Histori

Vdekja e Stalinit, sipas Hrushovit

Dhjetë vjet pas vdekjes së diktatorit sovjetik, në 5 mars 1963, Nikita Hrushovi jep një intervistë për të përjavshmen Epoca. Është pothuajse në fundin e rrugëtimit të tij politik, por do që ta përcjellë për gjeneratat e mëpasme rrëfimin e asaj nate të marsit të vitit 1953 në të cilën vdiq tirani gjakatar

Diktatori ishte i shtrirë në dysheme, në një daçë të fortifikuar 84 kilometra larg nga Moska. Shtatë burra e panë dhe heshtën për tri ditë përpara se t’ia jepnin lajmin popullit sovjetik. Kështu është e shkruar në përmbledhjen e faqes 28 të së përjavshmes Epoca të 7 prillit 1963. E përjavshmja botonte intervistën e Georges Kessel me Nikita Hrushovin, i cili tregonte për vdekjen e Josif Stalinit. Fotografia e madhe bardhezi e kufomës së ekspozuar në “Sallën e Kolonave” të Pallatit Sindikal të Moskës e pavdekësonte përgjithmonë atë që e kishte futur Bashkimin Sovjetik në Luftën e Dytë Botërore, duke ndaluar avancimin e trupave nazifashiste. Fotografia bëri xhiron e botës. Ishte kulmi i Luftës së Ftohtë dhe lidhur me vdekjen Josif Visarionoviç Xhugashvilit, të quajtur Stalin, nuk mungonin dyshime dhe dyzime. Sipas komunikatave zyrtare, Stalini kishte vdekur në Kremlin me 5 mars të 1953, por pikëpyetjet fillonin pikërisht në atë datë. Në fakt, kishte pasur tri komunikata zyrtare: e para, e datës 2 mars të 1953, lexonte: “Në natën midis 1 dhe 2 marsit, Stalini është goditur nga hemorragjia cerebrale”. E dyta, e nxjerrë të nesërmen, saktësonte: “Stalini vuan nga vështirësi në frymëmarrje, të cilat herëpashere marrin një karakter preokupues”. Në fund e treta, e datës 5 mars, konkludonte: “Gjendja e tij është rënduar pasditen e sotme dhe në orën 21 e 30 minuta Stalini ka ndërruar jetë”. Domethënë një mospërputhje midis versionit zyrtar dhe të vëretës historikë? Ndoshta po. Ndoshta kjo mospërputhje mund të kuantifikohet, sipas asaj që del nga investigimi i Georges Kessel, pikërisht në 3 ditë dhe 84 kilometra.

