dashës, mbetet për t’u treguar për miqtë e Nunc Est Bibendum.

Uisce beatha ishin dy fjalët kelte – në gjuhën gaelik – që do të thonë “uji i jetës”, e që u shndërruan ndër vite në fjalën Ëhiskey (uiski), që njohim sot. Ky distilat, apo duke mos gjetur dot ekuivantin në shqip për fjalën spirit, po përdorim termin simpatik spirilëng, (spikatur në një reklamë pijesh alkoolike të viteve njëzetë), nuk e ka shoqëruar aq hershëm sa birra njeriun – rreth 5000 vjet më parë – apo vera – të paktën rreth 6000 vjet më parë – në hapin e tij ndër shekuj. Procesi i distilimit nuk përmendet a përshkruhet përpara viteve të para të shekullit XIII, nga Shkolla e Salerno-s, edhe pse teknikat e distilimit u zhvilluan po ashtu në vendet arabe gjatë epokës së artë, nga shek i VIII-të në shek e XIII-të. Eshtë në sajë të manastireve – për shumë vite mbajtës e kontrollues të mbarë njohurive që kishte akumuluar lloji njerëzor – që këto teknika u ruajtën dhe u konsoliduan, për t’iu rishpërndarë Evropës.

Padyshim që parardhësi i vërtetë i uiskit modern, ishte ai që u krijua në manastiret irlandeze të Mesjetës së vonë dhe tipari më karakteristik i historisë së uiskit ka qenë padyshim distilimi në fshehtësi. Megjithë kërkesën e liçensimit nga Kurora Mbretërore për pijen e uiskit, njohur si “Parliament Whisky”, sipas historianes irlandeze Heidi Donelon, në vitin 179 në Irlandë, teksa numri i distilerive të liçencuara arrinte në vetëm 20, vetëm konteja Donegal ‘’fshihte’’ rreth 800 të tilla. Uiski i prodhuar në këto distileri të paligjshme njihej si poteen whisky, apo uiski kazani, për ta thënë me gjuhën e gjindjes. Në Skoci si edhe në Angli, taksat e para mbi distilimin filluan të aplikoheshin në shekullin XVII. Por ndërkohë industria e paligjshme e distilimit u përhap gjerësisht, kryesisht në zonat e malësive skoceze, dhe përplasjet mes kazanxhinjve tinzarë dhe punonjësve të akcizës u kthyen në esencën e folklorit të uiskit. Shumë libra rrëfejnë për personazhe thuajse përrallash, rrengje dhe arrati të pamundura, si për shembull rasti i një gruaje nga malësitë perëndimore Skocisë, njohur ndryshe si Sara e Gjolit, që vishej si shtrigë për të mbajtur larg fqinjët llafazanë nga kazani/lambiku i saj i distilimit, apo Magnus Euson, kontabandisti famëkeq që nuk ngurronte të fshihte fuçitë e tij, nën qivure. E shumë të tjera tregime me fuçi uiski të shoqëruara nga pulat, nëna që japin gji apo të maskuara mes kortezhesh funebër.

