Analiza

VIENA. Ky qytet është nyja globale e spiunazhit

Damien McElroy

VienaReputacioni i saj si qendra e spiunazhit është shumë më i hershëm se sa fama që fitoi si vendi ku zhvillohen ngjarjet e filmit të 1949-ës “I Treti”, por vetëm tani mund të vendoset një shifër për numrin e spiunëve që veprojnë në Vienë.  Një vëzhgim i kryer nga ekspertë të veprimtarisë së spiunazhit në kryeqytetin austriak, tregon se të paktën 7000 agjentë veprojnë fshehtas në qytet.
Si vend neutral, gjatë Luftës së Ftohtë Viena ishte një nyjë spiunazhi, ku të dy palët ishin në gjendje të bënin shkëmbime dhe bënin marrëveshje të hapura mes tyre. Joshja e Vienës shprehet më së miri në skenën e fillimit të filmit “I Treti”, ku rrëfyesi vëren se Viena është një parajsë për agjentët: “Ne mund të bënim çdo gjë që donim nëse njerëzit e kërkonin, dhe kishim paratë për të paguar”.
Pa rival si një terren lojërash për Luftën e Ftohtë, afërsia e Ballkanit pas shembjes së bllokut sovjetik rezultoi një fillim i ri për profesionin e dytë më të vjetër të botës. Që nga sulmet e vitit 2011 në Amerikë, qyteti ka qenë gjithashtu një teatër i rëndësishëm për interesat konkurues të Lindjes së Mesme.
Sipas Emil Bobi, autor i “Die Schattenstadt” (Boshllëku), historia e spiunazhit në Vienë, me mbështetje edhe shtetërore e ka zanafillën që në kohën e perandorisë austro-hungareze. Ligjet e vendit nuk janë përditësuar asnjëherë, pavarësisht kolapsit të perandorisë, dy luftërave botërore dhe një konflikti të ftohtë lindje-perëndim. Si rezultat, të vetmet veprimtari spiunazhi që janë të paligjshme në Austri, janë ato që kanë në shënjestër sekretet shtetërorë austriakë. “Cdo diplomat i nivelit të dytë në Vienë mund të lidhet me agjencitë e fshehta të vendit të tij, apo të saj”, thotë Bobi. “Në çdo ambasadë ka personel të tepërt”.
Gert Rene Polli, ish kreu i BVT, agjencia e kundërspiunazhit në vend, tha se shifra 7000 është minimumi dhe kësaj mund t’i shtohen të tjerë që kanë lidhje me biznesin. “Viena është një bursë informacioni. Ne kemi ligjet më liberalë për këtë veprimtari”, tha ai. “Eshtë gjithashtu një vend i këndshëm për të jetuar për spiunët si dhe për t’u dhënë familjeve të tyre një arsim të mirë dhe shërbime shëndetësorë që zor se i gjen në Serbi, Irak apo Afganistan”.
Si vendi ku ndodhen zyrat e shumë organizatave të OKB dhe atyre ndërkombëtare, Viena ka një numër të madh delegacionesh diplomatikë që ofrojnë një front të përsosur për spiunazhin. Jo vetëm është qendra e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, që merret me përhapjen bërthamore, por ajo është edhe vendi ku ndodhet qendra e OSCE dhe OPEC.
Ndërkohë që sferat e mbivendosura të spiunëve ndryshojnë në rëndësi me ngjarjet ndërkombëtare, rivaliteti tradicional mes SHBA dhe Rusisë mbetet praktika më e fortë për ruajtjen e një numri të madh spiunësh.
Kjo gjë u pranua heshturazi kur qyteti ishte vendi i zgjedhur për shkëmbimin më të madh të spiunëve në vitet e fundit. Në mes të ditës, 14 spiunë amerikanë dhe rusë, përfshirë Ana Chapman, u shkëmbyen në pistën e aeroportit të Vienës në 2010-ën.
Spiunazhi mund të fshihet kollaj pasi nuk ka pothuajse fare thirrje për ndryshim. “Këtu është jetë. Eshtë pjesë e kulturës së Vienës”, tha Bobi. “Shoqëria vieneze është e ndërtuar mbi sekrete dhe njerëzit jetojnë për të patur sekrete. Nëse ke një sekret në Vienë, atëherë je dikushi”. /Telegraph/
Pershtatur ne shqip nga bota.al

Leave a Reply

Back to top button