Të vërtetën sesi kanë rrjedhur ngjarjet e la të nënkuptohej pikërisht Nikita Hrushovi në përvjetorin e 10-të e vdekjes së Stalinit në vitin 1963. Si ka mundësi ky vendim? Si ka mundësi, pyetë vetë reporteri që nënshkroi artikullin për të përjavshmen e drejtuar nga Nando Sampietro, Hrushovi deshi ta tërhiqte “kaun nga gjuha”? I detyrohet karakterit të tij fjalaman apo nevojës së tij për t’u çliruar  nga një peshë shumë e rëndë? Le të ecim me radhë. Atë që ndodhi në marsin e vitit 1953 Hrushovi ia zbuloi aty këtu me copëza fjalësh disa prej bashkëpunëtorëve të ngushtë të tij. Duke mbajtur parasysh një gjë: kushtet atmosferike.
Dimri i vitit 1953 në Moskë ishte jashtëzakonisht i ftohtë. Në ditët e fundit të shkurtit kishte pasur reshje të forta dëbore dhe erëra siberiane e kishin fshikulluar stepën. Pastruesit e dëborës qenë shfaqur prej pak kohe nëpër rrugët e kryeqytetit sovjetik, por një valë akulli shkaktoi jo pak vonesa në punën e tyre. Kështu që nuk ishte e pazakontë të asistohej në bllokimin e rrugëve për shkak të grumbujve të mëdha të dëborës së grumbulluar. Nata e 1 marsit qe momenti më i keq. Pas mbylljes së zyrave qytetarët moskovitë u mbyllën nëpër shtëpia. Hrushovi kishte shkuar të shtrihej në krevat, por ishte zgjuar kur i ra telefoni. Ishte mesnatë.
“Shoku Hrushov, ju flet komandanti i rojeve të shokut Stalin, – i tha bashkëbiseduesi nga ana tjetër e telefonit. – Jeni i lutur të vini menjëherë në daçën e tij”. Hrushovi i telefonoi menjëherë garazhit të Kremlinit që t’i dërgonin një makinë. Edhe gruaja e Hrushovit, Nina, u zgjua e preokupuar për t’i thënë të shoqit që të vishte dy bluza për t’u mbrojtur nga i ftohëti. Përpara se të dilte, Hrushovi piu dy gota më vodkë. Pastaj u nis drejt makinës që ishte e gatshme përpara derës. Në kthesën e parë, duke arritur në sheshin Arbat, pavarësisht se shoferi e ngiste me ngadalë, makina rrëshqiti dhe një rrotë e saj u përplas me trotuarin. Qe rasti për të kuptuar se në atë natë të errët dhe të ftohtë nuk ishte vetëm Hrushovi ai që shkoi në daçën e Stalinit. Makinat, përfshi të tijën, qenë shtatë. Të gjitha të drejtuara drejt të njëjtit vend. Bëhej fjalë për të gjithë anëtarët e Presidiumit Presidium: Molotov, Beria, Malenkov, Bulganin, Kaganoviç, Voroshilov dhe, natyrisht ai, Hrushovi. Frika kryesore e Hrushovit qe ajo e luftës. “Mos vallë Stalini kishte marrë vendimin e tmerrshëm për t’i shpallur luftë Amerikës?”, mendoi Hrushovi. Ushtria e Kuqe nuk ishte e gatshme për një konflikt eventual. Për një çast ai u kthye në vitin 1944. Ishte muaji shkurt dhe Hrushovi gjendej në frontin ukrainas kur mori urdhërin që të shkonte menjëherë në Kremlin. Për të arritur sa më shpejt atje, Gjenerali Hrushov kërkoi një avion, por kushtet klimaterike në Moskë nuk e mundësonin uljen e mjetit. Kështu që ju desh ta bënte udhëtimin nga fronti ukrainas deri në Moskë me makinë. Hrushovi ia përshkruan Georges Kessel atë natë lufte të vitit 1944: “Adjutanti im dhe unë u çuam në një daçë tjetër, më afër me Moskën. Unë qeshë i vetmi që u futa në dhomën e Stalinit. Qëndronte i ulur prapa një tavoline të madhe prej drurit të bardhë të mbuluar nga harta topografike dhe shishe vodke, shumë prej të cilave qenë bosh”.
Hrushovi u ul përpara Stalinit dhe filluan të dialogojnë lidhur me situatën ushtarale dhe ndërkohë nuk reshtën se piri vodkë, aq shumë sa ta bënte Hrushovin të deklaronte, gjithmonë në intervistën dhënë Epoca, se kishte menduar vet me vete: “Nikita, ruaje mendjen. Tani do të japë urdhëra dhe ti do të duhet t’i kujtosh për t’i zbatuar, cilatdo qofshin ato. Ti zbatosh, përndryshe do të jetë fundi”. Rrëfimi i Gjeneralit vazhdon në kujtimin e tij 10 vjet pas vdekjes së diktatorit: “U desh që të më shoqëronin deri tek makina. Isha keq jo dhe aq prej vodkës së pirë sesa prej turpit që po më shikonin në atë gjendje, mua, Gjeneralin përgjegjës për fronin ukrainas, nga ushtarët e shërbimit të rojes dhe nga adjutanti im, një kurajoz i mbuluar me plagë dhe me medalje”. Nuk qenë spazmat e të dehurit ato në të cilat u zhyt duke qëndruar përkrah shoferit. “Unë kisha spazma pasi po qaja vërtet. Qaja për ata dhjetëra, qindra mijëra të rinj që do të duhej të çoja drejt masakrës për t’ju bindur urdhërave të Stalinit. Kishte vendosur të kryente një seri sulmesh jo të koordinuara, absolutisht të kota”.
