Analiza

Vlera e gjeografisë, apo gjeografia e vlerave?

Dominique Moisi

gjeografia e vleraveE gjendur përballë rikthimit të Rusisë në traditën e saj imperiale, si dhe metodave e reflekseve të të kaluarës së saj sovjetike, si duhet të përgjigjet Europa? A duhet t’i japë prioritet “vlerës së gjeografisë”, apo “gjeografisë së vlerave”?

Ata që mbështesin të parën e bëjnë në emër të “realizmit energjetik” kohëshkurtër, duke argumentuar se është jetike arritja e një marrëveshjeje me Rusinë, sepse Europës i mungojnë gazi dhe nafta që Amerika i ka me bollëk. Sipas këtij arsyetimi, SHBA mund të jetojë pa Rusinë, ndërsa Euroa nuk mundet.

Veç kësaj, për realistët sjellja mospërfillëse e Amerikës ndaj aleatëve të saj më të vjetër dhe më besnikë – që u reflektua në skandalet e fundit të survejimit të NSA – ka diskredituar vetë idenë e një “komuniteti vlerash”. Nëse Amerika nuk i respekton më vlerat që po vetë i shpall, përse duhet që Bashkimi Europian të humbasë dashamirësinë e Kremlinit, në emër të këtyre vlerave?

Këta realistë argumentojnë gjithashtu se duke njëjtësuar pozicionet e Europës me ata të NATO-s, Europa ka zgjedhur në mënyrë të nxituar që të poshtërojë Rusinë – një kurs veprimi i padobishëm dhe i rrezikshëm. Ka ardhur koha, thonë ata, për një politikë që ripajton arsyetimin e shëndoshë historik dhe gjeografik, me nevojën për energji. E ardhmja e Europës është e lidhur pazgjidhshmërisht me atë të Rusisë, ndërkohë që Amerika i ka kthyer krahët Europës, krejt e painteresuar, në mos e zhgënjyer. Përkujtimi i një të kujtuare të lavdishme – përvjetori i 70 i Ditës së Zbarkimit në Normandi – nuk mund ta fshehë të tashmen: Ndonëse Europa mund të përpiqet të diversifikojë burimet e saj të energjisë, këtë nuk mund ta bëjë pa Rusinë, të paktën në të ardhmen e afërt.

Përse, pyesin realistët, duhet që dikush të vdesë për ukrainasit, të cilët janë më të korruptuar dhe më pak të qytetëruar se edhe vetë rusët? Ukraina e pati shansin e saj si një shtet i pavarur dhe dështoi, duke qenë viktimë e korrupsionit të elitave të saj. Eshtë koha të mbyllen këto “kllapa” të palumtura.

Ky këndvështrim nuk është teorik. Mund të gjendet, i maskuar në mënyra të ndryshme, në të gjithë BE-në, majtas dhe djathtas, dhe në të gjithë profesionet. Perceptimi i një rënieje relative të SHBA dhe thellimi i humbjes së vetëbesimit të BE-së tek vlerat dhe modeli i saj, duket se legjitimojnë një qëndrim i cili në shumë raste është ngritur mbi rrënojat e antiamerikanizmit të dikurshëm.

Rruga tjetër, e cila e vë theksin në gjeografinë e vlerave, ishte ajo që u zgjodh prej etërve themelues të projektit europian dhe NATO-s. Sipas këtij pikëvështrimi, mospranimi i projekteve imperialë të Putinit do të rriste rrezikun që Europa të binte në një varësi të dëmshme.

Për Europën, dëgjimi i sirenës që vjen nga Lindja – një melodi e pajtueshmërisë mes fuqisë strategjike të Rusisë dhe fuqisë ekonomike të Europës – do të ishte njësoj si të paguante Mafian për mbrojtje. Si do të mundej që një klub demokracish të ishin tërësisht të varura për sigurinë e tyre nga një fuqi autoritare e cila shfaq hapur dëshirën që ata të kenë sisteme të dobët politikë?

Nuk është koincidencë që ky ligjërim i rusëve kundër demokracisë, imigrantëve dhe homoseksualitetit gjen mbeshtetje tek partitë më konservatore, ekstremiste dhe nacionaliste të Europës. Në kontrast me këtë, forca dhe tërheqja e modelit të BE varet nga natyra e tij demokratike. Europianët që kanë pushuar së ëndërruari për Europën, që e marrin për të mirëqenë paqen, ripajtimin dhe mbi të gjitha lirinë, nuk e kuptojnë se çfarë është në lojë. Përshtatur në shqip nga bota.al

Përqafimi i një “raison d’état energjetik” që e lë Europën të varur nga Rusia për një të tretën e burimeve të vet energjetikë do të ishte vetëvrasje. Nuk ka alternativa. Europa mund t’i thotë jo Kremlinit dhe Gazpromit vetëm nëse ka vullnetin ta bëjë këtë.

E vetmja politikë e mundshme që mund të jetë edhe realiste, edhe dinjitoze do të ishte një kombinim i qëndrueshmërisë dhe vendosmërisë për t’i vendosur kufij Rusisë së Putinit. Pikërisht se Amerika nuk është më ajo që ka qenë, aleanca e Europës e bazuar mbi vlerat është më e nevojshme se kurrë.

Janë këto vlera që sollën shembjen e Murit të Berlinit dhe motivuan demonstruesit në Kiev të qëndrojnë në dimrin brutal ukrainas, në sheshin Maidan. Nga Azia në Afrikë, njerëzit duket se e kuptojnë më mirë se sa vetë europianët domethënien e vlerave të Europës. Mjafton t’i dëgjosh tek e çmojnë kontinentin për paqen, pajtimin, e madje edhe barazinë relative (krahasuar me SHBA).

Për BE-në, zgjedhja nuk ka qenë asnjëherë më e qartë. Nëse dëshiron të mbijetojë dhe përparojë, duhet të vendosë gjeografinë e vlerave mbi gjithçka tjetër. (Project Syndicate)

Përshtatur në shqip nga bota.al

 

Leave a Reply

Back to top button