Analiza

Urrejtja derdhet lumë nëpër rrjetet sociale

Nga Vittorio Zucconi

nypd

“Gjaku thërret gjakun dhe sot shumë duar janë lyer me gjak” – bërtet kreu i sindikatës së policisë së Nju Jorkut, Pat Linç, teksa gjendet para trupave të pajetë të 2 agjentëve të policisë, që u vranë së fundmi në Bruklin, një akt ky hakmarrës për “vëllezërit” zezakë.
Dhe duart të cilat ai i cilëson të përlyera me gjak, janë ato të kryetarit të Bashkisë De Blazio, që akuzohet haptazi se ka tradhëtuar dhe braktisur “njerëzit me uniformë”, në luftën që pretendohet se i ka vendosur këta të fundit, përballë guerriljes urbane mes të bardhëve dhe zezakëve.
Ka një fill çmendurie që lidh vdekjen e shumë afro-amerikanëve nga dora e policëve të pandëshkuar në Ferguson, Klivland apo Steten Ajlënd, me të shtënat gjakftohta përtej xhamave ndaj makinës së patrullës policore, nga Ismail Abdyl- Brinslej, një djalosh me një të kaluar të gjatë kriminale, dy dënime për grabitje të dhunshme me armë dhe plagosja me pistoletë e së dashurës së tij, pak orë para se të vriste agjentët e policies, Uenxhian Liu dhe Rafael Ramos.
Brinslej, që më pas vraiu edhe veten me të njëjtën pistoletelë që kreu krimin, tip “Taurus”, nuk ishte militant apo aktivist i ndonjë kauze. Jo, ai ishte thjesht një i ri në marxhinat e shoqërisë që ishte vetëshpallur si hakmarrësi i të gjitha padrejtësive. Këtë e kishte paralajmëruar në faqen e tij në Instagram, me nje selfie ku mbante veshur të njëjtën uniformë që përdori edhe ditën e krimit, në këpucët e basketbollit si dhe në vetë pistoletën automatike, se donte “t’u vendoste flatra atyre derrave”.  Ti vriste.
Fati i keq i dy “derrave” të ngratë, deshi që Brinslej të përplaset me patrullën e policisë së Nju Jorkut, që kishte ndaluar në ato momente para njërit prej apartamenteve popullore që mban brenda jetët, rreziqet, krimet dhe vetë lodhjen e të qënit një geto.
Liu dhe Ramos nuk po bënin asnjë të keqe, ishin thjesht prania policore në Bedford Stivesant, lagje e Bruklinit ku ndodhen këto apartamentet popullore. Ata nuk reaguan fare, kur Brinslej i ekzekutoi sipas stilit mafioz apo të gangsterëve, përmes xhamave të dritares me nje pistoletë të prodhuar në Brazil, “Taurus” Kalibri 9, që në rrugë mund të blihet e përdorur për më pak se 100 dollarë.
Një trekendësh gjaku kaq i egër e kaq njujorkez që ngërtheu tragjikisht fatet e një kinezi, një hispaniku dhe një afro-amerikani. Asnjë nuk ka kuptim në vrasjen e 2 policëve të mërzitur që po kontrollonin gjendjen e sigurisë në një pallat të vjetër, apo dhe në vetëvrasjen e vrasësit të tyre pak çaste më vonë në një stacion metroje. E megjithatë gjithçka duket se qëndron e lidhur me njëra tjetrën duke qenë sa e çuditshme, aq edhe e parashikueshme.
Forcat e policisë që veprojnë në periferi të Sent Ljuisit, në geton e Klivlandit, rrugët e Steten Ajlëndit, në koridoret e errëta të një tjetër zone problematike si Kuinsi, ku një agjent policie vrau një të ri të pafajshëm afro-amerikan që sapo kishte dalë nga apartamenti tij, ku kishte lënë gruan dhe djalin e vogël, ndjehen të braktisura nga “politikanët” përballë një lufte të cilën atyre u është kërkuar që ta kryejnë pa qëlluar dhe pa patur shpatullat e mbrojtura.
Njerëzit me ngjyrë, që ndjejnë në lëkurën e tyre dhe mbi të gjtha të fëmijëve të tyre, efektet e plumbave, përpiqen që të përsërisin me forcë se ato shpatulla janë në realitet më tepër se të ngrohta, nga prokurorët e shtetit, gjykatësit, juristët e ndryshëm dhe shefat e sindikatave policore si psh “Bulldogu blu” apo nga kreu i sindikatës së policisë së Nju Jorkut, Pat Linç, që vazhdimisht shpëtojnë ose ndëshkojnë me një kërcitje gishtash, ata që vrasin njerezit me ngjyrë nga Los Anxhelosit i Rodni Kingut deri tek mbytja aksidentale e Garnerit, kontrabandistit të cigareve.
