Magazine

“We don’t need no education”

E vërteta është se pa u përdorur, makineria e mendjes sonë atrofizohet. Dhe nuk ka aplikacion për të na e rikthyer mbrapsht

Nga viti 2010 deri në 2011, kinezi Uang Feng kishte kujtesën më të mirë në botë. Ai mund të memorizonte 2660 numra rastësorë brenda orës, dhe në vetëm 24 sekonda, mund të kujtonte një seri prej 52 letrash bixhozi.

Një vit para se Feng të linte shenjë në Kampionatin Botëror të Kujtesës, kujtesa e tij ishte aq e fragmentuar, sa që vendosi të hyjë në klubin universitar të kujtesës. Aty, Feng mësoi teknikën e lashtë të quajtur mnemonikë, që ndihmonte për ngulitjen e informacionit në tru. Duke përdorur mnemonikën, Feng mund të kujtonte data si 1782, viti imagjinar kur “Australia zbriti ariun polar në Hënë”.

Edhe kampioni australian i kujtesës, Tansel Ali përdori mnemonikën kur gëlltiti me mendje gjithë librin e telefonave të një qyteti të tërë, brenda vetëm 24 ditësh. Cili është numri i telefonit i “Bob’s cleaning”? Ali ta thoshte menjëherë: 9217 7747.

Keni të drejtë të pyesni përse? Përse dikush memorizon një libër telefonash apo një ngjarje historike, që nuk ka ndodhur? Përse dikush do të memorizonte shifrat binare si sekuenca 0111100001100011?

Tek “Ngjitja e njeriut”, Darvini katalogonte një numër pjesësh trupi “të padobishme, apo pothuaj të padobishme”, si dhëmballët e pjekurisë, qimet e trupit dhe thithkat tek burrat – tipare të tepërta, që s’kishin më lidhje me njerëzit. Edhe kujtesa njerëzore, mund të jetë në prag të daljes e tepërt. Ne kemi motorrë kërkimi për emra dhe data historike, kemi GPS për navigimin, llogari në mediat sociale për të kujtuar ditëlindjet e miqve, dhe fotografi familjare për të kujtuar momente.

Teksa informacioni akumulohet me një ritëm alarmant, disa argumentojnë se të mësosh se si të kërkosh në mënyrën e duhur informacionin – në katalogë librash dhe baza të dhënash në universitete – është më e dobishme, se sa mbushësh kokën me fakte dhe shifra. Studentët duken të prirur të depozitojnë në mendje, minimumin e mundshëm të kujtimeve këto kohë – pikërisht ashtu si një minimalist përmirëson dhomën e ndenies, duke nxjerrë jashtë raftet e librave dhe mbajtëset e CD-ve. Përse duhet tejmbushur mendja, kur mund të çlirohet nga tepricat e kujtesës, të cilat kur dëshiron, mund t’i shkarkosh përmes një pajisjeje teknologjike?

Mnemosina ishte perëndesha e kujtesës tek “Theatetus” e Platonit. Nëna e muzave, Mnemosina gëzonte status të lartë sepse kujtesa, shihej mbi të gjitha, si burimi i dijes njerëzore. “Kujtesa dhe inteligjenca janë të lidhura ngushtë”, shkruante E. M. Forster, tek “Aspekte të romanit”, sepse “nëse nuk kujtojmë, nuk mundemi të kuptojmë”.

Volteri binte dakord, duke thënë se pjesa e racës njerëzore që mendon kishte besuar për një kohë të gjatë “se ne nuk kishim ide, përveç atyre që na vinin përmes shqisave tona, dhe se kujtesa ishte i vetmi instrument, përmes të cilit mund të bashkonim dy ide dhe dy fjalë”.

Sigurisht, në traditën e përcjellë gojarisht – përpara se të shkruanim postime në blogje apo të filmonim në shtëpi – ajo që personalisht kujtonim, ishte e vetmja lidhje e jona me të shkuarën.

Por për shumëkënd sot, burimi i dijes ka më shumë gjasa të jetë i lidhur me qendrën e të dhënave digjitale, në fund të rrugës.

Mnemonisti britanik Dominic O’Brien, tetë herë Kampion i Botës për Kujtesën, beson se fuqizimi i kujtesës shton krijueshmërinë dhe vetëbesimin, diçka që O’Brienit i mungonte shumë në shkollë. Mnemonika përfshin transferimin e tekstit, që është e vështirë të kujtohet, në kontekste dhe imazhe që përsëriten. Për shembull, përfytyroni filozofin francez Montaigne të ulur në majë të një mali; fjala franceze për mal është montagne. (Tani do e keni më të lehtë ta kujtoni). Shkurt, mnemonistët janë ekspertë në ëndërrimin me sy hapur. “Një imagjinatë e mirë është çelësi i suksesit”, thotë O’Brien.

