
David Miliband
Nëse vitet e fundit shënuan epokën e “polikrizës”, atëherë viti 2026 është agimi i një çrregullimi të ri botëror. Kjo epokë e re nuk përcaktohet nga rregulla për shtetet dhe të drejta për individët, por nga mungesa e të dyjave. Si pasojë, krizat humanitare janë përshkallëzuar dhe pothuajse 240 milionë njerëz kanë nevojë për ndihmë humanitare.
Lista e Emergjencave e IRC-së për vitin 2026, e cila identifikon 20 vendet më të rrezikuara nga përkeqësimi i krizave humanitare, sugjeron se ndodhemi në ujëra të panjohura, një portret në stilin e Oscar Wilde-it, i premtimit në kalbëzim të rendit ndërkombëtar të pas Luftës së Dytë Botërore.
Kjo epokë e re çrregullimi përkufizohet nga fuqi konkurruese, aleanca që ndryshojnë vazhdimisht dhe marrëveshje transaksionale, të cilat minojnë bashkëpunimin global, mundësojnë konflikte të nxitura nga pushteti dhe influencat, dhe eleminojnë mbrojtjet për më të pambrojturit.
Tërheqja e ndihmës dhe rritja e konflikteve
Kriza në Sudan pasqyron qartë këtë çrregullim të ri botëror. Për të tretin vit radhazi, Sudani kryeson Listën e Emergjencave të IRC-së. Ai nuk është vetëm epiqendra e krizës më të madhe humanitare të ditëve tona, por kriza më e madhe humanitare e regjistruar ndonjëherë.
Nuk bëhet më fjalë thjesht për një luftë civile të brendshme. Sudani është shndërruar në një vatër ndërhyrjesh të jashtme dhe rivalitetesh rajonale; në një terren ku modelet e biznesit ushqehen nga plaçkat e luftës, ndërsa palët ndërluftuese dhe mbështetësit e tyre rajonalë luftojnë për kontrollin e minierave të arit, rrugëve tregtare dhe armëve; dhe ku diplomacia është paralizuar nga konkurrenca gjeopolitike.
Rreth 21 milionë sudanezë përballen me nivele kritike urie, 12 milionë janë zhvendosur me forcë dhe, në kapitullin më të fundit të tmerrit në Darfur, 150 mijë civilë, që besohej se ndodheshin në El Fasher, rezultojnë të zhdukur.
Mosveprimi ndërkombëtar në Sudan është i dhimbshëm për t’u parë, por nuk është rast i izoluar. Ai është simbol i çrregullimit të ri botëror, dhe i bllokimit të institucioneve që supozohet ta frenojnë atë. Gjatë 10 viteve të fundit, pesë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së kanë përdorur veton 49 herë, krahasuar me vetëm 19 herë në dekadën paraardhëse, shpesh për rezoluta që lidhen pikërisht me krizat që dominojnë Listën e IRC-së.
Çmimi njerëzor i çrregullimit
Pasojat e drejtpërdrejta të këtij çrregullimi maten në vuajtje njerëzore. Sipas Agjencisë së OKB-së për Refugjatët 117 milionë njerëz janë zhvendosur me forcë në mbarë botën; gati 40 milionë përballen me uri të rëndë; ka më shumë konflikte aktive se në çdo moment tjetër që nga Lufta e Dytë Botërore; sulmet ndaj civilëve dhe shkollave janë rritur me gati 50% krahasuar me vitin e kaluar; viti 2025 pritet të jetë më vdekjeprurësi ndonjëherë për punonjësit humanitarë.
Vendet e përfshira në Listën e IRC-së përbëjnë 89% të 240 milionë njerëzve në nevojë humanitare globale, ndërkohë që përfaqësojnë vetëm 12% të popullsisë botërore.