Lambiku a kazani, duhej të ishte fort mirë i fshehur që sipërmarrja të kishte jetëgjatësi, prandaj zgjidheshin vende si shpella të largëta detare, moçalishte që lundroheshin vetëm nga vendasit, etj. Një rast shumë interesant ishte edhe ai lambikut fshehur në një shpellë, me vijën e ujit që e furnizonte nga nëntoka, dhe tymin e devijuar drejt një oxhaku të një shtëpie fshati diku larg. Sipas prof. Tom Devine, profesor e kërkues shkencor në Histori, në Universitetin e Edinburgut, bumi i distilimit ilegal erdhi, edhe sepse pronarët e tokave në veri filluan ta konsiderojnë një formë, përmes së cilës rritej vlera e qerasë së tokave që zotëronin. Çmimet e qerasë në zonat që kishin traditë distilimin, njohën “kërcim” të vërtetë. Shkaku tjetër i boom-it të uiskit ishte kërkesa e madhe. Përpara mesit të shekullit XVIII nuk ekzistonte një treg i mirëfilltë për uiskin. Ndryshe nga ç’mund të mendohet, kërkesa e vërtetë tregtare nuk vinte nga luginat e malësive skoceze, por nga qendra më e madhe urbane në krahinë, Glasgou, që aty nga fillimi i shekullit të XIX ngjante – sipas Devine – me qytetin mëkatar të Gomorra-s. Si një zgjua gumëzhues nga aktiviteti industrial, rritja ekonomike dhe qelbja tipike urbane, qyteti po rritej më shpejt se çdo qytet tjetër evropian i së njëtës madhësi. Sipas Devine, ky ishte momenti kulmor i uiskit, atëherë kur u kthye në një pije të masave. Tërheqja prej uiskit shumë më e madhe se prej birrës. Jeta ishte tepër sfiduese dhe e vështirë në periudhën e parë të urbanizimit, pa u shfaqur gjëra të tilla si kontrollet sanitare dhe shëndetësore. Dhe kështu uiski ishte një lloj vaksine ndaj asaj përvoje ferri, sepse e jepte më shpejt mundësinë e shpëtimit psikologjik nëpërmjet dehjes”.

Në këtë sfond, një ndërhyrje në kohë e një ish-akcizi, nga të gjithë njerëzit, do të kishte një ndikim sizmik në historinë e uiskit. Në vitet 1820, dizenjo të reja të një lloji të ri lambiku distilues filluan të shfaqen. I njohur si lambiku “kolone” apo i “distilimit të vazhdueshëm”, përmes këtij instrumenti të ri përftohej një uiski që ishte më i lartë në vlerë alkoolike dhe me më pak shije e aroma, se sa uiski i distiluar me kazanin tradicional, por në sasi shumë më të mëdha, më shpejt dhe me çmim më të lirë. Aeneas Coffey, ish-Inspektori i Përgjithshëm i Akcizave në Irlandë, modifikoi dizenjot e mëparshme dhe patentoi versionin e tij në vitin 1830. Ka nga ata që mendojnë, se risia e Coffeyt ishte në të vërtetë fillimi i një dekadence për uiskin irlandez. “Distileritë kryesore irlandeze të kohës hodhën poshtë këtë shpikje të re, e cila prodhoi këto uiski të lehta dhe më pak aromatike, pasi ata nuk dëshironin të ndryshonin në asnjë mënyrë tenxhirin e tyre të pasur, shijeplotë dhe të butë”, shpjegon Donelon. Kështu që  Coffey e mori me vete shpikjen e tij në Skoci, ku u përqafua me entuziazëm. Distiluesi i Coffey-it, ndihmoi në krijimin e  një tregu krejt të ri për atë që quhet blended Scotch apo uiski i përzier, duke bërë të mundur eklipsimin e konkurrentit të tij irlandez.

Por ajo çfarë u shërbehej si uiski gjatë shekullit të XIX ka qenë jo pak herë objekt shqetësimi. Eduard Burns, autor i librit “Uiski i keq” (“Bad Ëhiskey”) na përcjell një skandal jo fort të njohur, të atyre viteve. Ekzaktësisht në vitin 1872, redaktori i gazetës “North British Daily Mail” mblodhi 30 kampione uiski nëpër bare e pub-e rreth e rrotull Glasgout dhe i analizoi në laborator. I tmerruar, redaktori zbuloi se pothuajse çdo mostër ishte një “përzierje” e veçantë e uiskit, ujit dhe aditivëve të dëmshëm si psh., distilat rrëshire pemësh, alkool të denatyruar, deri edhe një formë të holluar verniku përveç se acidin, tepër gërryes, sulfurik. Një prej këtyre mostrave kishte rezultuar vetëm vernik dhe ujë. Uiski i mbledhur andej-këtej, jo vetëm nuk kishte shije të kënaqshme, por shpesh ishte edhe helmues.

