Analiza

Vlera e rendit artistik, politik, global…

David Brooks

Disiplina është kritike për suksesin në çdo fushë, që nga sistemi ndërkombëtar i shteteve, deri tek mendja e njeriut. Rendi i qytetërimit global, ashtu sikurse rendi në mendjen e një poeti, është diçka për të cilin duhet luftuar dhe duhet imponuar përditë. Jeta më e mirë është një seri ekskursionesh të guximshëm, po ku pikënisja është gjithmonë një bazë e sigurtë dhe e rregullt

order vs chaosKur shkruante, poetja Maya Angelou ngrihej çdo mëngjes në orën 5.30 dhe pinte kafenë në orën 6.00. Në orën 6.30, shkonte në një dhomë hoteli që e paguante – një dhomë e vogël, modeste, ku nuk kishte asgjë përveç një shtrati, një tryeze, Biblën, fjalor, disa letra dhe një shishe lëng frutash. Mbërrinte në dhomë në orën 7 të mëngjesit, dhe shkruante deri në 12.30, ose dhe deri në 2 të drekës.
John Cheever ngrihej në mëngjes, vishte kostumin e vetëm që kishte, i hipte ashensorit dhe zbriste në një bodrum. Aty hiqte kostumin, ulej i veshur vetëm me mbathje dhe shkruante deri në drekë. Më pas, vishte sërish kostumin, i hipte ashensorit dhe ngjitej për të ngrënë drekën.
Anthony Trollope shkonte tek tryeza e shkrimit në orën 5.30 të çdo mëngjesi. Shërbyesja i sillte të njëjtin filxhan kafeje, në po të njëjtin orar. Shkruante 250 fjalë çdo 15 minuta, për dy orë e gjysmë çdo ditë. Nëse e përfundonte një roman pa shkruajtur 2500 fjalë çdo ditë, ai fillonte menjëherë një tjetër roman për të përfunduar sasinë e fjalëve që i kishte caktuar vetes.
Gjithë këto rutina mu kujtuan nga një libër me titull “Rituale të përditshmëm: Si punojnë artistët”, me autor Mason Currey.
Skicat të kujtojnë se sa shumë punojnë njerëzit krijues. Pjesa më e madhe e tyre ia kushton gjithë jetën, veprës së tyre. “Nuk e imagjinoj dot jetën pa punën”, shkruante Sigmund Freud.
Por, ai që të befason është fakti se njerëzit krijues e organizojnë jetën e tyre sipas rutinave të disiplinuara e të përsëritura. Ata mendojnë si artistë, por punojnë si kontabilistë. “Unë e di që për të ruajtur këta momente të vërtetë mprehtësie, duhet të jesh shumë i disiplinuar, të bësh një jetë shumë të disiplinuar”, ka thënë një herë Henry Miller.
“Rutina, tek një njeri inteligjent, është shenjë ambicieje”, thoshte ë. H. Auden.
Audeni e kontrollonte rregullisht orën, për t’u siguruar që secila detyrë nuk do të zinte më shumë kohë nga sa i kishte caktuar. “Një stoik modern”, argumentonte ai, “e di që mënyra më e sigurtë për të disiplinuar pasionin është të disiplinosh kohën; vendos çfarë do apo duhet të bësh gjatë ditës, më pas bëje ekzaktësisht në të njëjtin moment çdo ditë, dhe pasioni nuk do të të hapë telashe”.
Në kulturën tonë, njerëzit që bëjnë një jetë duke ndjekur rutinën kanë një reputacion të keq. Por jeta është plot paradokse. Situatë pas situate, mëson që rendi dhe disiplina janë parakushte për kreativitetin dhe guximin.
Kjo është e vërtetë në shumë nivele. Fëmijët kanë nevojë për rendin emocional dhe fizik, me qëllim që të dalin e të eksplorojnë. Detyra kryesore e një prindi është që të ofrojë parashikueshmëri të përditshme dhe siguri emocionale.
Komunitetet kanë nevojë për rendin që të lulëzojnë dhe bashkëpunojnë, duke qenë se aty ku ka kaos dhe mungesë rendi, ka mosbesim dhe tërheqje. Detyra kryesore e udhëheqësve lokalë është që të ofrojnë infrastrukturën bazë të sigurisë: rrugë, polici, gjykatës të ndershëm dhe shkolla të rregullta.
Edhe bota ka nevojë për rend, për një seri normash dhe rutinash të pranuara prej të gjithë kombeve. Nuk mund të kesh liri, besim, demokraci dhe vetëvendosje, kur banditë si Vladimir Putini i Rusisë shkelin kufij dhe monstra si Shteti Islamik vrasin të pafajshëm.
Superfuqia e botës ka një detyrë të vështirë dhe të papëlqyeshme. SHBA është e detyruar të organizojë koalicione për të vendosur sundimin e ligjit – për të sprapsur ujqërit dhe ruajtur atë rend.
Ndërtimi dhe ruajtja e rendit – qoftë ky artistik, politik apo global – duket si gjë elementare, por është çuditërisht shumë e vështirë. Shkrimtarëve u duhet të bëjnë përpjekje të habitshme, për të vendosur rend në mendjet e tyre të padisiplinuara – si për shembull të shkojnë në bodrumet e shtëpive të tyre. ë. Somerset Maugham refuzonte të punonte në një dhomë me pamje. I pëlqente të ndodhej përballë një muri të zhveshur. Duhet forcë e mendjes dhe disiplinë e fortë që t’i bësh shërbimin që i nevojitet veprës tënde.
Ruajtja e rendit botëror është edhe më e vështirë. Presidenti Obama e tregoi këtë lloj force në fjalimin e tij para OKB-së. Ishte një prej fjalimeve më të mirë të presidencës së tij.
Gjatë jetës së tij publike, Obama ka prekur notat më të larta të romancës poetike – sidomos në fushatën e 2008-ës. Ai ka prekur edhe disa nota maturie, realizmi dhe mosveprimi. Por ky fjalim i bashkonte të dy tonet. Ai vendoste realizmin dhe forcën e mendjes në shërbim të një thirrjeje më të lartë.
Fjalimi fliste në thelb për ruajtjen e rendit botëror kundër armiqve si ISIS dhe Putin. Ai pranonte se ndonjëherë duhet të përdorësh fuqinë ushtarake për të eleminuar një rrezik ushtarak. Ai pranonte se banditët e etur për pushtet nuk zbuten nëse përpiqesh t’u tregosh se sa jokërcënues dhe i arsyeshëm je. Obama hodhi tej mantelin e hezitimit dhe në mënyrë agresive u vu në mbrojtje të demokracisë, ndryshe nga sa ka bërë kohët e fundit. Ai ishte i drejtpërdrejtë.
Duhet të shohim se çfarë veprimi do të ketë pas fjalëve. Por, e rëndësishmja këtu është se rendi i qytetërimit global, ashtu sikurse rendi në mendjen e një poeti, është diçka për të cilin duhet luftuar dhe duhet imponuar përditë. Jeta më e mirë është një seri ekskursionesh të guximshëm, po ku pikënisja është gjithmonë një bazë e sigurtë dhe e rregullt. /NYT/
Përshtatur në shqip nga www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button