Analiza

Vrasja që tronditi opozitën ruse

Nga Eli Lake

Vrasja e udhëheqësit kryesor të opozitës ruse, ka acaruar më tej marrëdhëniet mes presidentit rus Putin dhe kundërshtarëve të tij politikë

Screen Shot 2015-03-02 at 09.08.14Kundërshtarët politikë të Putinit, zhdukeshin shpejt nga skena edhe para se të gjenin vdekjen. Presidenti rus ka dërguar oligarkët rivalë në kampe burgimi, ka mbyllur stacionet televizive dhe ndaluar organizatat joqeveritare, që janë kundër tij. Por vrasja e Boris Nemçovit, tashmë ka ngritur në mesin e figurave të opozitës, pikëpyetjen nëse Kremlini, do të shkojë edhe më larg se kaq.
Pak orë pas vrasjes se Nemçovit në mes të Moskës, autoritetet nuk përmendën ndonjë të dyshuar. Një i zëdhënës, tha se Putini i shprehu ngushëllimet familjes, dhe ka urdhëruar një hetim mbi ngjarjen. “Putin theksoi se kjo vrasje brutale, i ka të gjitha shenjat e një ekzekutimi të porositur, dhe për me tepër është e një karakteri ekskluzivisht provokues”- u tha zëdhënësi, Dmitri Peskov, disa mediave ruse.
Por disa anëtarë të opozitës, shohin dorën e fortë të Kremlinit edhe tek ky krim. “Si politikan, unë nuk mund të them, se kush tjetër mund të jetë përgjegjës, për këtë vrasje. Nuk ka asnjë shpjegim ndryshe, Kremlini e ka bërë atë”- thotë Ilia Ponomarev, një përfaqësues i së majtës, i cili ishte i vetmi anëtar i Dumës ruse, që votoi kundër aneksimit Krimesë nga ana e Rusisë.
“Kush e dha urdhrin, për të vrarë Nemçovin? Kush e di”- shprehet Geri Kasparov, ish-kampion botëror i shahut, dhe një tjetër figurë kryesore e opozitës. “Por ky akt është kryer jo shumë larg Kremlinit, madje mund të jetë ndërmarrë nga vetë miqtë e Putinit. Kush e urdhëroi atë? Nuk më intereson. Putin duhet të mbajë përgjegjësi, për vrasjen e Borisit”- shton më tej Kasparov. Vetë Nemçov, tha gjatë një interviste, në fillim të muajit shkurt, se nëna e tij kishte frikë se Putini, mund ta vriste atë, por ai vetë tha se nuk kishte frikë.
Majkëll Mekfol, ambasador amerikan në Moskë në vitet 2012-2014, më tha se do tronditej nëse do të mësonte se vrasja ishte urdhëruar personalisht nga Putini. Por Mekfol, shton se Putini megjithatë, është pjesërisht përgjegjës për vrasjen. “Atmosfera që Putini ka krijuar në Rusi, ku njerëzit si Nemçovi, vazhdojnë të etiketohen si armiqtë e shtetit, krijon kushtet në të cilën këto lloj tragjedish mund të ndodhin”- deklaron  ai.
Ed Rojs, kryetar i Komitetit të Punëve të Jashtme në Kongresin Amerikan, i bëri jehonë kësaj ndjenje, përmes një deklaratë të premten në mbrëmje:”Rusia e Putinit po përjeton tani një mungesë rendi. Pavarësisht se kush e vrau Boris Nemçovin, kjo vrasje tronditëse, është sulmi i fundit, për ata që guxojnë të kundërshtojnë regjimin e Putinit”. Nemçov, ish-zëvendëskryeministër, nuk ka patur ndonjë mbështetje të madhe politike në Rusi. Por ai ishte një kritik, veçanërisht i ashpër i regjimit të Putinit, në skenën globale.
Gjatë mandatit të parë të presidentit amerikan Barak Obama, Nemçov udhëtoi në Uashington, për të kundërshtuar të ashtuquajturën politikë të Shtëpisë së Bardhë, për rivendosjen e marrëdhënieve më të forta me Rusinë, duke paralajmëruar se injorimi i shkeljeve të shkuara nga ana e Kremlinit, vetëm sa do të inkurajonte më tej Putinin. Kohët e fundit, ai publikoi disa hetime mbi korrupsionin qeveritar me organizimin e Lojëra Dimërorë Olimpike në Soçi. Ponomarev, aktualisht në mërgim në SHBA, shprehet se kishte frikë, se çfarë mund t’i ndodhë nëse do të duke jetuar ende në Moskë. “Unë patjetër e marr këtë personalisht. Mendoj se nëse do të kisha qëndruar në Rusi, mund të isha në vendin e Borisit”-nënvizoi ai.
Edhe Kasparov është në një mendje me të:”Mesazhi është ky. Ne s’kemi asnjë alergji ndaj gjakut, dhe kushdo mund të vritet”. Mekfol, që e njihte Nemçovin personalisht prej gati 30 vjetësh, është i tronditur nga kjo vrasje. Ai tha se i kujtohej njëherë kur Nemçovi e vizitoi atë në rezidencën e ambasadës. Mekfol e rregulloi, që Boris të mund të hynte në godinë, pa u ndaluar nga policia ruse tek portë.  “Kur ai hyri brenda, ne biseduam bëmë dhe shaka, mbi mënyrën sesi unë i kam shmangur ngacmime të ngjashme”- kujton ai. Por toni i bisedës së tij më pas ndryshoi. “Teksa po bëhej gati të largohej, nuk po bënte shaka. Ne e pamë atë të  ndiqej nga dy makina, për t’u siguruar se ata e dinin ku ishte dhe çfarë po bënte. Kjo ishte një mënyrë djallëzore, për të jetuar në vendin tuaj”- thotë ish-ambasadori amerikan./Bloomberg/
www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button