Analiza

Ukraina si “litar shpëtimi” për Europën

George Soros

europe ukraineZgjedhjet e fundjavës që kaloi, për parlamentin europian dhe ato presidenciale në Ukrainë prodhuan rezultate të kundërt mes tyre. Votuesit e Europës shprehën pakënaqësinë ndaj mënyrës se si funksionon aktualisht Bashkimi Europian, ndërkohë që votuesit e Ukrainës shprehën dëshirën e tyre për afrim me BE-në. Udhëheqësit dhe qytetarët europianë duhet ta shfrytëzojnë këtë shans, për të menduar se çfarë domethënie ka – dhe duke ndihmuar Ukrainën, mund të ndihmojnë edhe Europën.

BE është konceptuar fillimisht për të qenë një bashkim shtetesh sovranë, të gatshëm që të ofrojnë një pjesë gjithnjë e më të madhe të sovranitetit të tyre për të mirën e përbashkët. Ishte një eksperiment i guximshëm në qeverisjen ndërkombëtare dhe sundimin e ligjit, që synonte të zëvendësonte nacionalizmin dhe përdorimin e forcës.

Fatkeqësisht, kriza e transformoi BE-në në diçka krejt të ndryshme: një marrëdhënie kredidhënësish dhe borxhlinjsh, ku vendet kredidhënës imponojnë kushte që zgjasin dominimin e tyre. Duke parë pjesëmarrjen e ulët në zgjedhjet për parlamentin europian, dhe nëse mbështetja për Kryeministrin italian, Matteo Renzi do i shtohej votës antiBE në të majtë dhe në të djathtë, mund të argumentohet se shumica e qytetarëve janë kundër gjendjes aktuale.

Ndërkohë, pikërisht kur eksperimenti i guximshëm i Europës në qeverisjen ndërkombëtare po lëkundet, Rusia po shfaqet si një rival i rrezikshëm ndaj BE-së, një që ka ambicie gjeopolitike globale dhe është gati të përdorë forcën. Putini po shfrytëzon një ieologji nacionale etnike (dhe mbështetjen nga Kisha Ortodokse) për të forcuar regjimin e tij. Në fakt, tek fliste për programin e radios ruse “Linja Direkte” muajin që kaloi, ai lëvdoi virtutet gjenetikë të popullit rus. Aneksimi i Krimesë e ka bërë shumë popullor brenda vendit të tij, dhe përpjekja e tij për të dobësuar dominimin global të Amerikës, pjesërisht duke kërkuar një aleancë me Kinën, ka gjetur një jehonë të favorshme për të në pjesën tjetër të botës.

Por interesi vetiak i regjimit të Putinit bie ndesh me interesat strategjikë të Rusisë. Rusia do të përfitonte më shumë nga bashkëpunimi i ngushtë me SHBA dhe BE. Dhe përdorimi i represionit në Rusi dhe në Ukrainë është një autogol. Ekonomia ruse po dobësohet, pavarësisht çmimit të lartë të naftës, për shkak të largimit të kapitalit dhe talenteve. Përdorimi i dhunës në sheshin Majdan ka shkaktuar lindjen e një Ukraine të re, e cila është e vendosur për të mos u bërë pjesë e Perandorisë Ruse.

Suksesi i Ukrainës së re do të ishte një rrezik ekzistencial për sundimin e Putinit në Rusi. Prandaj ai është përpjekur kaq fort të destabilizojë Ukrainën, duke nxitur republikat e vetëshpallura separatiste në Ukrainën lindore.

Me punëdhënësin më të madh të rajonit të Donbasit që ka mobilizuar protestat kundër separatistëve, plani i Putinit mund të mos funksionojë dhe tani gjasat janë që ai të pranojë rezultatin e zgjedhjeve presidenciale, duke shmangur kështu sanksione të mëtejshëm. Por Rusia mund të kërkojë vende të tjerë për të destabilizuar Ukrainën e re, gjë që nuk është shumë e vështirë, duke parë që forcat e sigurisë, pasi i kanë shërbyer presidentit të korruptuar Viktor Janukoviç, tashmë janë të demoralizuara dhe jo domosdoshmërisht besnike ndaj udhëheqjes së re.

