Analiza

Vargas Llosa: “Mjaft me pesimizëm. Demokracia s’është e lodhur”

Fituesi i Nobelit ka pagëzuar një neologjizëm për të përcaktuar sëmundjen europiane, “ombligizmin”, nga spanjishtja ombligo, “zakoni i të parit të kërthizës tënde”. Por mund të jetë pikërisht lufta kundër Kalifatit për të bërë “që Europa dhe Perëndimi të hapin sytë për ato gjëra që u rrezikohen, për vlerat etike të lirisë, solidaritetit, respektit të grave që mund t’i humbasim: kemi mposhtur komunizmin, tani duhet të përballemi me fanatizmin fetar”

mario-vargas-llosaMario Vargas Llosa, peruan, mjeshtër i letërsisë, fitues i Cmimit Nobel në vitin 2010 kërkon që të sprapset pesimizmi që na ka mbërthyer për fyti ne europianëve. Ndoshta sepse e parë nga vendet në zhvillim, bota është më pak në ankth, ndoshta sepse kthjelltësia e mendjes dhe bindjes i shërben si busull. Këto ditë ai ndodhet në Itali për të marrë pjesë në përvjetorin e dhjetë të krijimit të institutit liberal Bruno Leoni. Për të shprehur idenë që ai ka për botën, në këtë intervistë nxiton menjëherë të thotë që nuk ndan idenë – e hedhur sidomos nga Francis Fukuyama – që demokracia është duke gulçuar dhe që modelet autoritarë si ai kinez, munden që të jenë tërheqës, sepse janë më efiçientë. “Eshtë një vizion shumë pesimist. Demokracia ka probleme seriozë, por kam përshtypjen që është totalitarizmi ai që po sprapset”. Përmend Hong Kongun si demonstrim të faktit që “zhvillimi ekonomik, në fund të fundit, është i papajtueshëm me totalitarizmin, hapja ekonomike herët a vonë nxjerr nevojën e një hapjeje politike”. Klasa e mesme e krijuar rishtaz në Kinë do të detyrojë Pekinin drejt reformave demokratike. Dhe në pjesën tjetër të botës, situata nuk është më ndryshe: totalitarizmi nuk përparon.
Rusia e Putinit nuk ka asgjë për të ofruar. Në Amerikën Latine “klima nuk është më në favor të diktaturës”: në Amerikën Qendrore, për herë të parë nuk ka më luftëra civile; në Kolumbi, Peru, Meksikë demokracia po konsolidohet, dhe në vende të tjerë nuk është në rrezik. “Dhe Brazili – vazhdon ai – ka mundësinë, në zgjedhjet që po zhvillon, të rinovohet në krahasim me korrupsionin e qeverive të Dilma Rousseffit dhe Lulës. Eshtë interesant rasti i Marina Silvas (sfiduese për presidencën, e mundur në raundin e parë), e cila është nisur nga ekstremi i majtë, si ekologjiste dhe ka pranuar tashmë se për zhvillimin janë të domosdoshme sipërmarrja, tregu i lirë, hapja. Ka një të majtë që po zbulon rëndësinë e këtyre vlerave, që në Amerikën Latine kanë sot një mbështetje që nuk e kanë patur kurrë më parë. Nëse Marina Silva do e mbështesë seriozisht, mendoj se Aecio Neves mund të bëhet president. Do të ishte shumë pozitive: në përgjithësi besohet se shtetari i madh në Brazil ka qenë Lula. Në të vërtetë shtetari i vërtetë ishte Henrique Cardoso, i cili reformoi, hapi dhe bëri të rritet ekonomia që tani me Dilman është ndalur”.
Vetëm në vendet që kanë ngrirë në të kaluarën situata është pesimiste. “Kuba është e trishtuar, një vend në harresë: e vetmja ëndërr që kanë kubanët është të arratisen në SHBA. Dhe Venezuela në teori është shumë e pasur, por ka inflacionin më të lartë në botë, ekonomia nuk mund të ishte më keq dhe represioni është i ashpër: por, opozita po rritet”. Jo se demokracia nuk ka probleme. “I pari është korrupsioni, që për shembull në Europë është shumë serioz”. Dhe provokon reagime: nacionalizmin, racizmin, “jo masivë, por shqetësues”. Dhe në Perëndim, shton politologu, “asistojmë në një zhdukje të vlerave sepse elitat janë shpesh të korruptuara. Për shembull, sipërmarrja ishte një forcë edhe morale në të kaluarën: sot, lakmia ka arritur të shkatërrojë frenat morale që garantonin funksionimin demokratik”. Pra, liritë ndodhen përballë sfidave serioze, por përballë autoritarizmit, nuk po sprapsen.
Sipas mendimit të Vargas Llosas, Perëndimi nuk ka mbështetur aq sa duhet lëvizjet demokratike të Pranverës Arabe, Obama gaboi që u tërhoq shumë shpejt nga Iraku dhe që nuk mbështeti që në fillim forcat demokratike që synonin rrëzimin e Assadit në Siri. “Tani, fondamentalizmi islamik është një rrezik për kulturën e lirë, për vlerat e Perëndimit” dhe Kalifati tingëllon si folkloristik, por nuk është i tillë. “Na ka shpallur një luftë: o e fitojmë, o e humbim”. Sigurisht, nuk do të jetë e lehtë: në Europë, qytetarët, qeveritë, intelektualët e kanë humbur idealizmin, ka zënë vend një pesimizëm apatik që nuk arrin të mbrojë vlerat liberale. Fituesi i Nobelit ka pagëzuar një neologjizëm për të përcaktuar sëmundjen europiane, “ombligizmin”, nga spanjishtja ombligo, “zakoni i të parit të kërthizës tënde”. Por mund të jetë pikërisht lufta kundër Kalifatit për të bërë “që Europa dhe Perëndimi të hapin sytë për ato gjëra që u rrezikohen, për vlerat etike të lirisë, solidaritetit, respektit të grave që mund t’i humbasim: kemi mposhtur komunizmin, tani duhet të përballemi me fanatizmin fetar”. Nga njëra anë edhe duke i zhdukur terroristët. Nga ana tjetër, duke ndihmuar Islamin që të eksperimentojë një proces laicizimi: “të gjithë fetë lindin totalitare, por kristianizmi është laicizuar, islami jo”.
Në lidhje me fenë, sipas Vargas Llosas, papa Francesku është një forcë progresiste që ka një ndikim të madh edhe gjeopolitik. Por është i frenuar nga struktura konservatore e Kishës, nga Curia romane që ia ndal vullnetin reformues. “Në Kishë ka njerëz të mrekullueshëm – thotë – por edhe shpellarë; shpresojmë që të arrijë t’i kapërcejë. Dhe do i këshilloja Papës të mos flasë për ekonominë: ka specialistë, përse duhet të shqetësohet?”
Mesazhi i fortë që intelektuali peruan dëshiron të përcjellë për europianët është se “çarmatimi moral që përjetojnë, cinizmi, ideja që çdo gjë është e korruptuar dhe shkon keq bën të humbasë ai dinamizëm që në të kaluarën ka qenë faktori i madh i ndryshimit dhe reformave. Eshtë një problem thellësisht kulturor, fryme kritike”. /Corriere della Sera/
PERSHTATUR NE SHQIP NGA www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button