Uji përbën rreth 60% të gjithë masës së një personi të rritur dhe është një nga elementet kyç të jetesës. Mund të qëndrohet disa ditë pa ngrënë, kurse pa ujë çdokush nga ne do të kalonte në gjendje totale dehidratimi dhe do të vdiste shumë më shpejt. Por parandalimi dhe shuarja e etjes nuk janë i vetmi funksion kryesor i ujit në organizëm.
Ne na duhet uji, së pari, për të ruajtur volumin total të ujit në organizëm. Ne humbasim ujë nga veshkat, nga trakti tretës, nga trakti respirator, si dhe nga lëkura me anë të djersës. E gjithë sasia që humbasim, duhet të zëvendësohet, sepse ulja totale e ujit në organizëm dhe mungesa e zëvendësimit të tij për disa kohë do të shfaqej me uljen e presionit të gjakut dhe humbjen e ndjenjave.
Nga ana tjetër, ne na duhet uji për tretjen e ushqimeve. Tretja është një proces që nis shumë pak në gojë dhe në stomak dhe përfundon më me intensitet në zorrë. Mungesa e ujit do ta bënte të pamundur tretjen dhe akomë më të pamundur gëlltitjen e ushqimeve. Ekziston një sëmundje e quajtur sindromi Sjogren, në të cilën pacientët vuajnë nga mungesa e pështymës dhe lotëve dhe nuk munden dot të kapërcejnë ushqimin. Ata duhet të marrin sasi të mëdha uji për ta realizuar këtë proces, ndaj me shembullin e tyre kuptohet më së miri rëndësia e ujit në këtë aspekt.
Uji ka gjithashtu aftësi të rregullojë ekuilibrat elektrolitikë dhe acidobazikë në organizëm, ekuilibra këto që janë jetikë për një jetesë normale dhe të shëndetshme.
Ndër të tjera, studimet e kohëve të fundit kanë treguar se uji përmirëson humorin, ndihmon në rënien në peshë, si dhe largon procesin e plakjes. Duket paksa e çuditshme, por studimet janë kryer në periudha afatgjata në anëtarë të së njëjtës linje gjenetike me kushte të njëjta mjedisore. Është vënë re shtimi i rrudhave më tepër tek ata që nuk konsumonin mjaftueshëm ujë në ditë (minimalisht 1.5 litra ujë), ndërkohë që personat e tjerë dukeshin më të rinj në moshë. Kjo mendohet se ka lidhje me vetë procesin e hidratimit qelizor që duket se ka ndikim më pas në bllokimin e procesit të plakjes dhe shfaqes së këtij procesi në një periudhë më të mëvonshme. Ndaj, nëse doni të dukeni më të rinj, nisni të konsumoni disi më tepër ujë, jo vetëm gjatë verës kur është vapë, por edhe tani në dimër. / Bota.al