Analiza

Vetmia e xhandarit global

Nga Sllavoj Zizek*

01 UPC Cover.indd

Në fund të muajit shtator, pasi i shpalli luftë shtetit islamik të ISIS-it, presidenti amerikan Barack Obama në një intervistë televizive në emisionin e njohur “60 minuta”, u përpoq të shpjegonte rregullat e drejtimit amerikan të globit: “Kur ka probleme në ndonjë cep të botës, nuk thërrasin në ndihmë Pekinin apo Moskën. Na kërkojnë ne. Ka qenë përherë kështu. Amerika drejton të tjerët! Jemi një komb i domosdoshëm”. E njëjta gjë vlen edhe për katastrofat mjedisore apo ato humanitare: “Kur një tajfun godet Filipinet, vëzhgoni se kush ndihmon filipinasit, për të përballuar emergjencën civile. Kur bie një tërmet në Haiti, shihni kush merret me rindërtimin e vendit. Kështu funksionon Amerika. Është kjo ajo çka na bën amerikanë”.
Megjithatë në mesin e muajit tetor, Obama zhvilloi një bisedë telefonike me Teheranin  dhe i dërgoi nje letër sekrete Ajatollahut Ali Khamenei, ku këshillonte një riafrim thelbësor mes SHBA-ve dhe Iranit, mbi bazën e interesit të përbashkët për të luftuar xhihadistët e shtetit islamik të ISIS-it. Irani jo vetëm që e refuzoi këtë ofertë, por kur nisma e Obamës u publikua në media, republikanët e cilësuan atë qesharake dhe njëherazi poshtëruese. Sipas tyre, ky gjest do të ushqejë bindjen arrogante të Iranit se SHBA janë realisht një superfuqi botërore në perëndim.
Në fakt është kjo mënyra sesi funksionon Amerika në realitet. Duke vepruar e vetme në një botë multipolare, ajo fiton vazhdimisht luftërat dhe humbet paqen, duke kryer punët e pista të të tjerëve: të Kinës apo dhe Rusisë që kanë problemet e tyre me islamikët,  duke ndihur në këtë drejtim edhe vetë Iranin. Rezultati përfundimtar i pushimit të Irakut, ishte dorëzimi i kontrollit politik të vendit në duart e Teheranit. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Afganistanin më herët, ku ndërhyrja e Uashingtonit kundër pushtimit sovjetik prodhoi talebanët.
Nuk mbetet më pak problematik roli i ri që SHBA ka në ekonominë botërore. Një cikël ekonomik ndodhet tashmë në muzgun e tij. Ky cikël kishte nisur në fillim të viteve ‘70,  kur lindi ai që Janis Varufakis e cilëson si “Minotauri Global”, motori i përbindshëm që shtyu ekonominë botërore nga fillimi i viteve ’80 dhe deri në vitin 2008. Fundi i viteve ’60 dhe fillimi i viteve ’70, nuk ishin thjeshtë periudhë e një kize ekonomike dhe stanjacioni. Vendimi i presidentit amerikan, Riçard Nikson, për të braktisur konvertimin e dollarit, ishte shenja e parë e një ndryshimi shumë më radikal në funksionimin e sistemit kapitalist. Në fund të viteve ’60, ekonomia amerikane nuk mund të riciklonte më tepricat e veta në Evropë dhe Azi dhe kjo pasi ato tashmë ishin shndërruar në defiçite.
Në vitin 1971, Uashingtoni reagoi ndaj kësaj situate në mënyrë mjaft kurajoze: në vend se të kufizonte defiçitin gjithnjë e më të madh, vendosi të bënte të kundërtën dmth ta rriste atë. Por kush do të vuante pasojat? Sigurisht pjesa tjetër e botës. Në ç’mënyrë? Përmes transferimit të vazhdueshëm të kapitaleve nga njëra anë e oqeanit në tjetrën, për të mundësuar kështu financimin e defiçitit. SHBA kanë nevojë për 1 miliardë dollarë në ditë nga vendet e tjera, për financimin e konsumin të tyre të brendshëm. Në këtë kuptim janë konsumatorët universalë kejnesianë, ata që udhëheqin ekonominë botërore.
Ky rrugëtim parash, bazohet në një mekanizëm ekonomik mjaft të ndërlikuar: SHBA cilësohen si një partner i qëndrueshëm dhe i besueshëm, ndërsa gjithë të tjerët, nga prodhuesit arabë të naftës, Evropa Perëndimore, Japonia dhe tashmë madje edhe Kina, investojnë atje fitimet e tyre. Dhe duke qenë se ky “besim” ka baza të shëndosha ideologjike dhe ushtarake më shumë sesa ekonomike, SHBA janë të detyruara që të justifikojnë sjelljen e saj imperialiste, përmes një gjendje lufte të përhershme, duke u shpërfaqur si mbrojtëse universale e të gjitha vendeve “normale” kundër “shteteve të poshtra”.