Për Hrushovin, refuzimi ndaj bindjes do të nënkuptonte dënim me vdekje. Asnjë prej bashkëpunëtorëve më të ngushtë të Stalinit nuk kish guxuar ndonjëherë t’ refuzonte. As edhe Beria që i mbante të gjithë nën trysni me policët dhe me spiunët e tij. “Ne nuk mund të bënim gjë tjetër veçse të bindeshim dhe të prisnim, – theksonte Grushovi në këtë intërvistë për Kessel. – Por kjo pritje vit pas viti bëhej gjithnjë e më shumë e padurueshme”.
Atë natë të 1 marsit të vitit 1953, teksa shkonte në takimin e tij me Stalinin, Hrushovi nuk kish sesi të mos mendonte për gjithë këtë. Pastaj shtatë makinat arritën vendin e banimit dimëror ku qëndronte Stalini. Një strukturë e ndërtuar në shekullin e XVIII-të nga një prej favoritëve të Katerinës së Madhe të Rusisë, Konti Orlov. Midis zërave që qarkullonin për llogari të asaj rezidence, më këmbëngulësi ishte ai që theksonte se rindërtimi i ndërtesës nga ana e Stalinit po bëhej duke ju përshtatur shijeve të tij dhe sidomos duke synuar shumë mbi sigurinë.
Shtatë besnikët e Stalinit përshkuan kalimin që nga muret e feshura me tela me gjemba dhe rrymë elektrike të çonte nga hyrja deri në daçën ku rrinte diktatori sovjetik. Rruga ishte plot me kthesa, disa prej të cilave fshihnin mina antipersonel. Për një moment të shtatë u bllokuan nga rojet personale të Stalinit. Bëhej fjalë për kaukazianë, ushtarakë që merrnin urdhëra vetëm nga Stalini. Vetë Beria, që ishte kreu suprem i policisë dhe i milicive, u kontrollua si gjithë të tjerët, përfshi Hrushovin. Frika e Stalinit, kështu si e zbulonte Gjenerali, ishte ajo se mos “njëri nga ne të mund të fshihte një armë”. Ky është kujtimi i Hrushovit: “Stalini ynë, shoku që e kishim njohur kurajoz deri në kokëkrisje, të cilit i kishim admiruar cilësitë e jashtëzakonshme dhe vlerësuar thellësinë dhe drejtësinë e pikëpamjeve, ai që kishte ruajtur partinë nga skizmat dhe e kishte mbrojtur kundër aventurierëve, ai që kishte shpëtuar Bashkimin Sovjetik dhe që, në mos tjetër për besimin e ngjallur në popullin rus, kishte fituar luftën, pak e nga pak ishte mbyllur në vetvete dhe dyshonte për të gjithë. Ankthi se mos vdiste i vrarë, – vazhdon Hrushovi në rrëfimin e tij, – e kishte futur në dorë atë pas fundit tragjik të Kirovit, djalit shpirtëror të tij, dhe e kishte çuar në çmenduri”. Fjalë të forta që Gjenerali Hrushov i konfirmonte akoma më shumë duke lexuar letrën e vajzës së tij Svetlana.
Rezidenca ku banonte Stalini ishte shumë e artikuluar: vizitorët zakonisht priteshin nën mbikëqyrjen e rreptë e komandantit të rojeve në një studio në katin përdhe. Por atë natë të 1 marsit 1953 të shtatë personazhet e thirrur nga Moska nuk e gjetën Stalinin në studio. Ai që i priti ishte vetëm oficeri kaukazian. Qe oficeri ai që u rrëfeu ngjarjet të cilat do të ndryshonin historinë e Bashkimit Sovjetik. Si zakonisht, shkruan gazetari Kessel, në orën 19 Stalini kishte urdhëruar darkën, por në orën 22 nuk kishte telefonuar më për çajin. Për dy orë kaukazianët kishin pritur që të binte zilja, por asgjë. Një fakt i tillë nuk kishte ndodhur kurrë. Kështu që rreth mesnatës oficeri kaukazian kishte marrë përsipër rrezikun që t’i telefononte Stalinit. Asnjë përgjigje. Atëhere kishte vendosur t’u telefononte në Moskë 7 personave më besnikë të Stalinit. Nuk donte ta merrte i vetëm përgjegjësinë e thyerjes së derës së blinduar.
Qe Molotovi ai që urdhëroi hapjen e derës. Për ta hapur duheshin shufra hekuri dhe në daçë nuk kishte asnjë. Atëhere Kaganoviçi shkoi që të merrte kazma akullthyese që zakonisht mbaheshin në bagazhet e makinave. Kështu kaukazianët filluan që të thyejnë derën. Më së fundi, kur ajo u ça, grupi u fut në korridor, duke mbajtur frymën, me shpresën e dëgjimit të zërit të Stalinit. Por i priti një heshtje varri. Duhej ecur përpara dhe duheshin thyer tri dyer të tjera të tri dhomave të tjera ku zakonisht shkonte diktatori. Sapo u hap dera e dhomës së parë, oficeri që ishte përpara të gjithëve ndaloi papritmas, pothuajse i  ngurosur. Atëhere Beria e shty dhe hyri brenda.
“Unë, – i rrëfeu Hrushovit gazetarit Kessel, – po qëndroja mu prapa tij. Dhe ja se çfarë qe ajo që pashë: Stalini, i veshur me uniformën e Marshallit, qëndronte i shtrirë në dysheme me fytyrën poshtë. Prapa shpatullave të mia të tjerët nguteshin që të shikonin dhe shtynin për të hyrë në dhomë. Papritmas, triumfant, i fortë dhe penetrues, u dëgjua zëri i Berias: Tirani ka vdekur, ka vdekur, ka vdekur!”.
Përgatiti për bota.al: ARMIN TIRANA

Leave a Reply

Back to top button