Analiza

“Vendime të vështira” i Hilari Klinton: sukseset dhe pendesat gjatë viteve në administratë

Hilary Clinton
Ish-zonja e Parë e Shteteve t
ë Bashkuara dhe ish-sekretare e shtetit, Hilari Klinton, ka pushtuar sërish mediat, kësaj here me promovimin e librit të saj, “Vendime të vështira”.
Në një intervistë për rrjetin televiziv ABC, e para e turit të promovimit,  Klinton e vuri theksin tek ai që, sipas shumë kritikëve, do të jetë edhe mesazhi i të gjithë turit: shfaqja si një diplomate e vendosur  dhe e gatshme për t’u prezantuar para votuesve, sidomos grave.
“Kur je në qendër të vëmendjes si grua e kupton se paragjykohesh në mënyrë të vazhdueshme”- tha zonja Klinton.
Për herë të parë, diplomatja e suksesshme u pyet për  Monika Levinskin, e cila pati një histori me të shoqin e Klinton, në atë kohë president i Shteteve të Bashkuara, Bill Klinton. 
“Për mua ajo është një shtetase amerikane e lirë të shprehet për çdo gjë që mendon e dëshiron. Por nuk është se e mendoj atë si person” – tha zonja Klinton, duke shtuar se e ka hedhur pas krahëve atë ngjarje.
 “Vendime të vështira” e Hilari Klinton është një libër biografik, ku ish-sekretarja e shtetit shkruan për humbjen e saj në 2008-n përballë kandidatit tjetër demokrat për president, Barak Obama; për reagimin e saj ndaj sulmeve terroriste në Bengazi, për të cilin është akuzuar shpesh nga republikanët, si dhe për vizionin e saj për politikën e jashtme.
Sipas Klinton, vendimet diplomatike në të shumtën e herëve kërkojnë zgjedhje të vështira. Dhe kjo është arsyeja e titullit të librit.  
“Çështja e Afganistanit, Pakistanit, Bengazi… janë të gjitha vendime të vështira’ – shkruan Klinton.
Zonja Klinton, ashtu siç ka bërë edhe më parë, nuk e përshkruan veten si dikush që zgjidhi gjithçka, por thjesht i çoi në një nivel më të lartë lidhjet diplomatike.
Klinton shkruan se është penduar për vendimin për të votuar pro luftës në Irak në vitin 2002. “Mendova se mora vendimin më të mirë me informacionet që kisha dhe nuk isha e vetmja që gabova. Gjithsesi gabova. Thjesht dhe qartë”- shkruan zonja Klinton.
Në libër, Klinton përshkruan edhe luftën e përgjakshme civile në Siri dhe përballjen me presidentin Obama lidhur me armatosjen e rebelëve.
“Askush nuk dëshiron të humbë në një debat. Por ky ishte një vendim që i përkiste presidentit dhe unë e respektova atë” – shkruan Klinton.
Kërkimi dhe vrasja e Osama bin Laden përdoret rregullisht në të gjitha fjalimet e zonjës Klinton dhe libri nuk bën përjashtim. Në kapitullin mbi Pakistanin, vendi ku u gjet Bin laden, Klinton shkruan gjatë mbi tensionet pas hyrjes në vend të forcave SEAL.
“E dija se do të fyheshin nëse nuk i ndanim informacionet me ta, por dija gjithashtu se elementë brenda inteligjencës pakistaneze ishin të lidhur me al Qaeda-n. Rreziku për dështimin e gjithë operacionit ishte shumë i lartë.”
Libri, i cili doli sot nëpër librari, shihet si një moment i rëndësishëm për zonjën Klinton, e cila mendohet si kandidatja favorite demokrate për të fituar zgjedhjet e 2016-s, për të  vijuar më tej me kandidimin për postin presidencial.
Zonja Klinton ka thënë se po e mendon kandidimin, por gjithsesi, në librin e saj, shkruan: “Nuk e kam vendosur ende.”

Përgatiti për bota.al: Elona Qose

Leave a Reply

Back to top button