Psikologji

“Vendose Zotin të parin dhe kurrë s’ke për të qenë i fundit”

Këtë shkrim kam vendosur ta nis me një mesazh të fuqishëm nga kapitulli i tretë i fjalëve të urta në Bibël. Fakti që zgjodha një pjesë biblike, nuk dot të thotë se ky shkrim u dedikohet vetëm besimtarëve të krishterë. Nëse beson sado pas, kupto se unë po të drejtohem ty pavarësisht besimit…

Jeta jo gjithmonë tregohet e drejtë. Një ditë na merr diçka me vlerë dhe një ditë tjetër dikë me vlerë. Në gjithë disfatat, dështimet dhe humbjet tona, mllefi dhe mërzitja që grumbullojmë brenda vetes zbrazën vetëm mbi Të. Akuzojmë Zotin si të padrejtë, sepse logjika jonë njerëzore është shumë e thjeshtë. Nëse Ai do të ishte i drejtë, nuk do merrte gjërat që neve na bëjnë të lumtur. Nëse Ai do të ishte i drejtë, nuk do të na dënonte aq rëndë duke na marrë lumturinë, sepse asnjë prind nuk e bën këtë gjë për fëmijën e vet dhe ne jemi fëmijët e Tij, apo jo?

Në momentet e vështira ne jemi aq shumë të mërzitur, saqë nuk arrijmë dot të mendojmë me kthjelltësi. Nuk e pranojmë dot se gjithçka që Ai na sjell në jetën tonë, është një provë për të na forcuar. Çdo gjë është një provë, të cilën ne duhet dhe mund ta kalojmë. Po, nuk ka humbje apo dështim që nuk e kalojmë dot. Zoti na sfidon vetëm me gjëra që mund t’i përballojmë. Ndoshta vazhdimi i këtij shkrimi do të të trondisë sadopak, por unë shpresoj që në fund të tij ti të kuptosh se ku dua të dal.

Edhe unë kam humbur njerëz të afërm, edhe unë jam përballur me sëmundjet e rëdna të të afërmve të mia. Njësoj si ty, edhe unë kam thënë në ato momente se Ai nuk ekziston, sepse nuk ka prindër aq të keq, saqë t’i dënojnë me dhimbje kaq të mëdha fëmijët e tyre. Por çështja nuk është kaq e thjeshtë. Zoti e di për çfarë kemi ne nevojë. Nëse ne nuk jemi të fortë mjaftueshëm, Ai ndërhyn të na forcojë duke na vënë në sfidë edhe me humbjen e njerëzve pa të cilët na duket sikur nuk jetojmë dot. Jo, ky është një mendim i gabuar. Ne mund të jetojmë pa ta, por s’mund të jetojmë pa Zotin dhe Ai nuk e pëlqen këtë mënyrë zëvendësimi.

Ne humbasim pasuri, humbasim të mira materiale për të cilat kemi kohë që punojmë dhe sërish largohemi prej Zotit. Ne zgjedhim të ikim prej Tij, në vend që të mendojmë se ku kemi gabuar me veprimet tona; se ku kemi mëkatuar. Zoti nuk ndëshkon kot. Ai është i drejtë dhe secilit i jep atë që meriton. Ndonjëherë edhe e forcon ashpërsinë, por çdo gjë e bën që ne të ecim përpara më të sigurtë dhe më besimtarë në fuqinë e Tij.

Unë dua të shohësh përtej dhimbjes që ndjen; dua të kuptosh të mirën në çdo të keqe (sepse gjithmonë ka diçka pozitive edhe në gjërat më negative që na ndodhin); dua të mendosh se jeta vazhdon dhe përpara nuk mund të ecësh dot pa besim. Zoti e di çfarë na duhet, pse na duhet dhe kur na duhet. Nuk na takon ne të diskutojmë zgjedhjet e Tij, por të pranojmë vullnetin e Tij pa e lëkundur besimin tonë.

Në momentin që vendos Zotin të parin, ti nuk do të mbetesh kurrë i fundit. Edhe kur të gjithë të largohen, ti do e dish se pranë do e kesh përherë një Mik të ngushtë. Edhe kur të humbasësh gjithçka, ti do e kuptosh se Ai ka rezervuar diçka akoma më të madhe për ty. Vetëm mos u lëkund në besimin tënd. Përpiqu dita-ditës ta forcosh besimin, dhe do të vijë një moment kur të ndihesh plotësisht i/e lumtur. / Fatjon Xhafaj – Bota.al

Leave a Reply

Back to top button