Në vitin 1885, psikologu gjerman Hermann Ebbinghaus studioi rrokjet rastësore si ëid dhe zof, dhe testoi veten në mënyrë të përsëritur. Ebbinghaus i vendosi rezultatet në një “kurbë të harresës”, për të përcaktuar se sa shpejt humbiste informacioni në mendjen e tij, dhe përse disa informacione ruheshin për periudha më të gjata. Disa psikologë besojnë se ne humbasim 70% të asaj që sapo kemi dëgjuar apo lexuar, nëse nuk përdorim një strategji për ta ruajtur atë informacion. Ebbinghaus zbuloi se kjo mund të bëhet përmes teknikave mnemonike, si dhe përsëritja hapësinore – një konkluzion i arritur gjithashtu nga zhvillimet më të fundit në neuroshkencë.

Në librin “Make it stick”, Henry Roediger dhe Mark McDaniel nxjerrin konkluzione nga dhjetë vjet kërkime në shkencën e të mësuarit dhe të kujtuarit, në arsim. A po mësojnë si duhet nxënësit, apo informacioni u hyn nga njëri vesh, dhe u del nga tjetri?

“Njerëzit zakonisht ndjekin mësimin në mënyrat e gabuara”, shkruan Peter Broun. “Studimet empirike mbi mënyrën si mësojmë dhe kujtojmë, tregojnë se një pjesë të mirë të kohës e çojmë dëm”.

Gjetjet e tyre tregojnë se rileximi, mësimi rutinë dhe mësimi me ngut janë harxhim kohe. “Rileximi i tekstit dhe praktikimi në masë i një aftësie apo njohurie të re, janë strategjitë e preferuara të nxënësve të të gjithë llojeve”, shkruan Broun, “por ata janë edhe ndër më pak produktivët. Me praktikë masive nënkuptojmë përsëritjen e shpejtë të diçkaje që po përpiqesh të ngulitësh në kujtesë, pra këshillën ‘praktiko, praktiko, praktiko’ të urtësisë tradicionale… Rileximi dhe praktikimi në masë shkaktojnë ndjesi të rrjedhshmërisë, e cila më pas merret si shenjë zotërimi, por për të patur një zotërim të vërtetë, këto strategji nuk vlejnë, janë thjesht humbje kohe”.

Interesante është që, nxënësit që lexojnë dhe e rilexojnë një tekst dhe e kuptojnë atë – pa probleme – ka më shumë gjasa të dështojnë në provime. Përse? Siç e kupton mirë një kampion i kujtesës, kujtesa kulmon atëherë kur procesi i të mësuarit është i ngadaltë dhe i lodhshëm – kur idetë kyçe distilohen dhe nguliten në kujtesë, duke përdorur mjete si letra dhe kuice. Rritja e vështirësisë së të mësuarit të një teme, dhe përpjekja për të zgjidhur një problem përpara se të të thuhet zgjidhja – janë strategji të provuara që ndihmojnë ruajtjen e informacionit. Shkencëtarët thonë se procesi i të mësuarit duhet të jetë i vështirë.

Kemi dëgjuar të gjithë për studentin që thotë se ka kujtesë fotografike, ku detaje të vogla të jetës projektohen si me magji në trurin e tyre. Por pas dekadash studime shkencore, shumë pak prova janë gjetur që mbështesin pretendime të tilla.

Që të ruash informacionin nevojitet shumë më tepër se sa vullneti, thonë neuroshkencëtarët – kërkohen mjete ndihmëse si mnemonika dhe përpunimi, që Broun i përcakton si “dhënie kuptimi materialeve të reja, duke i shprehur në fjalët e tua dhe duke i lidhur me ato që i dini tashmë”. Njohuria gjithashtu transferohet në trurin që pret, kur teston dhe vë në provë vetveten, në mënyrë të përsëritur, dhe më mirë, kur i shtrin testet në hapësirë dhe kohë, sepse kujtesa forcohet kur ndërkohë ka patur edhe nga pak harresë. Sa më të vështirë ta ketë truri që të kujtojë diçka, aq më e fortë do të jetë gjurma e kujtesës. Por ky informacion, sigurisht, nuk është i ri. Aristoteli dikur thoshte: “Ushtrimi për të kujtuar vazhdimisht diçka e forcon kujtesën”.

Por kur teknologjia mund të depozitojë dhe nxjerrë informacion më shpejt se sa ne, përse të kujtojmë?

Kampioni i kujtesës, O’Brien e përshkruan kujtesën si një “minierë diamantesh me potencial të paeksploruar dhe pashfrytëzuar”. Dhe në të vërtetë, kampionë të kujtesës si O’Brien, Feng apo Ali, na kujtojnë për aftësinë e jashtëzakonshme të trurit të njeriut që shpesh herë harrohet, në rrëmujën e pandalshme të progresit teknologjik, inteligjencës artificiale dhe shpejtësisë së RAM. Ndonëse fillimisht memorizimi i letrave dhe shifrave binarë mund të ngjajë diçka e pavlerë, këto karakteristika të forcës mendore na kujtojnë se të gjithë kemi një tru që rri aty i heshtur – i papërdorur, i mërzitur, i paharxhuar.

E vërteta është se pa u përdorur, makineria e mendjes sonë atrofizohet. Dhe nuk ka aplikacion për të na e rikthyer mbrapsht. “NP” – Bota.al

Leave a Reply

Back to top button