Analiza

Vrasja e Nemçovit dhe dyshimet mbi lidhjet çeçene të Kremlinit

Screen Shot 2015-03-20 at 8.09.20 PMNga David M. Herszenhornmarch

Grozni-Ramazan Kadirov, udhëheqësi i fortë i Çeçenisë, ka qenë në qendër të intrigave që kanë rrethuar vrasjen e Boris Nemçovit, një ish-lider i opozitës dhe kritik i spikatur i presidentit rus, Vladimir Putin. Gjatë një fundjave të kaluar në një klub nate, ku djem të rinj përleshen me njëri-tjetrin brenda një kafazi, zoti Kadirov kërkon që në fillim të qartësojë diçka: “Unë jam krejtësisht i përkushtuar ndaj Vladimir Putinit, dhe jam gati të sakrifikoj jetën time në luftë kundër armiqve të Rusisë”.

Por çështja këto ditë, nuk ka të bëjë dhe aq me besnikërinë e Kadirovit ndaj Putinit, mbrojtësit të tij politik, por me ujdinë faustiane të shefit të Kremlinit, për të garantuar stabilitetin në Çeçeni, ku Rusia ka zhvilluar dy luftëra të frikshme, për të shtypur separatistët myslimanë, dhe që nëse do të prishet, do të shkaktojë shpërthimin e dhunshëm dhe të paparashikuar të një despoti.

Kritikët e Putinit kanë shprehur me kohë shqetësimin pse ka lejuar Kadirovin, 38-vjeç, të krijojë de facto republikën islamike, të cilën separatistët çeçenë e kishin ëndërruar prej kohësh – megjithëse krejtësisht të ndërvarur financiarisht nga Moska, në një kohë që edhe ligji i Sheriatit është selektiv dhe jo absolut. Ata shtojnë se Kadirov tashmë mund të kërkojë të shtrijë pushtetin dhe ndikimin e tij, përtej bazës, në kodrat e dhëmbëzuara të Kaukazit të Veriut.

Ndryshe nga rajonet e tjera, ku forcat lokale të sigurisë varen prej autoriteteve federale, Kadirovi kontrollon trupat e veta të sigurisë së brendshme, të njohura si Kadirovci. Ai njihet për eleminimin pa mëshirë të kritikëve, brenda dhe jashtë vendit. Dhe në Moskë, ai është gjerësisht i dëgjuar, se lejohet nga shërbimet e sigurimit të veprojë pa u ndëshkuar. “Shërbimet sekrete ruse e urrejnë Ramazanin, pasi nuk janë në gjendje ta kontrollojnë” – thotë Aleksej Malashenko, ekspert mbi Kaukazin në “Carnegie Moscow Center”. “Ai bën çfarë dëshiron, duke përfshirë edhe Moskën. Askush s’mund të arrestojë anëtarët e ekipit të tij, nëse nuk ka një marrëveshje paraprake me Putinin” – shton ai.

Pak para se të vdiste, Nemçovi kishte tërhequr vëmendjen mbi rreziqet e natyrshme të një marrëveshje të tillë. “Unë nuk mund të kuptoj se çfarë pret Putini, kur 20 mijë persona të armatosur të Kadirovcit u

mblodhën sot në stadiumin e Groznit” – shkroi Nemçov në Facebook dhjetorin e shkuar, pasi Kadirovi udhëhoqi trupat e tij nën ritmet e këngës “Zoti është i madh!”, gjatë një mitingu në arenën e re futbollistike të kryeqytetit çeçen.

“Çfarë do të ndodhë më pas? Vendi po hyn në krizë. Nuk ka para të mjaftueshme për çdo gjë, duke përfshirë mbështetjen e rajoneve. Dhe kontrata e pashprehur mes Putinit dhe Kadirovit – para në këmbim të besnikërisë – po përfundon. Ku do të shkojnë 20.000 Kadirovcët? Çfarë do kërkojnë? Si do të sillen, kur të vijnë në Moskë?” – shkruante më tej Borisi.

Ndërsa autoritetet nuk kanë arritur të nxjerrin asnjë provë se Kadirovi apo dikush afër tij ka urdhëruar vrasjen e Nemtçovit, hetuesit kanë arrestuar 5 çeçenë të dyshuar për ngjarjen, duke përfshirë një ish- zv.komandant të një prej batalioneve të sigurisë të liderit çeçen. Edhe aleatët e zotit Nemçov, të cilët besojnë se Kremlini fshihet pas vdekjes së tij, thonë se hetimet deri më tani kanë nxjerrë në pah një çarje të rrezikshme mes krerëve të shërbimeve të sigurisë në Moskë, dhe liderit të stuhishëm çeçen.