Në mes qëndrojnë “ata”, politikanët, sindikatat, guvernartorët, shefat e policisë që në SHBA zgjidhet pikërisht nga krerët e bashkive. Ashtu si në rastin e Bill de Blazios, bashkëshorti i një gruaje afro-amerikane dhe babai i fëmijëve me gjak të përzier, të cilët thithin të gjithë inatin e njërit apo tjetrit, duke qëndruar në tokën e askujt mes llogoreve të betejës.
Presidenti Obama që në ADN-në e tij ka një përzierje mes të bardhëve dhe te zinjve, dhe që duhet të qe në fakt instrumenti kryesor për arritjen së paku të një armëpushimi, në mos paqeje racore, ndodhej në Hauai me rastin e festës së Krishtlindjeve, së bashku me bashkëshorten Mishel dhe vajzat, ndërsa Brinslej “vendoste drejtësi’ duke vrarë dy policët. Ndoshta është disi e pamundur që të prishet pushimi festiv i një presidenti, aq me tepër në një shtet të largët amerikan sikurse është Hauai, por largësia e pafajshme fizike e presidentit krijon një ndjesi shkëputjeje nga realiteti brutal dhe i pamëshirshëm i “Rrugëve të këqija”, ku luftohet dhe vdiset.
Natyrisht gjaku, duart e pista, plumbat, turmat e mbledhura përreth, frika, gjithçka mblidhet dhe përdoret si një armë në luftën politike. Ish-guvernatori republikan i Nju Jorkut, Pataki, akuzon de Blazion se ua ka servirur në pjatë kriminelëve gratë dhe burrat me uniformë, duke u bërë palë me protestuesit që dy të djela resht u derdhën rrugëve të qytetit me duart e ngritura lart dhe me ftesën që tingëllonte jo pak sarkastike: “Mos qëlloni!”.
Agjentët e policisë formuan një kordon e të tronditur nga vrasja e Liut dhe Ramosit, i kthyen shpatullat kryebashkiakut, kur ai mori pjesë në ceremoninë mortore të dy policëve. Një fllakadan frikërash të vërteta, synime pragmatiste demagogësh dhe ngushëllime të sinqerta, të ngjarjeve tragjike së të shkuarës që ende kanë mbetur pa u zgjidhur, rezervohet si një karburant në kokën e nxehtë të ndonjë djaloshi të çartur gjeorgjian, me preçedentë të rëndë penalë dhe që shpërthen pa fre në rrjetet sociale.
Nga pallati i pasqyrave në Instagram, ai ndihet si një ëngjëll që do të marrë hak. Skuser kishte në faqen e tij tashmë të mbyllur mbështetjen dhe aprovimin e “miqve” virtualë anonimë që e nxisnin, e bënin të ndihej i rëndësishëm, atë që asnjëherë nuk ka qenë dikushi. “Ec qen” e nxisnin, ku termi ‘qen” përbën një shprehje vëllazërie dhe mirënjohjeje.
Mjerisht ai nuk e di dhe s’ka sesi, se veprimet e tij këtë moment mund të shkatërrojnë të vetmen shtyse të ligjshme, paqësore, që ishte rizgjuar pa dhunë pas faljes nga gjykata të agjentëve të dyshuar për vrasjet.  Mënyra më e drejtpërdrejtë dhe më e sigurtë për të garantuar racizmin e të bardhëve, është të konfirmosh paragjykimin dhe stereotipin e  “djaloshit të armatosur me ngjyrë” që është vrasës. Duke patur iluzionin se do të vendoste në vend drejtësinë e mohuar, Ismail Abdulla Brinslej ka kontribuar në vazhdimin e padrejtësisë që tashmë do të rikthehet aty ku gjithnjë ka patur rrënjët, një lumë karstik nën truallin amerikan. Të paktën vajza të cilën Brinslej e qëlloi në gjoks në Baltimorë, pak para se të nisej për në Bruklin për t’u vënë flatra “derrave”, ndodhet jashtë rrezikut për jetën./la repubblica/
a.g./www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button