Analiza

… dhe Ukraina në mes

Ukraina ne mesPërshkallëzimi i ngjarjeve në Ukrainë, vë ne alarm jo vetëm palët direkt të përfshira, apo atyre që të paktën prej Luftës së Dytë Botërore kanë qenë aktorët kryesore të zhvillimeve ndërkombëtare, por edhe më gjërë, në nivel mbarëbotëror.

Po Ukraina, njëri nga operatorët më të mëdhenj në botë të sistemit transmetues të gazit, më i madhi në Kontinentin Evropian, e ashtuquajtura hambari i Evropës sepse shtrihet mbi rreth ¼ e tokave të zeza të gjithë botës, e pasur  me minerale ferroze, në këte moment historik ka eklipsuar për momentin zhvillimet e tjera në botë. Qeveri, qendra pushteti, sipërmarrje private e shtetërore, e organizata ndërkombëtare patjetër që mundohen të interpretojnë ç’ndodh, të mbajnë qendrimin më adekuat, e të jene gati respektivisht me plane veprimi eventual. Sipas nje gazetari politik francez, megjithëse situata është ende në zhvillim, shumë qeveri janë tashmë duke marrë parasysh skenare të reja.

E para, tashmë ka filluar, është ringjallja e NATO-s. Pas rënies së bllokut sovjetik, Pakti Atlantiko-Verior, nuk ka pasur ndonjë arsye për të ekzistuar, dhe për vite shume kanë pyetur veten për çfarë mund të shërbejë. Pastaj, papritmas, aneksimi i Krimesë na dha një përgjigje të qartë. Në mungesë të një mbrojtjeje evropiane është vetëm tek Nato që u drejtuan tri shtete baltike, anëtarë të BE-së. Popullsia e Letonisë, Estonisë dhe Lituanisë përfshin shumë rusofonë, rusë dhe qytetarë të tjerë nga ish-republikat e tjera sovjetike, Qeveritë e ketyre tre vendeve druajne se shërbimet sekrete ruse mund të krijojnë probleme serioze në territorin e tyre. Nuk ka ndodhur ende, por për gazetarin, kjo e shteteve baltike do të është një frikë e ligjshme. Ndërkohë, shqetesimet  rriten në Poloni, Moldavi dhe në të gjitha vendet që shpresojnë në ndërhyrjen e NATO-s dhe Shteteve të Bashkuara. Uashingtoni pasi dergoi zevendëspresidentin, deklaroi se çdo agresion kundër një vendi të NATO-s është një sulm ndaj të gjithë anëtarëve të aleancës (përfshirë SHBA) dhe njoftoi synimin e saj për të kryer stërvitje të përbashkëta në rajonin e Balltik-ut  dhe Detit të Zi. Ky kthim në skenë, i NATO-s gjithashtu rrjedh nga fakti se reagimi në një rritje të presionit rus mund të jetë integrimi i Ukrainës në Aleancën e Atlantikut.

Më tej, kriza në Ukrainë do të stimulonte të reja ne lidhje me Iranin. Në frontin e reduktimit të mundshëm të importeve të gazit rus nga evropianët, Moska do të pëlqente shumë një ngadalësim të negociatave bërthamore. Një sukses eventual i marrëveshjes do të ulte çmimin e naftës, duke reduktuar të ardhurat e Rusisë, e duke bërë perëndimorët të përfitojnë nga rënia e çmimit për fuçi, sepse kjo do të kufizonte hapësirën për manovrim nga ana e Vladimir Putin-it.
Në këtë pikë Shtetet e Bashkuara mund ti propozonin Iranit kushte  edhe më të favorshme se sa pritej për nënshkrimin e ndonjë marrëveshjeje të mundshme duke lehtësuar rrugën diplomatike, por duke minuar edhe më tej marrëdhëniet e tyre me Izraelin dhe vendet sunite. Kështu, kriza në Ukrainë mund të ndryshonte ekuilibrat e pushtetit në të gjithë Lindjen e Mesme.

Ndryshimi i tretë është se për të gjetur një zgjidhje për dramën siriane në Perëndim do të duhet t’i drejtohen direkt Iranit dhe jo më Rusisë.
Pa ditur c’mund të ndodhë në planin e gjeopolitikës botërore, mospërfshirja përjashtuese e Rusisë nga G8 i ardhshëm, duket të jetë pikia kulminante e skenarit të deritanishëm.

