Analiza

Votuesve mund t’u duhet të zgjedhin të keqen më të vogël

Fatmirësisht për bookmakers-at francezë, atyre u ndalohet të vënë baste për zgjedhjet. Përcaktimi i koefiçientëve në këtë garë, do të ishte “mizor”, pas gjithë atyre që kanë ndodhur deri tani.

11 ditë para raundit të parë, Franca është duke përtypur një mundësi, e cila vetëm pak javë më parë do të kish qenë e paimagjinueshme: eleminimin e të gjithë kandidatëve të partive kryesore, dhe një përplasje mes populistëve radikalë. Një duel mes nacionalistit trockian, Jean-Luc Mélenchon dhe Marine Le Pen, është diçka që mund të ndodhë, shkruan e përditshmja britanike, Times of London.

Ky sistem, në të cilin ti voton me zemër në raundin e parë dhe me mendje në raundin e dytë, u projektua për të penguar ekstremistët që të shkonin në Pallatin Élysée. Ia ka dalë deri më sot, si për shembull kur Jean-Marie Le Pen, babai i Marine, arriti deri në balotazh në vitin 2002.

Eshtë e zakonshme të dëgjosh njerëz që thonë se, as nuk e kanë idenë për kë do të votojnë, dhe një numër rekord pritet të abstenojnë. Jérôme Fourquet, drejtor politik i institutit të sondazheve Ifop, tha dje: “Jemi në një Trekëndësh të Bermudës, vetëm se është më shumë një kub. Çdo gjë mund të ndodhë”.

Emmanuel Macron, ish-ministër i ekonomisë, mbetet favorit për të fituar balotazhin, por ai duket i lëkundur, pasi gjysma e mbështetësve të tij, thonë se mund të ndryshojnë mendje.

Marine Le Pen, që konsiderohet e sigurtë të arrijë në balotazh, e ka humbur shkëlqim, pas akuzave për mashtrim në Parlamentin Evropian dhe shfaqjes nën nivel, në dy debate televizive.

Javë të tëra të skandalit mbi vendet e punës në parlament për familjen plus dhuratat e dyshimta nga miqtë, nuk e kanë nxjerrë dot jashtë loje François Fillonin, ish favoriti për këto zgjedhje. Konservatorët besnikë ende mund ta shpien atë mbi pragun që nevojitet për të dalë në balotazh.

Kjo fushatë ka qenë e mbushur me befasi, goditje e kundërgoditje, si skandali i Fillonit. Por ajo reflekton edhe indinjatën e fortë ndaj politikanëve, ekspertëve dhe mediave. Po atë indinjatë që çoi Donald Trumpin në Shtëpinë e Bardhë dhe Britaninë jashtë BE-së.

Ashtu si anglo-saksonët, pjesa më e madhe e Francës beson se politikanët janë të korruptuar, shtypi është i pabesueshëm dhe mediat sociale janë më të besueshme. Dhe duke qenë se francezët janë ndër popujt më pesimistë në Europë, ka edhe një ndjesi apokalipsi që po afron. Dhe kjo e bën më të mundshme mundësinë e një përplasjeje mes dy demagogëve në balotazh, të cilët të dy premtojnë largim nga BE dhe Euro.

E megjithatë, edhe në fund këto zgjedhje mund të prodhojnë pakënaqësi. Macroni, favoriti për të fituar, mund të jetë një i pavarur i ri, por ai është gjithësesi një produkt i pastër i sistemit. Ai është një nëpunës civil miqësor ndaj biznesit, pro europian, që mbështetet prej ministrave socialistë dhe veteranëve të qeverisë së qendrës së djathtë. /bota.al

Leave a Reply

Back to top button