Analiza

Ukraina dhe aksi Rusi-Kinë

Politika aktuale amerikane në krizën e Ukrainës, po nxit afrimin e ngushtë mes Rusisë dhe Kinës

Nga James D.J. Brown *

“The Diplomat”

Screen Shot 2015-04-06 at 09.24.25

Është e lehtë, për ta bërë një rast emocional ndihmën perëndimore, ndaj qeverisë ukrainase në përballjen e saj me Rusinë. Në parim, ukrainasit duhet të kenë guximin të përcaktojnë vetë orientimin e tyre të politikës së jashtme, dhe bashkësia ndërkombëtare duhet ta mbështesë lirinë e tyre për të bërë këtë zgjedhje. Një qëndrim i tillë është moralisht i pastër.

Por kjo është gjithashtu një bazë e rrezikshme, për hartimin e politikave. Po cilat duhet të jetë politika e Perëndimit ndaj Ukrainës? Ka nga ata, që besojnë se Perëndimi duhet të veprojë me forcë, për t’i dhënë fund ndërhyrjes së Rusisë në punët e fqinjit të saj. Argumenti këtu është se Rusia e Vladimir Putinit është një shtet agresiv, ekspansionist dhe veprimet e të cilit, sipas fjalëve të kancelares gjermane Merkel e “vënë në pikëpyetje të gjithë rendin paqësor në Evropë”.

Megjithatë, argumenti është i pabazë. Ekonomikisht e dobët dhe demografikisht në rënie, Rusia nuk paraqet asnjë kërcënim serioz për statuskuonë ndërkombëtare. Në këtë kuadër, veprimet e Moskës në Ukrainë janë më të mirëinterpretuara, jo si një ekspansionizm i vetë-garantuar, por më tepër si reagim në panik i një shteti të pasigurtë, ndaj një kërcënimi të perceptuar të interesave të tij themelore kombëtare.

Edhe në qoftë se veprimet e Rusisë janë të nxitura nga dobësia e jo nga forca, kjo s’do të thotë se interesat perëndimore nuk do të shërbehen më mirë, duke marrë një pozicion force. Ndërkohë edhe regjimi i sanksioneve ndëshkimore, dhe përjashtimi i Rusisë nga organizmat perëndimore, duket si një gabim strategjik. Kjo e ka detyruar Moskën të kapërcejë hezitimin e saj, dhe të angazhohet plotësisht për vendosjen e marrëdhënieve të ngushta me Pekinin.

Rusia si fuqi e statuskuosë

Mund të tingëllojë e çuditshme të pretendohet se një vend, që ka aneksuar kohët e fundit një pjesë të një shteti fqinj, dhe që është angazhuar aktualisht në mbështetjen e një kryengritje separatiste, të jetë një fuqi e statuskuosë. E megjithatë, ky është rasti. Në nivel global, Moska përpiqet të mbështesë rendin aktual ndërkombëtar, përsa kohë ai i bën lajka pushtetit rus dhe kufizon pushtetin e të tjerëve.

Mbi të gjitha, sistemi aktual i jep Rusisë përfaqësim të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, duke i garantuar privilegje të njëjta me Shtetet e Bashkuara dhe Kinën. Parimi kryesor i OKB-së që është sovraniteti kombëtar, favorizohet në përgjithësi nga Moska, pasi ai mund të përdoret për të vendosur pengesa diplomatike në rrugën e politikës së jashtme amerikane.

Një shembull i kësaj, është apeli i Rusisë për sovranitetin kombëtar dhe përdorimin e së drejtës së saj të vetos, për të mbrojtur regjimin sirian të Bashar Al-Asadit, nga kërcënimi i sulmeve ajrore perëndimore. Dukshëm, Moska nuk ka treguar respekt të tillë për konceptin e mosndërhyrjes, kur është fjala për Ukrainën. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se Rusia ka braktisur qëndrimin e saj të mëparshëm, duke u shndërruar në një fuqi ekspansioniste që sfidon statuskuonë.