E çara ka të bëjë me vendimet e zotit Putin. Për 8 vite më radhë, ai ka lejuar Kadirovin të sundojë me dorë të hekurt, dhe mesa duket ka bërë edhe një sy qorr për vrasjet, torturat dhe abuzimet e tjera të të drejtave të njeriut. Në të njëjtën kohë, Kremlini financoi një

përpjekje të shtrenjtë për rindërtimin e Groznit, duke e transformuar kryeqytetin çeçen në një oaz të Kaukazit, dhe duke i mundësuar Kadirovit të menaxhojë pa problem milicinë e tij personale. Rezultati: admiruesit dhe kritikët bien dakord se ai është një krye- personalitet politik, të cilin Rusia nuk e ka parë kurrë më parë: lord islamik i luftës, nacionalist i ashpër rus dhe besnik i Putinit – të paktën tani për tani.

I implikuar në vrasjet e rivalëve të tij personalë dhe kritikë, Kadirovi është shfaqur muajt e fundit si një nga mbështetësit më të fortë të politikave të Putinit në Ukrainë, duke lejuar kalimin nga Çeçenia të luftëtarëve dhe armëve, për të mbështetur separatistët pro-rusë. Ai ishte ndërkaq udhëheqësi i një tubimi të madh “Anti- Maidan” në Moskë, për të protestuar kundër ndryshimit të kursit të Ukrainës drejt Europës, dhe në janar drejtoi një demonstratë masive në Grozni, pas sulmit në zyrat e revistës “Charlie Hebdo” në Paris, duke e denoncuar këtë të fundit si një botim anti- mysliman.

Zoti Kadirov nuk ka shumë lidhje me mëshirën. Emri i tij ka qarkulluar tek disa nga vrasjet më të bujshme me sfond politik në Rusi, duke përfshirë edhe atë të gazetares së shquar investigative, Ana Politkovskaja në vitin 2006, dhe avokates të të drejtave të njeriut, Natalia Estemirova, kolegët e të cilës, thuhet se u kërcënuan personalisht nga Kadirovi disa muaj përpara

se kjo e fundt të rrëmbehej para apartamentit të saj në Grozni, në vitin 2009.
Dy rivalët e ashpër të zotit Kadirov në politikën famëkeqe fisnore çeçene, u eliminuan përmes vrasjeve publike. Ruslan Jamadajev u qëllua për vdekje ndërsa qëndronte i ulur në një makinë, në qendër të Moskës në vitin 2008, ndërsa vëllai i tij, Sulim Jamadajev, u vra në Dubai, Emiratet e Bashkuara Arabe, në vitin 2009. Autoritetet e Dubait lëshuan asokohe një urdhër arresti për Adam Delimkanovin, një këshilltar i afërt i Kadirovit.

Një ish-truproje e Kadirovit, Umar Israilov, që kishte dokumentuar torturat e tmerrshme dhe abuzimet e tjera të të drejtave të njeriut nga lideri çeçen dhe bashkëpunëtorët e tij, u vra në vitin 2009 në Vjenë, ku ai kishte emigruar me familjen e tij.

Kadirovi përgjithësisht i ka hedhur poshtë këto akuza, dhe në të njëjtën mënyrë veproi kur u pyet për vrasjen e Nemçovit. “Çfarë? Ju dukem një hetues?” – iu përgjigj ai një një gazetari, teksa po dilte nga një lokal nate në Grozni, në orën e vona të natës, i rrethuar nga truprojat e tij të armatosur rëndë. “Hëm!”- vijoi ai duke e ekzagjeruar të qeshurën – Kjo është një pyetje për Byronë e Hetimeve, prokurorinë, Shërbimin Sekret Federal, unë nuk e di. Unë jam kryetar i Republikës Çeçene dhe jo një banor i Moskës”. Sidoqoftë, pyetjet e pakëndshme s’kanë gjasa të të çojnë larg.

Spekulimet në lidhje me rolin e Kadirovit filluan menjëherë pasi autoritetet njoftuan se kishin arrestuar 5 të dyshuar çeçenë, duke përfshirë Zaur Dadajevin, i cili ka shërbyer më herët në një prej batalioneve të sigurisë të udhëheqësit çeçen. Në një postim interesant në Instagram, zoti Kadirov tha se e njihte personalisht zotin Dadajev si një “patriot të vërtetë rus”.

Pyetjet u shtuan, kur vetëm disa ditë më vonë Vladimir Putini dha një çmim shtetëror për Kadirovin (dhe Andrej Lugovoin, i cili është akuzuar nga Britania e Madhe si autor i vrasjes së oficerit më të kërkuarit të inteligjencës ruse, Aleksandër Litvinenko, përmes helmimit të çajit të tij me polonium).

Në Çeçeni, Boris Nemçovi ishte ndoshta më i njohur për organizimin e mbledhjes së mbi 1 milionë firmave në vitin 1996, në shenjë proteste kundër luftës së parë çeçene. Dhe duke pasur parasysh historinë e republikës dhe reputacionin e saj të dhunës, skeptikët ndaj hetimit të qeverisë thonë se të akuzosh çeçenët për vrasjen e tij, është thjesht shumë e përshtatshme. Të afërm të të arrestuarëve thonë se ata janë të pafajshëm.

Marrë me shkurtime nga “New York Times” a.g./www.bota.al


www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button