Enciklopedike

Vërshimi i çuitshëm. Si u përmbyt Londra nga birra

Christopher Klein

Në 17 tetor, 1814, një kade tre kate e lartë me birrë shpërtheu brenda një fabrike birre londineze dhe çliroi një dallgë të jashtëzakonshme birre të zezë, e cila vrau tetë njerëz në apartamentet fqinje

london beer

Vonë në mbasditen e të hënës së 17 tetorit 1814, Anne Saville e shqetësuar qante mbi trupin e djalit të saj 2 vjeçar, John, i cili kishte vdekur një ditë më parë. Në apartamentin e saj të nëndheshëm në lagjen Shën Giles të Londrës, një mikeshë irlandeze i ofroi komoditet ndërsa ato i rrinin mbi kokë vogëlushit dhe prisnin arrdhjen e burrave dhe djemve, të cilët bënin punë dore raskapitëse rrotull qytetit. Sipër, në katin e parë të apartamentit të mbingarkuar të Rrugës së Re, Mary Banfield u ul për çaj me vajzën e saj 4 vjeçare, Hannah. Pas Magazinës Publike të Armëve Tavistock pranë Rrugës Great Russell, shërbëtorja 14 vjeçare Eleanor Cooper mbante poçet tek pompa e jashtme e ujit, në hijen e një muri me tulla 25 këmbë të lartë.
Në anën tjetër të barrierës së lartë qëndronte fabrika e birrës e Messrs. Henry Meux and Coperation e rrugës Bainbridge e cila dominonte enklavën Irlandeze. E themeluar herët në regjimin e Mbretit George III dhe e famshme për birrën e saj të zezë, fabrika prodhonte më shumë se 100.000 fuçi me nektar në ngjyrë të zezë çdo vit.
Rreth orës 4:30 pasdite, nëpunësi i vendgrumbullimit të birrës George Crick inspektoi njërën nga kadet e drurit tre katëshe të larta, të mbërthyera me rreth fuçie prej hekuri, në të cilën birra e zezë fermentohej. Ndërsa ai shikonte poshtë, nëpunësi papritur vuri re që një rreth fuçie 700-poundshe kishte rrëshqitur nga një kade gjigande që mbante një kampion 10 muajsh të vjetër birre të zezë. Crick, i cili kishte punuar me kompaninë për 17 vjet dhe e kishte parë të rritej për t’u bërë prodhuesja e pestë më e madhe e birrës së zezë, e dinte se kjo ndodhte dy ose tre herë në vit dhe nuk mendoi gjatë. Edhe pse birra e zezë e mbushte të gjithë kaden dhe presioni nga procesi i fermentimit po rritej, shefi i Crick-ut i tha atij se asnjë dëm nuk do të vinte “nga një rreth fuçie i thyer” dhe se ai duhet t’i shkruante një letër një të punësuari tjetër i cili do ta rregullonte atë më vonë.
Shumë shpejt pasi ai e shkroi shënimin rreth orës 5:30 pas dite, Crick dëgjoi një shpërthim masiv nga brenda dhomës së magazinimit. Kadeja e prishur, e cila mbante ekuivalenten e 1 milion pintësh me birrë shpërtheu në cifla. Shpërthimi theu valvulën e një kadeje ngjitur e cila gjithashtu mbante mijëra barrela birrë dhe vuri në lëvizje një reaksion zinxhir ndërsa  pesha e 570 tonëve me lëng përplasej mbi mbajtëset e tjera të birrës së zezë.
Forca e shpërthimit hodhi tulla fluturuese nga maja e shtëpive në rrugën Great Russell dhe hodhi përtokë murin me tulla i cili qëndronte mbi Eleanor Cooper, duke e vrarë atë menjëherë. Një rrymë birre e zezë vërshoi përmes rrugicave të ngushta të lagjes rretherrotull dhe e fshiu çdo gjë që i doli përpara. Me rrugët pa sistem kullimi, vala e lëngut të zi nuk kishte ku të shkonte tjetër përveçse drejt e në shtëpitë fqinje. Banorët kapën dërrasat e  tavolinave dhe mobiljeve për të shpëtuar veten nga mbytja ndërsa birra përmbyti shtëpitë. Rrënoja të shkërmoqura në përmbytje rrethuan fabrikën e birrës.
Dëmtimi më i madh ndodhi në Rrugën e Re. Kaskada e fshiu fare Hannah dhe Mary Banfield-in në mesin e çajit të tyre, dhe vajza e vogël u mbyt në tsunamin e birrës. Forca e valës së jashtëzakonshme bëri që shtëpia të shkatërrohej mbi vajtuesit të kruspullosur në bodrum, duke vrarë Anne Saville dhe katër të tjerë.
E mbytur nga varfëria, lagjia e Shen Giles-it u ngop tani me birrë. Të shpëtuarit, me rrobat e tyre të përmbytyra në pijen e nxehtë me maja birre, çanë përmes rrymës deri në brez me birrë dhe kapnin përmes rrëmujës së tullave dhe drunjve me duart e tyre në kërkim të atyre që ishin bllokuar brenda. Ata u përpoqën të heshtnin të tmerruarit me qëllim që të dëgjonin thirrmat e dobëta dhe rënkimet që vinin nga rrënojat. “Skena rrethuese e shkatërrimit prezanton një pamje shumë të tmerrshme, e barabartë me atë që një zjarr ose tërmet supozohet të shkaktojë”, raportoi London’s Morning Post.
Megjithëse në sipërfaqe Vërshimi i Birrës së Londrës mund të tingëllojë i çuditshëm, i ngjashëm me vërshimin e shurupit të sheqerit  që goditi Bostonin në 1919, vuajtjet ishin të dukshme. Morning Post raportoi në atë kohë se ngjarja ishte “një nga aksidentet më të trishtueshme që ne mbajmë mend ndonjëherë”. Ndërsa të gjithë brenda fabrikës së birrës mbijetuan, vërshimi i birrës së Londrës mori jetën e tetë grave dhe fëmijëve.
Anne Saville iu bashkua djalit të saj në tabutin ngjitur me atë të Elizabeth Smith, Catherine Butler, Mary Mulvey dhe djalit të saj 3 vjeçar, Thomas Murray. Tabutet e zhubrosur të Eleanor Cooper, Hannah Banfield dhe tre vjeçarja Sarah Bates ishin nxjerrë jashtë në një oborr ngjitur ndersa një varg londinezësh bënin homazhe dhe hidhnin peni dhe shillinga në një pjatë për të paguar për funeralet e tyre.
Vetëm dy ditë pas katastrofës, një juri u mblodh për të hetuar aksidentin. Pasi vizituan vendin e tragjedisë, duke parë trupat e viktimave dhe duke dëgjuar dëshminë nga Crick dhe të tjerë, juria dha verdiktin e saj se incidenti kishte qënë një “Vepër e Zotit” dhe se viktimat kishin takuar vdekjen “rastësisht, aksidentalisht dhe fatkeqësisht”. Jo vetëm që fabrika e birrës i shpëtoi pagesës së dëmshpërblimit ndaj viktimave të varfër, por edhe mori një dokument nga Parlamenti Britanik për shmangien nga taksa indirekte që e kishte “paguar” tashmë për mijëra fuçi birre të humbur. /history.com/

Leave a Reply

Back to top button