Duke patur parasysh se veprimet e Rusisë në Ukrainë, janë të nxitura nga dëshpërimi për të shmangur humbjet strategjike, dhe jo nga një dëshirë për të patur përfitime territoriale, ato nuk kanë gjasa të përsëriten. Shtetet Balltike dhe vendet e Evropës Qendrore, ish-anëtare të Paktit të Varshavës, janë bërë tashmë pjesë e Aleancës Perëndimore dhe kjo është pranuar nga Moska, si një fakt i padëshirueshëm por edhe i pandryshueshëm. Rasti i vetëm, ku mund të pritet një tjetër agresion, është për shembull riorientimi drejt perëndimit i një sateliti të njohur të Moskës, Bjellorusisë.

Kina: Një fuqi revizioniste që ka nevojë për Rusinë

Ndërsa Rusia nuk është një fuqi revizioniste, Kina pa dyshim është. Ky nuk është reflektim i ndonjë veçantie në sistemin politik të Kinës. Përkundrazi, ka të bëjë thjesht me faktin sesi me të gjitha fuqitë në rritje, ambicjet ndërkombëtare të Kinës, po rriten në proporcion me fuqinë e saj ekonomike dhe ushtarake.

Prandaj, Pekini po mëton të përdorë pushtetin e tij më të madh, për të zgjeruar kontrollin mbi zonat përreth dhe për ta riorganizuar rendin ndërkombëtar, ku të reflektohen interesat e tij. Kjo axhendë revizioniste, është tepër e theksuar sidomos në Azinë Lindore, ku Kina gjykon se statuskuoja ka qenë kundër saj. Qëllimi strategjik i Kinës, është të shtyjë SHBA-në përtej “zinxhirit të parë ishullor”, e të vendosë hegjemoninë e vet në detrat në lindje dhe jugun e vendit.

Pasi ta arrijë këtë, Kina synon të zgjerojë ndikimin e saj më tej në Paqësor Perëndimor. Megjithatë, historia mëson se shtetet në rritje, kanë prirjen të përplasen me fuqitë, që janë ngritur me kohë. Për këtë arsye, gjasat janë që dekada e ardhshme, të jetë një epokë e tensionit të thellë mes Pekinit dhe Uashingtonit. Ndaj nuk ka ndonjë habi të madhe, se për Pekinin ruajtja e marrëdhënieve të mira me Moskën, është një çështje e një rëndësie të madhe.

Kjo është për shkak se, në krahasim me Shtetet e Bashkuara, Kina ka pak aleatë të ngushtë. Pekini, ka konteste territoriale në rajon me Japoninë, Vietnamin, Filipinet dhe Indinë. Këtu duhet shtuar edhe rëndësia e Rusisë, si një eksportuese e burimeve. Aktualisht, rreth 80 përqind e energjisë që konsumon Kina, importohet nga Lindja e Mesme dhe Afrika Perëndimore.

Kjo paraqet një dobësi të madhe strategjike, pasi në rast konflikti, Shtetet e Bashkuara mund të përdorin superioritetin e saj detar, për të kontrolluar ngushticën e Malakës dhe ndërprerë furnizimin e këtyre burimeve jetësore. Për këtë arsye, lidhjet e ngushta me Moskën, mund të ndihmojnë në uljen e këtij rreziku, sepse Rusia, së bashku me shtetet e Azisë Qendrore, mund të sigurojnë furnizimet e naftës dhe gazit, nëpërmjet tubacioneve të mbrojtura më lehtë me rrugë tokësore.

Rusia dhe Kina në aleancë së bashku

Duke vendosur sanksione mbi Rusinë dhe kërcënuar se do të armatosë Ukrainën, Shtetet e Bashkuara kanë bërë që padashje politikëbërësit rusë, të lënë mënjanë shqetësimet e tyre të vazhdueshme dhe të nxitojnë të forcojnë tepër marrëdhëniet me Kinën. Uashingtoni u ka kërkuar shumë prej aleatëve të tij të ndjekin recetat amerikane për politikën e jashtme.

Më së shumti, Japonia, duke njohur pasojat shkatërruese të një aleance Kinë-Rusi për interesat e saj, ka ndjekur politikën e afrimit me Moskën, ndërsa kishte filluar të zhvillonte edhe marrëdhëniet në fushën e sigurisë, me qëllim largimin e Moskës nga Pekini. Efektet e politikës amerikane kanë qenë shumë të dukshme, ndërsa bashkëpunimi ruso-kinez, u përshpejtua me shpejtësi që nga marsi i vitit 2014.