Megjithatë, para se të arrinte të afirmohej plotësisht, sistemi global i bazuar tek supermacia e dollarit si monedhe universale, filloi gradualisht të shkërmoqej, duke lënë një boshllëk që ende nuk është mbushur. Nga kjo varen edhe tensionet aktuale. “Shekulli amerikan” ka mbaruar dhe tashmë po krijohen qendra të tjera të kapitalizmit botëror: SHBA, Evropa, Kina, ndoshta edhe Amerika Latine. Secila prej tyre mbështet formën e saj të veçantë të kapitalizmit. SHBA janë kalorësit e kapitalizmit neoliberal, Evropa mbron atë çka mbetet ende nga shteti social, Kina ruan me fanazitëm kapitalizmin e saj të “vlerave aziatike” (ose thënë ndryshe autoritarizmin), në një kohë që Amerika Latine preferon kapitalizmin populist. Superfuqitë e vjetra dhe të reja po studiojnë njëra-tjetrën dhe secila tenton që të imponojë variantin e saj të rendit botëror, dhe që si fillim e eksperimenton me shtetet satelite që ka rreth e rrotull.
Gjendja aktuale i përngjan asaj të fillimit të viteve 1900, kur hegjemonia e Perandorisë Britanike po kontestohej nga fuqitë e reja në rritje e sipër, sidomos nga Gjermania, të cilat donin një copë nga torta e kolonive. Ballkani ishte një prej rajoneve për të cilat rivalizohej. Sot rolin e dikurshëm të Perandorisë Britanike e luan SHBA, fuqitë e reja në rritje janë Rusia e Kina, ndërsa Ballkani i djeshëm është Lindja e Mesme sot. Është pra beteja e zakonshme për ndikim gjeopolitik. Jo vetëm SHBA por edhe Moska thotë se ka marrë kërkesa për ndihmë nga Gjeorgjia dhe Ukraina dhe ndoshta shumë shpejt “lutje” të ngjashme do të ketë edhe nga 3 vendet e vogla balltike, Estonia, Lituania dhe Estonia.
Ekziston një tjetër paralelizëm interesant mes gjendjes aktuale dhe asaj që i parapriu shpërthimit të Luftës së Parë Botërore: muajt e fundit mjetet e informimit publik vazhdimisht paralajmërojnë mbi rrezikun e një lufte të tretë botërore. Së paku një herë në javë, presidenti rus Vladimir Putin lëshon një deklaratë që intepretohet prej perëndimit si një provokim. Një politikan perëndimor apo një përfaqësues i NATO-s flet për ambicje imperialiste të Rusisë. Në kundërpërgjigje të këtyre akuzave, Moska shpreh shqetësim mbi sjelljen e NATO-s kundrejt fqinjëve të saj, duke filluar kësisoj t’i frikësohet një pushtimi të mundshëm. Tonet e ububushme të këtyre deklaratave nuk bëjnë gjë tjetër veçse rrisin më tej tensionin, saktësisht sikurse ndodhi para vitit 1914. Është një mekanizëm supersticioz, sikur të flisnim për një katastrofë që mund të shmangim. Njohim rrezikun, por nuk mendojmë se mund të jetësohet në realitet dhe pikërisht është kjo bindje që e shndërron atë në një rrezik të mundshëm. Më fjalë të tjera, edhe pse nuk mendojmë se çfarë mund të ndodhë, duhet të përgatitemi gjithësesi për gjëmën.
Këto parapërgatitje, gjerësisht të injoruara nga mjetet kryesore të komunikimit, gjejnë hapësirë vetëm në mediat periferike. Në 3 Dhjetor të këtij viti, televizioni “Russia Today” raportonte: “Prej më shumë se 10 vitesh, Pentagoni po mendon seriozisht mundësinë e një Lufte të Tretë Botërore, por tashmë aksioni ushtarak kundër Rusisë ka kaluar në hartimin e planeve konkrete. Masat e sigurisë që nga Lufta e Ftohtë nuk vlejnë më. Në 4 Dhjetor 2014, miratimi i një ligji të rëndësishëm nga ana e Kongresit (rezoluta 758) autorizon (në pritje të votimit të senat) presidentin e Shteteve të Bashkuara që të nisë një përballje ushtarake me Rusinë pa aprovimin e Kongresit…”. Në 3 Dhjetor, Ministri rus i Mbrojtjes, njoftoi krijimin e një njësie të re