Histori

Utopia agrare e Khmerëve të kuq. Kush do të donte të ishte intelektual në Kamboxhian e Pol Potit?

Në katër vitet që Khmerët e Kuq kontrolluan Kamboxhian, ata ishin përgjegjës për një nga vrasjet masive më të mëdha të shekullit të 20-të.

Regjimi brutal, në pushtet nga 1975-1979, mori jetën e deri dy milionë njerëzve.

Nën udhëheqësin marksist Pol Pot, Khmerët e Kuq u përpoqën ta kthenin Kamboxhian në Mesjetë, duke detyruar miliona njerëz nga qytetet, që të shkonin të punonin në ferma në fshat.

Por kjo përpjekje dramatike e inxhinierisë sociale pati një kosto të tmerrshme.

Familje të tëra vdiqën nga ekzekutimet, uria, sëmundjet dhe puna e tepërt.

Filozofi komuniste

Khmerët e Kuq e kishin origjinën në vitet 1960, si krahu i armatosur i Partisë Komuniste të Kampucheas – emri që komunistët përdorën për Kamboxhia.

Të vendosur në zona të xhunglës dhe maleve të largëta në veri-lindje të vendit, grupi fillimisht bëri shumë pak përparim.

Por pasi një grusht shteti ushtarak i krahut të djathtë rrëzoi kreun e shtetit, Princin Norodom Sihanouk në vitin 1970, Khmerët e Kuq hynë në një koalicion politik me ta, dhe filluan të kenë gjithnjë e më shumë mbështetje.

Në një luftë civile që vazhdoi për gati pesë vjet, ata gradualisht rritën kontrollin e tyre në fshat.

Forcat e Khmerëve të Kuq, më në fund morën kryeqytetin, Phnom Penh, dhe pas tij gjithë vendin, në vitin 1975.

Gjatë kohës që qëndroi në skajin verilindor të vendit, Pol Poti ishte ndikuar shumë nga fiset përreth kodrave, të cilët punonin dhe nxirrnin jetesën me vetëmjaftueshmëri, nuk përdornin para dhe ishin “të paprekur” nga budizmi.

Kur erdhi në pushtet, ai dhe bashkëpunëtorët e tij filluan shpejt të transformonin Kamboxhian – e quajtur tashmë Kampuchea – në atë që shpresonin se do të ishte një utopi agrare.

Duke shpallur se vendi do ta fillonte përsëri nga “Viti Zero”, Pol Poti izoloi popullin e tij nga pjesa tjetër e botës dhe vendosi për zbrazjen e qyteteve, heqjen e parave, pronës private dhe fesë, dhe krijimin e kolektivave rurale.

Çdokush që mendohej të ishte një intelektual, i çdo lloji, u vra. Shpesh njerëzit dënoheshin me vdekje për mbajtjen e syzeve, ose njohjen e një gjuhe të huaj.

Qindra-mijëra njerëz të arsimuar të klasës së mesme u torturuan dhe ekzekutuan në qendra të posaçme.

Më e famshmja e këtyre qendrave ishte burgu S-21 në Phnom Penh, Tuol Sleng, ku deri në 17,000 burra, gra dhe fëmijë u burgosën gjatë katër viteve të regjimit.

Qindra-mijëra të tjerë vdiqën nga sëmundjet, uria ose lodhja, teksa anëtarë të Khmerëve të Kuq – shpesh edhe ata vetë adoleshentë – detyronin njerëzit të bënin punë të tmerrshme.

Hapja

Qeveria e Khmerëve të Kuq u përmbys më në fund në vitin 1979, nga pushtimi i trupave vietnameze, pas një sërë konfrontimesh të dhunshme në kufi.

Udhëheqësit më të lartë të partisë u tërhoqën në zona të largëta të vendit, ku mbetën aktivë për një farë kohe, por gradualisht u bënë gjithnjë e më pak të fuqishëm.

Në vitet që pasuan, ndërsa Kamboxhia filloi procesin e rihapjes ndaj bashkësisë ndërkombëtare, tmerret e plotë të regjimit u bënë edhe më të dukshme.

Të mbijetuarit treguan historitë e tyre përpara audiencës së tronditur, dhe në vitet 1980 filmi i Hollivudit “Fushat e vrasjeve” solli gjendjen e viktimave të Khmerëve të Kuq, në vëmendjen botërore.

Pol Poti u denoncua nga shokët e tij të mëparshëm në një gjyq në korrik 1997, dhe u dënua me arrest shtëpiak në shtëpinë e tij në xhungël.

Por më pak se një vit më vonë ai kishte vdekur – duke u mohuar miliona njerëzve, të cilët ishin prekur nga ky regjim brutal, shansin për ta sjellë atë para drejtësisë. / BBC – Bota.al

Leave a Reply

Back to top button