Të dëmshme ishin edhe – siç dihet mirë edhe sot – përbërjet me përmbajtje vajore, të përftuara aty nga fundi i distilimit, njour ndryshe edhe si fund kazani. Këto janë përgjegjëse për efektin e pakëndshëm të ditës sënesërme, por asokohe, gjatë periudheës së mbretërimit të Mbretëreshës Viktoria, arritën deri aty sa t’i fajësonin këto produkte të distilimit, për sjelljen antisociale shfaqur nga gjindja në qytetet britanike të shekullit të XIX-të. Për ta provuar arritën deri aty sa të bënin dy majmunë “të pafajshëm” që t’i nënshtroheshin një eksperimenti aspak të zakontë. Njërës prej kafshëve iu administrua një uiski i distiluar rishtaz, me alkool të lartë, ndërsa tjetrës një skoç i rafinuar e i maturuar në fuçi druri. Majmuni i parë u shfaq i nevrikosur, nervoz dhe agresiv, i dyti i qetë edhe pse i dehur dhe me sensin e kontrollit krejt të humbur. Rezultatet ishin të njëjta, pasi eksperimenti u përsërit me role të ndërruara.

Eksperimenti me majmunin u krye në kuadër të një kërkese të vitit 1890, nga një Komision i zgjedhur i Dhomës së Ulët, i cili çoi në ngritjen e një Komisioni Mbretëror me detyrën që të përcaktonte: “Çfarë është uiski?”. Raporti i vitit 1909, sqaroi një herë e përgjithmonë se edhe uiski i grurit ishte uiski i vërtetë, se uiski skocez ishte ai që prodhohej në Skoci dhe uiski irlandez, në Irlandë. Në ditët e sotme, por gjithësesi pa llogaritur Brexit-in do të kishte qenë Gjykata Evropiane e Drejtësisë, që duhej të ishte shprehur në gjykim të fundit, lidhur me këto çështje. Brenda disa viteve, legjislacioni vijoi të ndalonte shitjen e uiskit të vjetëruar më pak se tre vjet. Prodhuesit filluan të promovojnë dhe tregtojnë uiskin e tyre, bazuar në prodhimin në respekt të normave të reja, duke e bërë uiskin një nga spirilëngjet më të çmuar dhe më cilësorë në botë.

Në Irlandë sot, nga qindra distileri të liçencuara dikur, tani kanë mbetur vetëm katër, që prodhojnë akoma. Përtej oqeanit, në SHBA, numrit të distilerive të njëfarë dimensioni po i shtohen distileri më të vogla dhe suksesit të bourbon (uiski tipik i përftuar nga misri) po i shtohet edhe ai uiskit të thekrës.

Teksa uiski i vendit ku “ngrihet dielli” është afirmuar tashmë prej vitesh duke njohur vlerësime e fituar çmime, si dhe duke mos zhgënjyer aspak qiellzat e shijestërviturve, më pak të njohura janë distileritë e ngritura në vende si Anglia, Suedia, Belgjika, India, Brazili. Por nëse ka një protagonist të vërtetë në hovin e uiskit në mbarë botën, ai është uiski skocez. Edhe vetë agjenti James Bond – preferencat ndër vite të të cilit ia kemi rrëfyer tashmë lexuesit të Nunc Est Bibendum, shpenzon jo pak mund për një shishe 50-vjeçare, Macallan, në filmin ‘’Skyfall’’. Nga viti 2010 në vitin 2011, eksportet e uiskit skocez arritën në 4.23 miliardë paund. Kjo ishte rritja e shtatë vit pas viti, dhe një rritje prej 62% në eksportet në katër vite. Në vitin 2011 për ndonjë shkurtim të ofertës globale të uiskit, foli një raport që nxirrte në pah një kërkese nga një shtresë e mesme gjithnjë e më në rritje në Lindjen e Largët, ku imazhi i skoçit padyshim ka lënë shenjën e tij. Ndërkohë, sipas Shoqatës së Uiskit skocez, organi që promovon industrinë e skoçit, industria i vlen 125 dollarë në sekondë ekonomisë së Mbretërisë së Bashkuar.

Po përse për ne është ikonë dhe e paripërsëritshme, simbol i një pijeje për zotërinj e çfarë e bën atë të tillë… kësaj do t’i rikthemi së shpejti. Ndërkohë në linjë me shpirtin e Ditës se Uiskit, ndani një shishe të mirë me miq! / Andi Qinami – Bota.al

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close
Close