Ekonomi

“Vetëm këtë Europë, jo!” Çfarë mendojnë grekët

Screen Shot 2015-07-01 at 09.17.48

Nga Joe Miller

BBC

Rrugët në lagjen Pagkrati të Athinës kanë një heshtje të frikshme – dhe ndonëse është e hënë pasdite, ato janë krejt të shkreta. Për çdo kafene apo ushqimore që rri hapur, janë të paktën njëzetë që janë mbyllur një herë e mirë. Disa vitrina dyqanesh janë braktisur prej një kohë kaq të gjatë, sa që tabelave “Jepet me qera” në dritare u ka dalë boja prej diellit.

Në këtë sfond, u ula në një Kafeneio. Më shumë se dhjetë athiniotë të moshës së pensionit, pinë cigare njërën pas tjetrës nën një strehë, duke shijuar mezetë, të cilat i shoqërojnë me broka të vogla me verë të kuqe.

Të martën, shumica e tyre presin të marrin pensionin, që Kryeministri Alexis Tsipras ka premtuar se do ua paguajë.

Problemi, të paktën për Janin, i cili refuzoi të fotografohej, është se ai nuk ka një kartë bankare për të tërhequr paratë në bankomat, dhe nëse bankat qëndrojnë mbyllur, ai nuk ka se si të tërheqë paratë e tij.

Screen Shot 2015-07-01 at 09.17.52

Jani dëshiron që e gjithë kjo të marrë fund. Ai do të votojë “po” të dielën, dhe dëshiron që Greqia të pranojë programin e shpëtimit të Europës dhe FMN-së, pavarësisht ndryshimeve ndoshta të dhimbshëm që do të pësojnë pensionet dhe taksat.

Dhimitri, i cili do të votojë “jo”, nuk duron më. Kur dëgjon që jam nga BBC, lëshon një lumë sharjesh kundër David Cameronit, Mbretërisë së Bashkuar, si dhe ekonomive më të pasura të Europës, por pak kaluar shumë kohë, nis të më tregojë për jetën e tij.

Tashmë në fundin e të gjashtëdhjetave, Dimitrit i është dashur të mbyllë dyqanin e tij të artikujve shkollorë dhe të zyrave në shkurt – pas 43 vitesh në këtë biznes. Fëmijët e tij kanë në plan të largohen nga Greqia – njëri prej tyre dëshiron të shkojë deri në Australi.

“Unë dua të qëndroj në Europë”, më thotë ai. “Vetëm se, jo në këtë Europë”.

I kam dhënë jetë një debati të nxehtë që do të zgjasë pothuajse një orë, dhe do të përfshijë tema të ndryshme si Lufta e Dytë Botërore, Perandorinë Britanike dhe lindjen e shtetit grek pas fundit të periudhës otomane.

Për këta burra, historia ka shumë rëndësi, sidomos për Dhimitrin. Ata ndihen se vendet e fuqishëm të Europës u kanë ngrënë hakun. Dhimitri dëshiron që unë t’i them Mbretëreshës se ajo duhej të “kish qëndruar fort pro Greqisë” gjatë vizitës së saj të fundit në Gjermani. I betohem se do ia përcjell mesazhin e tij, herën tjetër që do ta takoj.

Viktori, një tjetër që do të votojë “jo”, ka punuar në ndërtim, dhe më pas si roje sigurie. Ka qenë i papunë gjatë 4 viteve të fundit. “Ndoshta janë xhelozë për ne, që ne rrimë e ngrohemi në diell”, thotë ai duke iu referuar gjermanëve, si dhe vendeve më të pasur të eurozonës.

Ai ua lë atyre fajin për gjendjen e vështirë ku ndodhet Greqia. “Duhej ta kishin ditur gjithmonë se ky vend i vogël nuk mundet ta shlyejë një borxh aq të madh – por ata vazhduan të na japin para”.

“Duhet që të jemi të barabartë”, shton ai. “Të gjithë shtetet e mëdhenj kanë kaq shumë përvojë – Greqia është kaq e vogël, a nuk munden të na nxjerrin nga ky telash?”

Ai është gjithashtu i zemëruar me prurjen e madhe të gazetarëve të huaj dhe grupeve të xhirimit. “Ku kanë qenë këta gjithë këto vite? Nuk ka qenë shumë ndryshe para një viti”.

Thanasi nuk do të shkojë të votojë në referendumin e të dielës, por jo për arsye politike. Ai është ende i regjistruar në qytetin e vogël të Kallamatës, dhe nuk përballon dot të udhëtojë deri atje. Ka punuar që kur ka qenë 17 vjeç, kryesisht si shofer autobusi.

Asnjëri prej tyre nuk ka menduar ndonjëherë të largohet nga Greqia.

Në kohën kur ngrihem të largohem, më kanë ofruar kafe greke – për të cilën nuk më lejojnë të paguaj – pavarësisht protestave të mia, se kjo do të ishte kundër udhëzimeve të BBC-së.

“Jemi të gjithë europianë”, më thotë Dhimoja, që punon në këtë kafene, teksa refuzon paratë e mia. Pasi më zgjat ngrohtësisht dorën, më thotë: “Kërkojmë vetëm të respektohemi njësoj”.

BBC

Leave a Reply

Back to top button