Analiza

Viti vendimtar i Greqisë

Nikos Kostandaras

Viti 1974 e futi Greqinë në rrugën e stabilitetit dhe begatisë më të madhe e të pandërprerë në historinë tonë, por ai konsolidoi edhe shumë probleme që i kemi ende mes nesh: mosbesimin e thellë ndaj autoritetit, rezistencën ndaj reformave, populizmin e pafre në politikë dhe në media, një ekonomi të dominuar nga shteti që favorizon grupe specifikë, si dhe një sistem politik që vlerëson shpejtësinë ndaj eficencës dhe vendos interesin vetiak mbi të mirën e përbashkët.

Viti vendimtar i GreqiseSi këtë muaj 40 vjet më parë, një seri ngjarjesh monumentale i ndodhën Greqisë dhe popullit të saj, duke lënë pas një trashëgimi e cila përcakton ende politikën, ekonominë dhe shoqërinë tonë. Greqia është si një parabël moderne në trajektoren e saj, nga kolapsi i një diktature ushtarake, përmes rikthimit të demokracisë dhe euforisë së anëtarësimit në BE, deri tek beteja e saj aktuale me krizën ekonomike dhe pasigurinë politike.
Në Greqi, 1974-a ishte edhe më i rëndësishëm se sa 1981-shi, viti kur ne u futëm në atë që atëherë ishte Komuniteti Ekonomik Europian, sot Bashkimi Europian. Ne pothuajse nuk e vumë re fare 1989-ën, dhe kolapsin e bllokut sovjetik, deri kur Europa, rajoni ynë dhe ekonomia globale ndryshuan. Edhe 2001-shi, kur pjesa më e madhe e botës ndryshoi dhe kur Greqia futi monedhën e përbashkët europiane, dhe 2004-a kur Athina organizoi Olimpiadën e suksesshme Verore, ishin thjeshtë ndalesa në rrugën nga liria, drejt shkatërrimit ekonomik.
Viti 1974 e futi Greqinë në rrugën e stabilitetit dhe begatisë më të madhe e të pandërprerë në historinë tonë, por ai konsolidoi edhe shumë probleme që i kemi ende mes nesh: mosbesimin e thellë ndaj autoritetit, rezistencën ndaj reformave, populizmin e pafre në politikë dhe në media, një ekonomi të dominuar nga shteti që favorizon grupe specifikë, si dhe një sistem politik që vlerëson shpejtësinë ndaj eficencës dhe vendos interesin vetiak mbi të mirën e përbashkët.
Korriku 1974 ishte muaji kritik. Greqia kishte shtatë vite nën një diktaturë brutale ushtarake të krahut të djathtë. Në 15 korrik, qipriotët grekë, me ndihmën e diktaturës greke organizuan një grusht shteti kundër qeverisë së tyre, me qëllim bashkimin e republikës ishullore me Greqinë. Në 20 korrik, Turqia, si një garantuese e pakicës së qipriotëve turq, pushtoi Qipron. Faji i juntës bashkë me reagimin e paaftë, përshpejtoi edhe kolapsin e saj. Në orët e para të 24 korrikut, Konstantin Karamanlis, një ish kryeministër i Greqisë që ndodhej në mërgim në Paris, u rikthye në Athinë për të krijuar një qeveri të unitetit kombëtar dhe udhëheqë vendin drejt demokracisë.
Deri në fund të 1974-ës, ishin krijuar partia konservatore Demokracia e Re dhe partia socialiste PASOK. (Këto e morën me radhë pushtetin deri në vitin 2012 kur, të dobësuara prej krizës financiare, ato bashkuan forcat në një koalicion). Karamanlisi ligjëroi Partinë Komuniste që ishte ndaluar prej kohësh, dhe fitoi me shumicë të thellë zgjedhjet kombëtare; ai bëri thirrje për një rihapje të mënjehershme të bisedimeve për anëtarësimin në Komunitetin Ekonomik Europian, që ishin ngrirë gjatë diktaturës. Më e rëndësishmja, ai bëri thirrje për një referendum që shfuqizoi monarkinë dhe krijoi një republikë me parlament, kryeministër dhe president.