Ndërkohë, donatorët globalë janë tërhequr. Që në tremujorin e parë të këtij viti, 83% e programeve të USAID-it janë anuluar. Vende donatore si Gjermania, Mbretëria e Bashkuar dhe Franca kanë ndjekur të njëjtin trend. Këtë vit, 2 milionë përfitues të IRC-së kanë humbur shërbime jetike, përfshirë refugjatët sudanezë në Sudanin e Jugut. Në total, financimi për ndihmën humanitare ka rënë në 50% të nivelit të vitit 2024.
Ky çrregullim i ri global nuk është thjesht destabilizues, është i rrezikshëm. Shembulli më i qartë është siguria shëndetësore globale. Parandalimi i sëmundjeve dhe pandemive ka ngecur. Qendra Afrikane për Kontrollin e Sëmundjeve raporton një rritje prej 40% të emergjencave shëndetësore publike, ndërkohë që financimi global për shëndetin është në nivelin më të ulët të 15 viteve të fundit.
Çfarë funksionon dhe çfarë duhet bërë
Ironia është se, pavarësisht këtij neglizhimi, provat tregojnë qartë se çfarë funksionon: ndihma në para, trajtimet e thjeshtuara kundër kequshqyerjes, fushatat e vaksinimit dhe veprimet parandaluese përpara goditjeve klimatike janë mjete të provuara, kosto-efektive dhe transformuese.
Së pari, donatorët duhet të përqendrohen te ata që janë më në nevojë. Të paktën 60% e fondeve të Ndihmës Zyrtare për Zhvillim duhet të shkojnë në shtetet e brishta dhe të prekura nga konflikti, me 30% të dedikuara posaçërisht për vendet e Listës së Emergjencave. Financimi për përshtatjen ndaj klimës duhet të ndjekë nevojën reale, duke u përqendruar gjithnjë e më shumë në këto vende. Institucione si Banka Botërore duhet të tregojnë prirje inovative dhe të bashkëpunojnë drejtpërdrejt me aktorë lokalë dhe shoqërinë civile, të cilët janë më të aftë të ofrojnë shërbime në kushte konflikti.
Së dyti, duhet të zhvendoset qendra e kontrollit në zonat e luftës nga fitimi te mbrojtja, duke rikthyer mjetet e diplomacisë. Këshilli i Sigurimit i OKB-së duhet të pezullojë veton në rastet e krimeve masive, një propozim i mbështetur nga 120 vende. Ekonomitë e konfliktit duhet të çmontohen përmes sanksioneve të targetuara, zbatimit financiar dhe presionit diplomatik. Koalicionet e vullnetit, shtete, institucione shumëpalëshe, sektor privat dhe shoqëri civile, duhet të jenë kundërpeshë e fuqishme ndaj paqëndrueshmërisë, jo vetëm nga bamirësia, por nga interesi vetjak.
Së treti, është koha që shteti i së drejtës të ketë kuptim real. Pandëshkueshmëria në konflikt nuk është e pashmangshme, është zgjedhje. Mohimi i ndihmës humanitare duhet të denoncohet dhe të lihet pas. Shtetet duhet të kushtëzojnë shitjet e armëve dhe ndihmën e sigurisë me respektimin e së drejtës humanitare ndërkombëtare. Mekanizmat e llogaridhënies, si Komisionet Hetimore të OKB-së, duhet të forcohen. Dhe në një botë me zhvendosje rekord, qeveritë duhet të riafirmojnë parimin themelor të Konventës së Refugjatëve të vitit 1951: askush nuk duhet të kthehet në rrezik.
Historia na mëson se krizat që nisin në shtetet e prekura nga konflikti nuk mbeten aty. Qytetarët e vendeve në Listën e Emergjencave po e paguajnë çmimin e çrregullimit të ri botëror me jetët dhe jetesën e tyre. Por e vërteta e dhimbshme është se, nëse nuk ndryshojmë kurs, do ta paguajmë të gjithë, me më shumë paqëndrueshmëri, kërcënime të përbashkëta, dhe me një rend ndërkombëtar tepër të dëmtuar, për të reaguar kur të na duhet më shumë.
Pyetja është: a do të përgjigjemi me vizion dhe rindërtim, apo me një tërheqje edhe më të madhe? / Time- Bota.al