Të gjithë këto kanë ndodhur shumë shpejt. Edhe BE, edhe SHBA janë të shqetësuara me problemet e tyre të brendshëm dhe mbeten kryesisht të pavetëdijshme për rrezikun gjeopolitik dhe ideologjik që paraqet Rusia e Putinit. Si duhet të përgjigjen?

Detyra e parë është kundërvënia ndaj përpjekjeve të Rusisë për të destabilizuar Ukrainën. Me “fiscal compact”-in dhe rregulla të tjerë që kufizojnë hapësirën e ndihmës së qeverisë, nevojiten ide të reja. Masa e parë më efektive do të ishte të ofroheshin garanci risku për ata që duan të investojnë apo të bëjnë biznes me Ukrainën. Kjo do të mbante ekonominë në lëvizje, pavarësisht trazirës politike, dhe do u dërgonte një sinjal ukrainasve se BE dhe SHBA – pra qeveritë dhe sektori privat – janë të përkushtuar ndaj tyre. Biznesi do të rendte drejt një tregu të ri dhe premtues nëse do të kompensohej tërësisht, për humbje që do të shkaktoheshin nga ngjarjet politike që janë përtej kontrollit të tyre.

Garancia politike e riskut mund të tingëllojë shumë e ndërlikuar për ta ofruar menjëherë. Në fakt, një garanci e tillë ekziston tashmë. Sigurues privatë si Euler Hermes i Gjermanisë ka vite që e ofrojnë. Po kështu edhe institucione qeveritarë, si Agjencia Shumëpalëshe e Garancisë së Investimeve e Bankës Botërore, si dhe Korporata e Investimeve Privatë e SHBA. Megjithatë, këtyre u duhet të vendosin premium-e më të lartë për të ofruar garanci të reja.

Të gjendura përballë këtyre premium-eve të lartë, shumica e bizneseve thjeshtë do të preferonin të hiqeshin mënjanë dhe të prisnin deri sa të kalojë furtuna. Prandaj qeveritë e interesuara duhet të marrin funksionet e ofrimit të garancive dhe të përdorin agjencitë e tyre vetëm për të administruar politikat e sigurimeve.

Ato mund të garantojnë humbjet në të njëjtën mënyrë si bëjnë me Bankën Botërore: secila qeveri do të ofronte një infuzion proporcional kapitali dhe pjesën tjetër do ta ofronte në formën e kapitalit të kërkueshëm, që do të ishte i disponueshëm, nëse dhe kur të paguhen humbjet. BE do të duhej të modifikonte “fiscal compact”-in e saj për të përjashtuar kapitalin e kërkueshëm dhe të lejojë që humbjet reale të amortizohen brenda një periudhe të caktuar kohe. Garanci të këtij lloji kanë një tipar të veçantë: sa më bindëse të jenë, aq më pak gjasa ka që të kërkohen. Në fund do të rezultojë që ky proces rigarantimi të jetë krejt pa kosto. Banka Botërore është një shembull i gjallë. pershtatur ne shqip nga bota.al

Duke vepruar me shpejtësi dhe bindshëm, BE mund ta shpëtojë Ukrainën – dhe veten. Ajo që unë propozoj për Ukrainën do të kishte efekt edhe për BE-në. Sa kohë që ekzistojnë kaq shumë burime produktivë që rrinë kot, do të kishte kuptim që të përjashtoheshin nga “fiscal compact”-i ata investime që do të paguanin për vetveten. Renzi, për shembull, po mbron pikërisht këtë kurs veprimi.

Putini ka në plan ta shndërrojë Krimenë në një vitrinë, duke hedhur aty 50 miliardë euro në vitet e ardhshëm. Me mbështetjen e Europës, Ukraina mund të bëjë më mirë. Dhe nëse një nismë e tillë shënon fillimin e një politike rritjeje ekonomike që i duhet kaq shumë Europës, atëherë duke shpëtuar Ukrainën Europa vërtetë që do të shpëtonte edhe vetveten. (project syndicate)

Bota.al

Leave a Reply

Back to top button