politiko-ushtarake, që do të mbajë nën kontroll të gjitha kërcënimet ndaj sigurisë kombëtare në kohë paqe, por që do të merrte drejtimin e situatës, në rast se vendi do të gjendet në luftë. Ajo që i komplikon më tepër gjërat, është fakti se superfuqitë e vjetra dhe te reja duhet të përballen edhe me radikalizmin e lëvizjeve fondamentaliste që sa janë armiq me të gjithë, aq edhe të gatshëm të lidhin aleanca strategjike me ndonjë prej tyre. Nuk është çudi që kjo gjendje të ndërlikohet gjithnjë e më shumë duke të çuar drejt pyetja: Kush lufton kë? Si mund të zgjedhësh mes Bashar al Assad-it dhe ISIS-it në Siri? Po mes ISIS dhe Iranit? Kjo çoroditje – për të mos folur për rolin gjithnjë e më të rëndësishëm të dronëve dhe armëve të tjera, që premtojnë një luftë teknologike pa të vdekur (të pakën jo në anën tonë) – nxit rritjen e shpenzimeve ushtarake dhe e bën më të pranueshme perspektivën e një lufte.
Nëse koncepti thelbësor i luftës së ftohtë ishte i ashququajturi MAD (“shkatërrimi i ndërsjelltë i garantuar” por vetë akronimi në anglisht do të thotë i “çmendur”), aksioma e luftës aktuale ndaj terrorizmit, duket të jetë e kundërta ose NUTS (Nuclear Utilization Target Selection, “përzgjedhja e shënjeshtrave kundër centraleve bërthamore”) akronimi do të thotë “i çmendur pas garave”, ose ideja që përmes një sulmi kirurgjik, mund të shkatërrohen instalimet nukleare të armikut, ndërsa një predhë antiraketë do të na mbrojë nga kundërsulmi.
Më qartë akoma, SHBA përdorin një strategji të diferencuar: reagojnë sikur të vazhdonin me logjikën e MAD-it në marrëdhëniet me Rusinë dhe Kinën, por në të njëjtën kohë joshen nga sistemi NUTS, për të zgjidhur problemet me Iranin dhe Korenë e Veriut. Mekanizmi paradoksal i MAD-it, tjetërson logjikën se “profecia do të vetërealizohet”, duke e transformuar në “një synim që vetëçudit”: fakti se në rast të një sulmi bërthamor, armiku mund të kundërpërgjigjet me një forcë po aq shkatërruese, është garanci se askush nuk do të fillojë një luftë të tillë. Përkundrazi, logjika e NUTS-it, është që armiku mund të detyrohet të ç’armatoset, në rast se jemi të aftë ta godasim, pa rrezikuar një kundërsulm. Zbatimi i dy strategjive kontradiktore në të njëjtën kohë e po të njëjtës fuqi, dëshmon pikërisht absurditetin e të gjithë arsyetimit.
Çfarë mund të bëjmë për të ndalur një vokacion të tillë? Hapi i parë, sigurisht është hedhja pas krahëve e të gjithë fjalimeve pseudoracionale mbi “rreziqet strategjike” që duhet të marim përsipër, së bashku me konceptin e kohës historike si një proges evolutiv linear, në të cilin në çdo moment duhet që të zgjedhim mes disa mundësive. E vërteta është se duhet që të pranojmë kërcënimin. Nuk bëhet fjalë vetëm për të evituar rrezikun e të marrit vendime korrekte në kuadër të peisazhit global, pasi kërcënimi i vërtetë përfaqësohet pikërisht nga situata aktuale në tërësinë e vet, nga “fati ynë”: nëse vazhdojmë të reagojmë si kemi bërë deri më tani, jemi të dënuar nga kujdesia me të cilën ne vetë lëvizim. Zgjidhja nuk është të jesh i kujdesshëm dhe të shmangësh aksione të rrezikshme, sepse në këtë mënyrë nuk bëjmë gjë tjetër veçse marrim pjesë aktivisht në logjikën që çon drejt katastrofës. Zgjidhja është të bëhemi tërësisht të ndërgjegjshëm mbi lidhjet e ngjarjeve të rrezikshme, që e bëjnë në tërësi situatën jashtëzakonisht të rrezikshme. Paskëtaj duhet që t’ia fillojmë punës së vështirë e të gjatë për të ndryshuar kahjen e të gjithë këtij skenari. Tjetër zgjidhje unë nuk shoh.
* Slloveni Sllavoj Zizek është një filozof dhe studiues i psikanalizës. Libri i tij i fundit botuar këtë vit titullohet “Objekti sublime i ideologjisë.

Perkthimi: A. Goce/www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button