Enciklopedike

Vrasësi i Gjon Palit I

Screen Shot 2015-06-11 at 22.26.45Nga Seria: Legjendat “e zeza” të Vatikanit

Mëngjesin e 29 shtatorit 1978 u gjet i vdekur në shtratin e tij papa Gjon Pali I. Papati i Albino Lucianit, i zgjedhur gjatë një prej konklavave më të shkurtëra të historisë, kishte qenë po ashtu i shkurtër: vetëm 33 ditë. Që nga emri që i ishte dhënë, i zgjedhur për herë të parë pas 2 mijë vitesh histori, duke bashkuar emrat e dy paraardhësve të tij, atë të Gjon Palit, ishte konsideruar një papat kthese, një fillim i ri për Kishën. Për këtë arsye vdekja e tij e papritur shkaktoi turbullirë. Shumë shpejt nisi të qarkullojë një zë që papa ishte vrarë, për më tepër që Vatikani refuzoi autopsinë. Sa për porositësit, u përmendën emrat e sekretarit të atëhershëm të shtetit, kardinali Jean-Marie Villot, dhe ai i drejtorit të Institutit për Veprat e Fesë, praktikisht Banka e Vatikanit, peshkopi Paul Marcinkus. Qëllimi: synimi i të sapozgjedhurit për të pastruar curia-n romane nga ata prelatë pa skrupuj që ushtronin trafiqet e tyre fitimprurës nën hijen e Shën Pjetrit.

Përkundër kësaj teze, Papa kishte deklaruar në të vërtetë në shumë raste se nuk do të modifikonte asnjë detyrë për të paktën një vit, duke qenë se e njihte shumë pak situatën. Sa për shëndetin e Lucianit, ai nuk ishte aspak i mirë, sic duan të lënë të kuptohet ata që dyshojnë për komplot, kështu që vdekja e tij nuk ishte kaq e papritur. Për vëllanë e tij, Eduardo, Albino kishte qenë gjithmonë me shëndetligë dhe i ishte dashur t’u nënshtrohej disa ndërhyrjeve. Motra e tij, Nina shpjegoi që në shtëpinë e nënës së saj kish patur shumë vdekje të papritura. Dhe Gjon Pali I vuante prej kohësh nga shqetësime në qarkullimin e gjakut. Dy sekretarët e tij dëshmojnë që në pasditen e 28 shtatorit ai u ankua për dhimbje në gjoks, por nuk pranoi të thirrej mjeku, një vendim që rezultoi fatal. Arsyeja përse nuk u urdhërua një autopsi ishte edhe sepse në atë kohë askush, as të afërmit nuk e konsideruan të nevojshme. Mjeku personal i papës tha se vdekja i kishte ardhur nga një infarkt, një diagnozë që më pas u korrigjua në një bllokim pulmonar, që sjell vdekjen brenda pak sekondash dhe është më i pajtueshëm me faktin që papa u gjet në gjumë, pa asnjë shtrembërim në mimikë që vjen prej dhimbjes, sic do të kish qenë normale në rast të një vdekjeje nga infarkti apo helmimi./bota.al

Leave a Reply

Back to top button