Analiza

Uniteti i Perëndimit, jetik që sanksionet kundër Rusisë të funksionojnë

Screen Shot 2015-04-25 at 21.10.07

Nga Douglas Hengel

“German Marshall Fund”

Uashington-Po mbushet një vit, qëkur Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian, dhe aleatët e tjerë vendosën sanksionet e para kundër Rusisë, për shkak të aneksimin të saj të paligjshëm të Gadishullit të Krimesë dhe agresionit ndaj Ukrainës. Në kushtet kur destabilizimi i Ukrainës nga Moska po vazhdon, Shtetet e Bashkuara dhe Evropa, i zgjeruan sanksionet, në një përpjekje për të bindur qeverinë e Vladimir Putinit të ndryshojë sjelljen e saj e për të shmangur vazhdimin e konfliktit në Ukrainë, apo edhe përhapjen e tij tek fqinjët e tjerë.

Masat e ndërmarra përfshinin ngrirjen e pasurisë dhe ndalimet e vizave për individë, që konsiderohen si përgjegjës për veprimet kundër integritetit territorial të Ukrainës (duke përfshirë edhe disa zyrtarë në rrethin e brendshëm të Putinit), dhe kufizime në marrëdhëniet e biznesit të huaj me disa banka ruse, kompanitë e mbrojtjes dhe atyre energjitike.

Ashtu sikundër mund të parashikohej, kufizimet e imponuara ndaj Rusisë kanë qenë kontradiktore, ashtu siç janë në përgjithësi sanksionet ndaj rregjimeve. Disa ankohen se ato janë shumë të dobëta, duke sjellë si dëshmi mungesën e vazhdueshme të zbatimit të marrëveshjes së Minskut nga ana e Rusisë, çka do të siguronte një armëpushim mes palëve ndërluftuese dhe do të stabilizonte Ukrainën Lindore.

Të tjerët argumentojnë se veprimet janë jo vetëm të paefektshme por edhe kundërproduktive. Ato kanë bërë që populli rus të shtërngojë rradhët rreth udhëheqësve të tij, duke minuar kësisoj përpjekjet për integrimin e Rusisë në ekonominë globale (duke iu rrikthyer reformave politike dhe ekonomike), dhe do të shkaktojë dëme të tjera të tërthorta, ndaj interesave afatgjata të komunitetit transatlantik.

Debati në lidhje me efektivitetin e sanksioneve, është gjithmonë i vështirë. Disa sanksione mbi rregjimet, janë gjykuar se kanë qenë më efektive (p.sh Afrika e Jugut, Burma, Irani) sesa tek të tjerët (p.sh. Kuba, Zimbabve). Tashmë komuniteti ndërkombëtar, është shumë më i aftë të synojë të marrë masa kundër aktorëve të veçantë mashtrues (të ashtuquajtura sanksionet e “zgjuara”), megjthatë pasojat e padëshiruara, janë thuajse përherë pjesë e ekuacionit.

Pra, dëmet anësore janë kosto që duhen marrë parasysh, duke ditur që ka një çmim edhe duke mos bërë asgjë. Gjithashtu sanksionet duan disa kohë që të kenë ndikimin, për të cilin ndërmerren. Dukuria e mbledhjes rreth flamurit, është shpesh reagimi i parë kur sanksionet imponohen ndaj një vendi, por që kjo priret të zbehet me kalimin e kohës, ndërsa kostoja e tyre rritet, ose ndërsa qytetarët e kuptojnë më mirë sesi qëndron e vërteta, mbi atë se çfarë e shkakton ankthin e tyre ekonomik, si në rastin e Iranit.

Është e rëndësishme të kujtohet se sanksionet janë një mjet që ka për qëllim të ndihmojë patjen e një produkti të politikës. Ato nuk janë një qëllim në vetvete, dhe s’kanë gjasa të jenë efektive, në rast se janë vetëm instrument të vendosura. Sanksionet kanë ndërkohë shumë më tepër gjasa për të arritur rezultatin e dëshiruar, kur janë shumëpalëshe. Kjo do të thotë që masat e marra janë më të dobëta në disa aspekte, sesa dikush mund të dojë pëlqen, por sanksionet me ndikim  fare minimal në përgjithësi janë ato që vendosen në mënyrë të njëanshme (p.sh Shtetet e Bashkuara ndaj Kubës). Është shumë e rëndësishme, që Shtetet e Bashkuara dhe Evropa, të mbeten të bashkuara mbi çështjen e Rusisë dhe Ukrainës.

Në këtë kuadër, konkluzionet e Këshillit Evropian të 19 Marsit, janë tejet të rëndësishme. Udhëheqësit e BE-së ,ranë dakord në atë mbledhje që masat e miratuara kundër Rusisë “duhet të lidhen në mënyrë të qartë, me zbatimin e plotë të marrëveshjes së Minskut”. U ra dakord, pavarësisht nga shqetësimet legjitime të disa vendeve evropiane, rreth kostos të tyre të sanksioneve, si dhe përpjekjeve ruse, për të përçarë Evropën nga Shtetet e Bashkuara.

Përçarja, do të minonte përpjekjet transatlantike, dhe shpërblente regjimin e Putinit. Është ende herët, për të gjykuar efektivitetin e kufizimeve të vendosura mbi Rusinë, për sjelljen e saj agresive në Ukrainë. Rusia, është ekonomia më e madhe mbi të cilën janë imponuar masa të tilla ndëshkuese, kështu që po shkelet në një terren të ri.

Rënia e mprehtë e çmimeve të energjisë, që ndodhi kur sanksionet ishin vendosur, e bën shumë të vështirë për të izoluar efektin e veçantë, që kanë vetëm masat shtrënguese. Elementi kyç, për të gjykuar nëse sanksionet janë efektive apo jo, do të jetë nëse armëpushimi i brishtë në Ukrainën Lindore, do të rezistojë dhe nëse rebelët pro-rusë do të evitojnë të lëvizin drejt qytetit kryesor bregdetar të Mariupolit.

Në një periudhë më afat gjatë, një masë e rëndësishme në drejtim të efikasitetit të sanksioneve, do të jetë zbatimi nga Rusia, i angazhimeve të saj sipas marrëveshjes së Minskut. Megjithatë, është e qartë se sanksionet, që janë në fuqi aktualisht ndaj Rusisë, kanë një ndikim tek individë dhe kompani të veçanta, dhe sinjalet perëndimore rreth sanksioneve të mundshme të mëtejshme, mund të jenë një faktor në përmbajtjen e tanishme ruse.

Uniteti i vazhdueshëm në mesin e komunitetit transatlantik, është jetik në këtë drejtim. Duhet megjithatë ritheksuar, se vetëm sanksionet nuk janë të mjaftueshme. Sanksionet, mund ta ndihmojnë Rusinë të përqëndrohet në zbatimin e marrëveshjeve të Minskut, dhe lejuar rikthimin e sovranitetit mbi të gjithë territorin e Ukrainës, por antidoti më i forte dhe afatgjatë ndaj së keqes ruse, është një Ukrainë më demokratike dhe e begatë.

Prandaj, Shtetet e Bashkuara dhe BE-ja, janë duke punuar me institucionet financiare ndërkombëtare, për të forcuar ekonominë e Ukrainës dhe mbështur zbatimin e reformave të nevojshme. Suksesi i Ukrainës, varet mbi të gjitha nga zgjedhjet e popullit dhe qeverisë së tyre, me mbështetjen e bashkësisë transatlantike. /a.g./Bota.al

Leave a Reply

Back to top button