Diktatura diskreditoi formën autoritare të qeverisjes që kishte qenë e zakonshme në Greqi, duke i dhënë fund një historie të gjatë ndërhyrjeje të ushtrisë në politikë, por edhe duke krijuar një reaksion ndaj autoritetit, që edhe sot e kësaj dite përcakton debatin publik dhe nxit protesta të shpeshta.
Besimi i grekëve tek NATO pësoi rënie, pasi aleanca shihej si tolerante ndaj pushtimit të Qipros nga Turqia, edhe kjo një anëtare e NATO-s, si dhe pushtimin e afro 36% përqind të territorit të ishullit, që ende vazhdon. Konservatori Karamanlis e tërhoqi Greqinë nga krahu ushtarak i NATO-s për shumë vite, duke reflektuar zemërimin e grekëve në të gjithë spektrin politik.
Ky zemërim vazhdon të shkaktojë edhe sot ndjenja antiNATO dhe antiSHBA tek shumë grekë, që nga ekstremi i majtë, tek ekstremi i djathtë. Për më tepër, mbështetja e Uashingtonit për diktaturën u pa si një shtrirje e mbështetjes së tij për një qeveri nacionaliste që kishte mposhtur guerilasit komunistë në luftën civile të 1946-1949-ës dhe kishte shtypur qytetarët e majtë për dekada të tëra.
Fundi i diktaturës, edhe me një qeveri konservatore që udhëhiqte vendin drejt afrimit me vende të tjerë europianë rezultoi në përhapje të ndjenjave të majta antiperëndimore, si dhe një nacionalizëm shpesh herë obsesiv në politikë dhe në media. Frika nga Turqia i ka mbajtur të lartë shpenzimet ushtarakë, ndërkohë që dyshimet për ndërhyrjet nga jashtë kanë vazhduar të ushqejnë debatin gjatë viteve të krizës – teksa partitë populiste në të majtë dhe në të djathtë denoncojnë “tradhëtarët” dhe “lolot e të huajve” në qeveri.
Deri në një farë mase, kjo shpjegon vazhdimësinë e cuditshme të dhunës së krahut të majtë: militanti më i kërkuar në Greqi, Nikos Maziotis, lideri i anarshistëve të Luftës Revolucionare, u arrestua në 16 korrik pas një shkëmbimi zjarri me policinë në qendër të Athinës. Në të njëjtën kohë, reagimi ndaj krahut të djathtë ka qenë kaq i fortë që nga viti 1974, saqë partitë e ekstremit të djathtë nuk kanë patur prani elektorale deri kur kriza e fundit ekonomike diskreditoi partitë kryesore. Në zgjedhjet e majit për Parlamentin Europian, një parti radikale e majtë mori numrin më të madh të votave, dhe një parti neonaziste doli e treta.
Farat e shkatërrimit ekonomik kanë qenë të dukshme që në 1974-ën. Ndonëse borxhi qeveritar atëherë ishte vetëm 22.5% e GDP, Greqia kishte një inflacion dyshifror si dhe ndiente shumë efektet e krizës së naftës. Importet ishin shumë më tepër se eksportet. Nepotizmi politik e bënin ekonominë gjithnjë e më jokonkuruese ndërsa aparatin shtetëror gjithnjë e më të kushtueshëm dhe joeficient. Sot, borxhi shtetëror i Greqisë është 174.1 përqind e GDP-së. Rimëkëmbja është e pamundur pa një “zerim” madhor të borxheve, duke e lënë Greqinë në “mëshirën” e konsideratave të brendshme politike mes partnerëve të saj europianë, që janë gjithashtu kredidhënësit e saj.
Në dhjetor 1974, Ksenofon Zolotas, guvernatori i Bankës Qendrore të Greqisë, paralajmëroi qeverinë: “Nëse vazhdojmë të mbulojmë deficitin duke shtuar barrën e huave të reja, vetëm sa do i përkeqësojmë gjërat”. Drejtues të njëpasnjëshëm të Bankës së Greqisë e kanë përsëritur këtë gjë. Politikanët tanë nuk u përshtatën me kohët që ndryshonin. Ata zgjodhën të mbajnë votuesit të lumtur me para të marra borxh – deri kur Greqia mbërriti në buzë të greminës në 2010-ën. Ky ishte viti tjetër vendimtar i Greqisë.
Nikos Kostandaras është Drejtor dhe editorialist i të përditshmes Kathimerini
BOTA.AL

Leave a Reply

Back to top button