Ky është sanksioni më i fundit i Barack Obama-s ndaj Moskës si përgjigje për pushtimin e Krimesë, e cila u dënua si e paligjshme. Përveç kësaj, G7 është e gatshme të “intensifikojë” sanksionet në mënyrë që ata të kenë “një ndikim më gërvishtës në ekonominë ruse, nëse Rusia vazhdon me përshkallëzimin e saj. Përjashtimi i Moskës nga grupi i të mëdhenjve, u bë formal kur, Presidenti i Këshillit Evropian, Herman Van Rompuy njoftoi nëpërmjet Twitter-it anulimin e G8-s, që fillimisht pritej në qershor në Soçi. Ai i radhës do të jetë një G7 pa Rusinë e do të mbahet në Bruksel, në të njëjtin muaj.

«Nuk mund të perjashtohemi, duke theksuar natyrën vullnetare të përkatësisë në këtë ‘’klub’’, – po nuk është ndonjë tragjedi» ishte pak a shumë përgjigjja që vijoi nga ana e Ministrit të Jashtëm Rus.

Shkëputja e Ukrainës nga dominium– i rus nuk mund të pranohet lehtë nga Putini, por shkëlqimi i perandorisë ruse që përkon me epokën e luftës së ftohtë është një vegim i largët.

Ama asokohe mirë a keq, të paktën  format dhe substancat e pushteteve ishin të gdhendura shumë më qartë.

Në një situatë të tillë më erdhi ndërmend intervista e një ekonomisti, politologu – e shumë cilesime të tjera tituj apo jo qofshin – lexuar ditë më parë, lëshuar në një kontekst jo lidhur specifikisht me Ukrainën, vërejtjet e të cilit më janë dukur gjithmonë të qarta dhe konçize.

 

Nëqoftëse shumëkush, sidomos në Itali, flet për pushtete të forta, për të, në nivel global ka një konflikt mes qendrave produktive të pushtetit dhe atyre joproduktive.

 

Sipas tij gjithçka kalon nga konfrontimi Kinë –SHBA, me Moskën në pozicionin delikat të akrepit të peshores. Kur kinezët kanë mbështetjen e rusëve, e kanë gjithçka më të lehtë, duke filluar që nga tregtia e lendëve të para. Por kinezët nuk duhet ti trembin rusët me rritjen e tyre, sepse këta të fundit mund të pozicionoheshin krah SHBA-ve dhe atëhere ekuilibrat mund të ktheheshin përmbys. Pushteti është forcë dhe forca është pushtet, prandaj ai që e përdor forcën faktikisht, jep shenja pafuqishmërie.

Sot, për politologun, një qendër e madhe vendimarrëse është Silicon Valley me gjithë arkipelagun e saj të pamasë të shtrirë nga Suedia e Izraeli deri ne Singapor. Ajo që i bën kaq të fuqishëm është fakti se ata janë shumë të bashkuar, flasin me njëri-tjetrin e takohen, ata janë miq e kanë pasur të njëjtat përvoja. Kjo është një fuqi e vërtetë. Llojet e tjera të pushtetit janë ato tipike të industrive shtetërore në Kinë, qe gëzojne pavarësi të konsiderueshme dhe e përdorin atë për të realizuar investime të mëdha. Kjo është një strukturë e re pushteti, një matricë e një trajte krejtësisht ekonomike.

Evropa ka qenë gjithnjë burimi i vërtetë i civilizimit perëndimor. Ajo deri tani i ka bërë për vete të gjithë dhe e gjithë bota është evropianizuar. Por kjo Evropë, çdo 2-3 breza ka tendencën të çmendet. Si për shembull së fundmi, fanatizmi monetar i euros që ka favorizuar shfaqjen e shumë situatave të pamoderuara…

E duke rimarrë temën e momentit, sado specifike të jetë çështja e Ukrainës,….. nuk duhet larguar fort nga analiza e mësipërme lidhur me korrelacionin forcë – pushtet. Andi Qinami (aqconsulting.eu)

Leave a Reply

Back to top button