Gjatë vizitës së maj të vitit të shkuar të presidentit Putin në Shangai, dy vendet nënshkruan një marrëveshje 30-vjeçare, me vlerë 400 miliardë dollarë për furnizimin me gaz. Pas më shumë se 10 vitesh negociata pa rezultat, duket se sanksionet perëndimore, ndihmuan të çahet bllokimi, duke e shtyrë Rusinë të pranojë kushtet e Kinës për çmimet. Rusia ka treguar një gatishmëri të re për të bërë lëshime, edhe në sektorin e armëve. Moska ka rënë dakord t’i shesë Pekinit sistemin S-400 të mbrojtjes ajrore dhe sistemin luftues Su-35. Këto teknologji, do ta ndihmojnë Kinën të zgjerojë mburojën mbrojtëse dhe rrezen e goditjes, duke forcuar pozitën e saj në lidhje me Tajvanin, si dhe mosmarrëveshjet me Japoninë për ishujt Senkaku-Diaoyu.

Dy vendet, kryen stërvitje të përbashkëta ushtarake në Detin e Kinës Lindore në maj 2014, ndërsa edhe këtë vit do të kryejnë sërish manovra në Mesdhe dhe Paqësor. Sanksionet perëndimore, kanë pasur një ndikim të qartë edhe tek opinioni publik rus lidhur me raportet me Kinën. Sipas një sondazhi të opinionit, të realizuar nga Qendra Levada në janar, 81 përqind e rusëve kishin mendim negativ për SHBA , ndërsa 80 përqind e tyre pikëpamje pozitive ndaj Kinës.

Çfarë duhet bërë?

Uashingtoni ka nevojë të ndryshojë me shpejtësi qëndrimin e tij. Së pari, duhet të ketë një ndryshim në mendim. Në vend se t’i konsiderojë Evropën dhe Azinë në izolim, siç aktualisht duket të jetë rasti, vendimmarrësit amerikanë duhet të shohin sesi politikat e tyre kundrejt rajonit, janë të lidhura me rezultatet.

Përveç kësaj, duhet të ketë një ndryshim në mënyrën sesi shihet Rusia. Aktualisht, shumë njerëz në Uashington vazhdojnë me pikëpamjen e Luftës së Ftohtë, se Rusia është një fuqi ekspansioniste, së cilës nëse do t’i jepej mundësia do të marshonte me tanket e saj në kryeqytetet evropiane. Kjo frikë, ekzagjeron aftësitë e Rusisë, dhe flet për një dështim në të kuptuarit e transformimint të statusit të Rusisë, nga një fuqi globale në një fuqi rajonale.

Prioriteti strategjik i Moskës, është që në mënyrë agresive të mbrojë pozitën e saj aktuale në politikën ndërkombëtare, kundër atyre që ajo i sheh si sulme të vazhdueshme perëndimore.

Rusia nuk ka ambicje për të çrrënjosur sistemin global. Duke qenë kështu, përpjekja për të kundërshtuar ekspansionizmin rus, është një çorodi e dëmshme.

Nëse SHBA kërkon të mbajë primatin në shekullin e 21, ajo duhet të njohë faktin që Kina është rivali i tij kryesor gjeostrategjik, dhe se duhet të bindë fuqitë e tjera të politikës së jashtme, për të mbajtur nën kontroll rritjen e saj. Asnjë nga këto, nuk do të thotë se Uashingtoni, duhet të marrë asnjë rol në zgjidhjen e krizës në Ukrainës.

Përkundrazi, është thelbësore që SHBA të ndihmojë në sjelljen e konfliktin drejt një përfundimi të shpejtë. Pasi të arrihet kjo, marrëdhëniet mes Rusisë dhe Perëndimit mund të detoksifikohen gradualisht, dhe përpjekjet afatgjata mund të fillojnë të inkurajojnë Moskën të distancohet nga Pekini. Ndërkaq qeveritë perëndimore, duhet të sigurojnë Moskën, se Ukraina nuk do të pranohet në NATO. Me Kievin si shtet neutral, Rusia do të bëhet një fqinj më i arsyeshëm.

Shënim: James D.J. Brown është Profesor në Shkenca Politike në Universitetin Temple, Japoni Campus. Fushat e tij kryesore të ekspertizës janë marrëdhëniet ruse-japoneze dhe politika e energjisë ndërkombëtare.

a.g./www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button